English

Kartolinë për shqiptarët

“A do të jenë me vitin tjetër, urimet e njëjta për jetën shqiptare? Gjasat janë po, madje pa asnjë hamendësim. Të njëjta. Për pak dritë, për ujë, bukë, për punë dhe elemente themelore jete. Assesi më shumë. Tjerat urime i bëjnë njerëzit e politikës, jo për popullin, por për vete. Si të menaxhojnë më mirë me lirinë e popullit, si ta instrumentalizojnë më mirë atë, pikërisht për qejfet dhe qëllimet e tyre”.

Nga Ndue Ukaj

I kredhur në labirintet e kohës, e cila ikën shpejt, nën qiellin e trazuar ballkanik, ku acari ka ngrirë çdo gjë, kartolina e shqiptarëve, edhe këtë fundvit është e mbushur me shpresa të shumta dhe me mundësi të pakta.

Njeriu i nënqiellit shqiptar, nën ankthet e panumërta, në regjistrin e dëshirave të tij, shënon ato të vjetrat, identiket, ato që janë kalitur dhe bë shenja të ekzistencës së tij. Dëshira për një jetë të lirë, me një mirëqenie solide, është ajo dhembja që e sflit atë, tashmë disa dekada e shekuj. Koha ikën, ndërkaq motmotet ndërrohen, e në jetën shqiptare, ndodhin pak risi pozitive. Ai pret. Pret një Babadimër të transfiguruar në figurë politike, që t’ia rregulloi sadopak jetën e tij, që karakterizohet me mungesa, me pamundësi, më nëpërkëmbje, me dhembje.

Ekziston një prirje veçantë brenda çdo qenia njerëzore, me refuzuar atë që ka. Me kërkua atë që është më e pamundur. Veçse kjo dëshirë zhuritëse e njeriut, e cila është mishëruar në fe, mite e dije të shumta humane, nuk e ka prek akoma shqiptarin. Ai dëshirat i ka të reduktuara në elemente esenciale për jetë, sikur të rronte në një planet tjetër, e jo në Europën e mirëqenies së madhe.

Ai nuk ka ujë, rrymë, përkujdesje shëndetësore, i duhet një punë, çfarëdoqoftë ajo. Atij i duhen këto. Një ekzistencë. Dhe kaq! Ndërsa agonia vazhdon, e dhimbshme, sfiduese, e pashpresë. Kjo agoni e përgjithshme që vazhdon, në këtë fundvit, kur bëhen zakonisht bilancet, duhet me na prek ndërgjegjen e fjetur dhe me kuptuar, ku ndodhemi dhe për më tepër, pse ndodhemi këtu?

Mitet e lashta, na tregojnë se Pandora hapi kutinë e fshehtësisë, edhe pse e parandjeu rrezikun. Ndërkaq Prometheu, për t’i dhurua njeriut liri, u ndëshkua vetë, pranoi flijimin, që t’iu jap njerëzve zjarrin, simbolin e dritës, jetës, urtisë.

Këto shembuj në flasin se kauzat e mëdha, idealet e mëdha, janë ato virtyte që i kanë shoqëruar gjithmonë individët, shoqëritë dhe i kanë cytur drejtë vlerave më sublime, më të pasosura.

Bota jonë shqiptare, është në një botë e vogël kaotike. Prandaj lypset ideale, me organizua këtë kaos të brendshëm, siç thoshin dijetarë shqiptarët e viteve të 30-ta, këtë kaos që është bë tanimë normë shoqërore.

A do të jenë me vitin tjetër, urimet e njëjta për jetën shqiptare? Gjasat janë po, madje pa asnjë hamendësim. Të njëjta. Për pak dritë, për ujë, bukë, për punë dhe elemente themelore jete. Assesi më shumë. Tjerat urime i bëjnë njerëzit e politikës, jo për popullin, por për vete. Si të menaxhojnë më mirë me lirinë e popullit, si ta instrumentalizojnë më mirë atë, pikërisht për qejfet dhe qëllimet e tyre.

Shqiptarët janë tmerrësisht të dekurajuar nga çdo gjë. Ata janë të trazuar, madje, më shumë se para një viti. Ata shajnë, shajnë natë e ditë, nëpër kafe dhe zyre, nëpër vende pune dhe sheshe, çdo gjë dhe çdo kënd. Shajnë politikën. Thonë atë që duhet dhe atë që nuk duhet. Ata shpresat i kanë varur aty ku sorollaten sharlatanë që kanë përkthyer çdo gjë me matematikën e menaxhimit, jo të shtetit, por të popullit të nënshtruar. Aty ku liria është një instrument për fjalë, e jo një mundësi jete.

Kombi shqiptar bashkëjeton me korrupsionin, degradimet dhe, detyrimisht i përjeton, i pranon në heshtje dhe lutet që në vitin tjetër, sadopak, jeta e tij të merr kahe me normale. Këtë lutje e bënë me shekuj e dekada. Dhe në këtë dëshpërim, peripecitë dhe shpresat për diçka më ndryshe, asnjëherë s’i janë shuar. Ai pret. Si askush rreth tij. Ai shpreson, edhe kur e kupton se shpresat e tij janë të ngujuara, aty ku duhet të bëhen zgjidhjet, te politika, e cila verbërisht po e shkatërron këtë komb, tamam ashtu siç thoshte dijetari i madh shqiptar para disa dekadave, Faik Konica.

Gjuha, si tipari i fundamental që përçon mesazhe, si mjeti i vetëm i komunikimit njerëzor, shpreh dhembjet, dëshirat, mallkimet, lutjet, dëshpërimin, zhgënjimin, dekurajimet. Jetën tonë kombëtare, gjuha publike, është ajo që vetëm shpreh dhembjet e pafundme që e karakterizojnë jetën tonë. Janë trishtuese skenat politike shqiptare, ku hyjnë dhe dalin, njerëz që çdo gjë e matin me kutin e interesave farefisnore, grupore, ideologjike, e jo assesi të përgjithshme. Kur dëgjojmë si flasin politikanët tanë, nuk ka sesi mos të trazohet njeriu dhe të pyet, ku jetojmë ne? Kronikat e pafundme flasin se në temperatura minus 12 e më tepër, në gjinekologji s’ka ngrohje, në X pjesën e qytetit me vite nuk ka ujë, në Y rajonin s’ka rrymë. Mjerimi nuk ka brirë. Madje ky mjerimi ynë është më trishtues se i kohës së Migjenit, kur krahasojmë me rrethin ku jetojmë dhe me trendët e zhvillimeve në botë.

Është dimër i acartë, ashtu siç dinë të jenë dimrat ballkanik. Janë aso dimrash të cilët sikur pëlcasin nga dhembjet, të cilat i ngrijnë edhe fjalët më të ngrohta. Ka diçka misterioze në këtë. Ka diçka që ndihmon mendjen me shpjeguar kontekstin tonë shoqëror.

Festat e Krishtlindjeve, janë momentet më madhështore në botën perëndimore, që pasohen nga ndërrimi i motmoteve, me bë bilancet e vitit që iku. Dhe me shpreh urimet më të mira për vitin tjetër.

Çfarë bëjmë dhe ku jemi ne?

Inteligjencia shqiptare, vazhdon të jetë e mjegullt dhe ashtu nëpër atë mjegull, mbetet pjesa më e nëpërkëmbur e kombit tonë. Ajo çuditërisht, i përkund degradimet dhe i pranon, qoftë në heshtje, kur si struci gjen strehe për vetën. Elita kombëtare e ka humbur lirinë dhe e ka shitur atë për ndonjë darkë, shpërblim të vogël, prandaj del të jetë e paaftë me orientua drejtë këtë komb.

E kush është shkaktar për këtë krizë morale dhe sa është e aftë, e guximshme ajo pjesa e ndërgjegjshme e kombit me dal me qëndrime të mençura dhe frytdhënëse kundruall zhvillimeve degraduese që çdo ditë e më tepër, ngjiten në trupin e dërmuar kombëtar? Pikërisht në këtë fundvit, duhet me meditua për këtë. Në të vërtetë, kjo është çështje që kërkon analiza dhe shpjegime të shumëfishta. Mirëpo, na trishton ndërgjegjja e fjetur e një elite të sajuar, e cila sorollatet para këtyre degradimeve dhe klithmave të pafundme.

Thuhet, aty këtu, me të drejtë se elitat janë bërë oborrtarët më të instrumentalizuar të pushteteve tona të degraduar, të pushteteve që ekzistojnë vetëm për vete dhe qejfet e tyre. Prandaj edhe zëri i tyre është i shuar. Është zë i politikës, me ngjyrë, zë i verbuar, që s’sheh jashta ideologjive të caktuara e përcaktimeve farefisnore, klanore, fetare, që po i zënë frymën kësaj shoqërie. Nuk është zë i inteligjencies, i asaj inteligjencie që merr jetë me ndjeshmet e popullit, përcjell shqetësimet e popullit dhe reflekton sensin e përgjegjësisë për fatin e kombit.

Dhe në këtë fund vit, shqiptarët lutën, për një politikë që lukset e saja t’ i ndërlidh me lukset e popullit. Shqiptarët lutën që të organizohet ky kaos dhe vitin tjetër t’mos na trishtojnë dhe tmerrojnë kronikat e pafundme që shfaqin mjerimin tonë. Shqiptarët lutën, për një shtet të gjithëve. Luten që aty ku duhet bëhen zgjidhjet, të mendohet sinqerisht për popull. Dhe përfundimisht, shqiptarët nuk duhet me prit Babadimin që ai t’iu sjell lirinë, mirëqenin dhe demokracinë.

Kartolina shqiptare për Vitin e ri, që vite të tëra, vazhdon të jetë e njëjta dhe me dëshira identike. Instinkti i njeriut është me refuzua këtë.

NOA

KOMENTE