English

Zbardhet hedhja në erë e shtyllës elektrike, rrëfehen të ndaluarit: Pse e bëmë atentatin

Tiranë, 31 dhjetor, NOA – Autorët që vendosën eksplozivin në shtyllën e tensionit të lartë, në fshatin Budullë të Fushë-Krujës, kishin menduar që me këtë shpërthim të linin pa energji çerekun e vendit.

Ky detaj është pjesë e dëshmisë që kanë dhënë në polici 10 personat e ndaluar për ngjarjen që solli kolaps në sistemin elektrik të Shqipërisë së Mesme. Burime nga grupi hetimor, i ngritur për këtë çështje, thanë për Agjencinë NOA se, gjatë orëve të natës është bërë shoqërimi dhe marrja në pyetje e 10 personave që mund të kenë lidhje me çështjen.

Të 10 personat e ndaluar janë nga zona e Laçit. Hetimi për ngjarjen e rëndë po bëhen nga strukturat e Drejtorisë së anti Terrorizmit dhe nga Krimet e Rënda. Burime nga grupi i strukturave të policisë që po heton atentatin thanë për Agjencinë e Lajmeve NOA se personat e ndaluar kanë pranuar se qëllimi i tyre ishte që linin pa energji ¼ e Shqipërisë.

Ndërkohë që burime nga Operatori i Sistemit të Transmetimit bëjnë të ditur se ka qenë vetëm një rastësi që energjia nuk është ndërprerë në shumë qytete. Shtylla e tensionit të lartë që u dëmtua dje siguron furnizimin me një sërë qytetesh kryesore.

Lënda eksplozive e vendore në shtyllën e tensionit ka dëmtuar një pjesë të saj duke i dëmtuar bazamentin, por shtylla nuk ka arritur të rrëzohet krejtësisht.

Kjo gjë sipas përfaqësuesve të OST-së ka bërë që linja të mos dëmtohet totalisht duke mos ndërprerë transmetimin e energjisë.

Nisur nga të dhënat e fundit përfaqësues të OST-së deklarojnë se dëmi i shkaktuar nga dëmtimi i shtyllës është minimizuar. Gjatë orëve të natës, por edhe gjatë gjithë ditës së sotme po punohet për normalizimin e situatës në furnizimin me energji elektrike.

Aktualisht janë pa energji disa lagje periferike në kryeqytet, si zona e “Kombinatit”, “21 dhjetori”, të gjitha fshatrat e kësaj pjesë të Tiranës.

Po ashtu probleme ka dhe në Durrës. Në këtë rreth mungon energjia në gjysmën e fshatrave. Probleme ka dhe gjysma Krujës dhe gjysma e Fushë- Krujës. Gjatë kësaj dite është rikthyer energjia në disa zona.

Burime të OST-së sigurojnë se energjia do të kthehet në të gjitha zonat ku u ndërpre si pasojë e shpërthimit.

a.k/NOA

KOMENTE