Tiranë, 31 dhjetor, NOA – Një person ka arritur të grabisë dje një makinë luksoze në qendër të Tiranës. Autori, Kristjan Gani Zhote, 42 vjeç, lindur në Konispol dhe banues në Durrës, nuk është mjaftuar vetëm me grabitjen. Pasi e ka fshehur automjetin, ka marrë në telefon pronarin e tij dhe i kërkonte një sasi parash, 1 mijë euro, për t’ja kthyer sërish atë.
Ngjarja ka ndodhur dje gjatë orëve të natës. Zhote ka arritur që të grabisë automjetin luksoz, të tipit “Nisan Navara”, me targa të huaja, në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë.
Automjeti ka vlerën e rreth 20 mijë eurove. Pronari i makinës ka njoftuar menjëherë policinë për ngjarjen, të cilët janë vënë në lëvizje për gjetjen e grabitësit.
Pas disa telefonatash, nën monitorimin e policisë, pronari i mjetit bie dakord për të bërë shkëmbimin e parave me makinën e tij.
Autori i vjedhjes dhe pronari lënë një vend takimi për të bërë shkëmbimin, dhe pasi 42-vjeçari ka marrë paratë kanë ndërhyrë forcat e policisë. Policia ka shkuar në banesën e 42-vjeçari dhe ka sekuestruar makinën, si dhe shumën prej 1 mijë eurosh që kish kërkuar për shkëmbimin.
a.k/NOA