Mitrovicë, 1 Janar 2011 NOA – Për popullin shqiptar, situata aktuale është shumë e rëndë për të gjitha trojet shqiptare që janë jashtë Shqipërisë administrative, vlerëson Armata për Çlirimin e Trojeve të Okupuara Shqiptare (AÇTOSH).
Kushtrim Mitrovica, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, tha përmes një komunikimi për mediat sot, se AÇTOSH është formuar për çlirimin e të gjitha trojeve të pushtuara shqiptare, të ndodhura nën sundimin serb, sllavo-maqedonas, malazez dhe grek: veriu i Kosovës, Kosova Lindore (Preshevë, Medvegje, Bujanoc), Lugina e Vardarit, trojet nën Malin e Zi (Ulqin, Tivar, Plavë, Guci etj.), Çamëri – Kostur – Konicë – Follorinë.
“Në veçanti, Kosova është e kërcënuar nga formimi i një „Republike Srpska” të re në truallin shqiptar, me anë të „decentralizimit” - formimit të komunave me shumicë serbe, të lidhura në vije horizontale (mes tyre) dhe vertikale (me Beogradin)”, deklaron Mitrovica.
Sipas AÇTOSH, Kosova nuk është as e pavarur, as sovrane. Me bekimin e EULEX-it, Prishtina zyrtare jo vetëm se nuk interesohet për çka ndodhet në Veri të Kosovës, por inkurajon me sjelljen e saj, ndarjen e Kosovës. Ajo lejon pjesëtarët e regjimit kolonial serb të depërtojnë në Kosovë sa herë u dashka qejfin.
“Ne deklarojmë që do të marrim në mbrojtje veriun e Kosovës, duke mos toleruar më bandat kriminale paraushtarake serbe, policët e MUP-it dhe agjentët e shërbimit sekret serb në territorin e Kosovës kreshnike”, thekson AÇTOSH.
Kreu i Shtabit të Përgjithshëm, Kushtrim Mitrovica thotë se “sllavo-grekeve dhe Evropës Plake u bëjmë kështu definitivisht me dije se pazarllëqet në kurriz të Shqiptarëve kanë mbaruar”.
a.b/NOA