English

Kryepolici i Durrësit flet për atentatin me eksploziv ndaj shtyllës elektrike

Durrës, 31 Dhjetor 2010 NOA – Ngjarja e mbrëmshme ku një shtyllë elektrike u hodh në erë duke lënë në errësirë për orë të tëra disa zona në Tiranë, Durrës dhe gjetkë, ka shtyrë policinë të kryejë hetime duke arritur në përfundimin se ishte një atentat i mirëfilltë me synimin e lënies pa energji të një të katërtës së Shqipërisë.

Lidhur me ngjarjen e rëndë u shoqëruan të paktën dhjetë persona, kurse sot ora 04.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Julian Shota, 27 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Gjithçka ndodhi mbrëmë ku rreth ores 20.00, ne fshatin Bilaj Fushe-Kruje, ku dhe është dëmtuar me lende eksplozive shtylla e tensionit te larte 400 kw.

Struktura Kundër Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë organizuan punën në drejtim të zbardhjes së saj.

Drejtori Policisë Qarkut Durrës, Drejtues Aleks Hajdari i tha agjencisë NOA se lidhur me këtë ngjarje, u krye shoqërimi në polici i disa personave të cilët u pyetën mbi rrethanat e hetimit, si dhe u ushtrua kontroll në disa ambiente.

“Gjatë kontrolleve të kryera, në banesën e shtetasit Julian Shota, i cili dyshohet edhe si autor i mundshëm i ngjarjes, u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, automatik model 56 si dhe 111 copë fishekë të modeleve 56 dhe 54, të cilët mbaheshin pa leje prej tij. Arma e municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, - i tha agjencisë NOA. Drejtori Policisë Qarkut Durrës, Drejtues Aleks Hajdari.

Ai pohoi se po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë.

Kurse materialet proceduriale për veprat penale të shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.

e.r/NOA

KOMENTE