English

Kurti: Negociatat i nevojiten Serbisë, SHBA nuk mund ti kërkojë favore BE-së

Prishtinë, 31 dhjetor, NOA- Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti nëpërmjet një deklarate për mediat theksoi se, negociatat e paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i nevojiten Serbisë dhe aspak Kosovës.

“Serbia nuk dëshiron që të anëtarësohet në NATO, por ajo është e interesuar që të anëtarësohet në BE. Serbia synon që të anëtarësohet sa më parë në BE dhe nga pozita e shtetit anëtar ta kushtëzojë Kosovën prej lart. Nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës shumë kollaj mandej do të mund të avanconte drejt BE-së, natyrisht duke plotësuar kushtet e normat e parapara nga Brukseli. Mirëpo, Serbia nuk do që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur”, shprehet Kurti në fjalën e tij.

Duke vijuar më tej ai thotë se, ndër kriteret kryesore që një vend duhet ta plotësojë për të aderuar në BE është fqinjësia e mirë, por sipas tij Serbia këtë kriter edhe do të mund ta përmbushte në raport me shtetet e tjera me të cilat kufizohet, por jo edhe me Kosovën.

Kurti vijoi vazhdën e akuzave duke thënë se, “SHBA nuk mund të kërkojnë nga BE-ja favore për Kosovën dhe shqiptarët përderisa ne udhëhiqemi nga politikanë e zyrtarë shtetërorë të korruptuar e të diskredituar. BE-ja nuk do të lëshojë pe për kërkesat që e avancojnë Kosovën, përderisa nga këto koncesione do të përfitonte edhe pushteti i korruptuar në Kosovë”.

Në përfundim të fjalës së tij ai tha se, ndërrimi i pushtetit në vitin 2011 shfaqet si kusht i mundësisë për përparim për Kosovën.

a.y/NOA
KOMENTE