English

Mesazhi, Topi: 2011 po troket, politika të ndërgjegjësohet për rolin e saj në integrimin e vendit

Tiranë, 31 dhjetor, NOA – Kur mbeten më pak se 12 orë nga ndërrimi i viteve Presidenti i Republikës Bamir Topi duke i uruar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për një vit të ri edhe më të begatë i ka bërë edhe njëherë thirrje politikës shqiptare që të gjejë rrugën e kompromisit dhe të ndërgjegjësohet për rolin që ka në integrimin e vendit në Europë. Kjo ftesë e presidentit vjen kur mazhoranca dhe opozita ende nuk gjetën kompromis për zgjidhjen e ngërçit politik edhe në fund të vitit kur jepen mesazhe bashkëpunimi. Nga selia e tij në Presidencë, Kreu i shtetit u shpreh se “Duke i uruar vitin e ri, e ftoj klasën politike shqiptare, që të ndërgjegjësohet edhe më shumë për rolin historik që ka ndaj vendit dhe popullit të vet! Le të jetë ky vit që po troket një vit që do të konsolidojë edhe më tej arritjet tona më të mira dhe do të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi dhe integrimi në familjen evropiane”, apeloi Presidenti i vendit.

Zoti Topi nënvizoi se “Besimi tek vetvetja është domosdoshmëri për të përballuar sfidat e vitit që po hymë, dhe shpreh bindjen se shumë prej tyre do të marrin gjatë këtij viti zgjidhje të qëndrueshme.

Në vijim të urimit të tij, kryefjalë për këtë vit ishte edhe arritja historike e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen.

“Viti 2010 ishte një vit i rëndësishëm për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë, është realizimi i ëndrrës së lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Evropë. Heqja e vizave është një ngjarje që do të shkruhet me germa të arta në historinë tonë moderne. Ajo i dha fund një izolimi të pamerituar dhe nxiti integrimin real të qytetarëve shqiptarë në qytetërimin evropian. Ky ndërrim vitesh do të mbahet mend gjatë edhe për këtë fakt. Asnjëherë vëmendja e Evropës ndaj Shqipërisë nuk ka qenë kaq e madhe, e po kaq e madhe edhe dëshira e shqiptarëve për t’u integruar. Le ta vlerësojmë këtë moment dhe ta shndërrojmë atë në një akt vetëdijësimi historik”, vlerësoi Presidenti.

Por, duke qenë se festat e fundvitit janë më së shumti gëzimi i pareshtur i fëmijëve Presidenti Topi u shpreh se “Atmosfera e kësaj mbrëmjeje, e gjen mishërimin e saj më të plotë te sytë e qeshur të fëmijëve. Më shumë se e kujtdo tjetër, kjo është festa e tyre. Dhuratave të prindërve unë dua t’u bashkëngjis urimet e mia më të dashura: qoftë jeta e tyre një jetë e lumtur dhe realizim i ëndrrave të bukura që ata kanë. Ëndrrat e tyre janë standardi që duhet të arrijmë”, nënvizoi kreu i shtetit.

Kryetari i Shtetit i dërgoi një mesazh të veçantë urimi banorëve të përmbytur të Shkodrës, të cilët këtë fund viti po e festojnë ende nën pasojat e përmbytjeve të pashembullta të fillimmuajit dhjetor, duke i garantuar ata se mbështetja e presidentit nuk do t’u mungojë.

“Këtë natë, më shumë se kurrë, ndihem pranë atyre familjeve që u përballën me përmbytjet e këtij muaji. Gjej rastin t’i siguroj ata për vëmendjen dhe mbështetjen time deri sa problemet e tyre të zgjidhen, deri sa pasojat e dëmeve të zvogëlohen”.

Por, Kreu i shtetit nuk ka lënë jashtë vëmemndjes as të moshuarit, jetimët apo personat me aftësi të kufizuara, për të cilët ai tha se “Sonte jam pranë të moshuarve dhe prindërve që e kanë të pamundur të jenë pranë të dashurve të zemrës duke ju uruar bashkim të shpejtë, jam pranë fëmijëve jetimë dhe të braktisur, jam pranë njerëzve me probleme shëndetësore e aftësi të kufizuara si dhe familjeve të tyre, me urimin që Viti i Ri, falë kontributit dhe detyrimit të gjithë secilit, të jetë për ta më i paqtë, më shpresëdhënës, e më i bukur”.

Një urim të veçantë presidenti u bëri edhe Forcave tona të Armatosura, të cilat sipas tij gjithnjë e më tepër janë shfaqur si një fuqi sigurie përgjatë emergjencave civile, ndërsa me kontributin e tyre përkrah aleatëve atje ku sfidat dhe vështirësitë janë të shumta, ata i kanë dhënë nder Shqipërisë, duke dëshmuar se janë rojtarë të denjë të paqes, lirisë e sigurisë, anëtarë të merituar të NATO-s.

“Shumë nga bashkatdhetarët tanë e festojnë këtë natë të bukur në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë, punojnë dhe studiojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh, duke mbetur shqiptarë shembullorë dhe duke e bërë Shqipërinë më evropiane. Ne u themi atyre: Shqipëria tashmë ju pret dhe ju uron nga zemra një Vit të Ri të lumtur’, uroi presidenti emigrantët shqiptarë.

“Është çasti kur me urimet tona më të përzemërta u drejtohemi plot dashuri dhe shpresë njëri-tjetrit dhe si President dhe qytetar i këtij vendi, kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përcjell sonte, urimet e mia më të ngrohta për një Vit të Ri sa më të bukur çdokujt që sonte është mik në tokën shqiptare, apo të gjithë atyre që jetojnë jashtë vendit”, tha presidenti duke uruar edhe çdo familje shqiptare për më shumë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet.

Zoti Topi uroi edhe të gjithë ata punonjës, të policisë, shëndetësisë, gazetarë, të cilët natën e ndërrimit të viteve e kalojnë në krye të detyrës për t’i shërbyer njerëzve. “Kjo natë e bukur dhe e qetë është e tillë falë edhe punës së palodhur të punëtorëve, bujqve, forcave të rendit, personelit mjekësor kudo në vend, mësuesve, pedagogëve, punonjësve të institucioneve të ndryshme, gazetarëve që gjenden në krye të detyrës, shkrimtarëve dhe artistëve, të cilëve bashkë me urimin tim për një Vit të Ri sa më të begatë, u shpreh edhe mirënjohjen për gjithçka bënë me punën e tyre të vyer në shërbim të njerëzve dhe të vendit”, uroi Presidenti Topi.

Në fund të fjalës së tij, presidenti uroi edhe nxënësit e studentët që me energjitë e tyre do ta bëjnë më dinjitoze Shqipërinë evropiane.

Ideali europian ishte edhe lajtmotivi përmbyllës i urimit të Presidentit të Republikës për Vitin e Ri 2011, kur pas liberalizimit të vizave Shqipëria pret më shumë se kurrë të shkojë sa më afër Europës, madje duke u integruar brenda saj.

“Me dëshirat tona më të zjarrta, me energjitë tona më të bashkuara, me inteligjencën, talentin dhe virtytet që na kanë karakterizuar në çdo kohë, le ta fillojmë këtë Vit të Ri me bindjen se ai do të na shpjerë më pranë idealit tonë evropian, idealit të bukur të një shoqërie më të drejtë, më të hapur, më demokratike! Kjo është rruga që të gjithë së bashku kemi zgjedhur”, përmbylli urimin e tij për Vitin e Ri kryetari i shtetit, duke uruar nga mot gëzuar çdo familje shqiptare.

mit/NOA
KOMENTE