English

Berisha uron Vitin e Ri: Lëvizja e Lirë e shënuar me gërma të arta, arritje të reja në Shqipërinë europiane

Tiranë, 31 dhjetor, NOA – Në vigjilje të ndërrimit të viteve Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka uruar të gjithë bashkëkombasit për Vitin e Ri 2011, duke deklaruar se shqiptarët e presin sot Vitin e Ri më të lirë e më me dinjitet se kurrë më parë. E ashtu si në të gjitha deklaratat e tij të fundvitit, shefi i qeverisë kryefjalë të urimit pati edhe sot shembjen e murit të vizave për shqiptarët, një arritje që sipas tij shënohet me ngjyrë të artë në kalendarin e Vitit që po lëmë pas...

“Kjo, sepse ne arritëm që në vitin 2010 të shembim një mur shekullor izolimi, por edhe paragjykimesh, që na rrethonte dhe të shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura të jetës sonë, atë të lëvizjes sonë të lirë dhe dinjitoze në mbarë hapësirën europiane. Në memorien e secilit prej nesh dhe të historisë sonë, viti 2010 do të shkruhet me gërma të arta si viti i paharruar, viti i lëvizjes sonë të lirë në mbarë Europën”, theksoi kryeministri Berisha duke garantuar shqiptarët se Shqipëria evropiane dhe integrimi europian mbeten projekti më madhor për qeverinë shqiptare në 2011-ën e në vazhdim.

Më tej në urimin e tij shefi i qeverisë renditi arritjet e shënuara gjatë këtij viti, të cilat sikundër tha kryeministri duhet të na bëjnë të ndihemi krenarë.

“Ne presim vitin që po troket në dyert tona krenarë me veten, njëri-tjetrin dhe vendin, sepse ne gjatë vitit 2010 me mundin, djersën, iniciativën e lirë dhe reformat tona, arritëm që ekonomia jonë dhe në kohën e krizës së rëndë ekonomike të botës të shënojë rritjen më të lartë në Europë”, tha kryeministri.

Ai nënvizoi këtu rritjen e të ardhurave buxhetore, të cilat u rritën sikundër tha ai, me 8,5 përqind, apo atë të eksporteve me mbi 50 përqind, ndërkohë që defiçiti buxhetor dhe inflacioni u ulën ndjeshëm duke arritur vlerat ekzotike për kontinentin europian, me rreth 3 përqind.

Kryeministri Berisha ritheksoi se gjatë vitit që po lëmë pas investimet publike për rrugët, shkollat, spitale, ujësjellës-kanalizimet arritën në rreth një miliard dollarë, ndërsa investimet e huaja 30 përqind më të larta se në 2009-ën, duke bërë që Shqipëria të renditet ndër vendet më të pëlqyera dhe të besuara nga investitorët e huaj.

“Mbi të gjitha rritja ekonomike bëri të mundur që Qeveria Shqiptare të realizojë rritjen më të madhe të rrogave, pensioneve në Europë, ndërkohë që shumica e vendeve të tjera për shkak të krizës i uli ndjeshëm ato. Ne presim Vitin e Ri me nderimin dhe respekt të ligjshëm për njëri tjetrin dhe për vendin tonë, sepse këtë vit në garën e dijes, në shkollimin e fëmijëve tanë ne kemi kapur nivelet më të larta që ekzistojnë gjëkundi për ndjekjen e shkollës së mesme dhe të lartë nga djemtë dhe vajzat tona”, vlerësoi shefi i ekzekutivit në mesazhin e tij të urimit.

Por përtej arritjeve ekonomike, kryeministri u uroi më shumë gëzime, shpresë dhe fat edhe atyre që po përballen me sëmundjet, varfërinë, skamjen dhe papunësinë.

Kryeministri përmendi këtu edhe arritjen e projektit të Shqipërisë dixhitale, i cili këtë vit sikundër theksoi kryeministri pati një rritje marramendëse, duke argumentuar se numri i përdoruesve të internetit në vend arriti në mbi 1,3 milion qytetarë, duke iu afruar kështu mesatares europiane, krahasuar me vetëm 4,8 përqind që ishte 5 vjet më parë. “Sot 34,2 % e shqiptarëve përdorin Facebook për të komunikuar me njëri tjetrin, duke parakaluar kështu shumicën e kombeve më të zhvilluara të Europës”, risolli në vëmendje kryeministri Berisha.

Por, nuk kishte si të linte jashtë urimit faktin që Shqipëria u përzgjodh si destinacioni kryesor turistik në botë për vitin 2011.

“Bukuritë magjepsëse natyrore, thesaret dhe trashëgimia kulturore përrallore e vendit, mikpritja jonë më e njerëzishme dhe zemra jonë bujare, infrastruktura moderne që ndërtuam bënë që Shqipëria të shpallet për vitin 2011 “Miss turizmi në planetin tonë”. Si Shqipëria vend nuk ka”, tha shefi i qeverisë, duke bashkuar urimin e tij me atë të gjithë shqiptarëve për të dashurit e tyre.

Në mbyllje të mesazhit të tij për Vitin e Ri që pritet të trokasë pas më pask se nëntë orësh edhe në kryeqytetin shqiptar, kryeministri Sali Berisha u shpreh: “Uroj arritje të tjera të mëdha në ndërtimin e Shqipërisë europiane. Një vit të ri të bekuar për të ju të gjithë. Zoti e bekoftë Shqipërinë “të bukurën e dheut”, e miqtë tanë kudo në botë”.

mit/NOA
KOMENTE