Tiranë, 1 Janar 2011 NOA – Është padyshim një ndër personalitetet shqiptare me më shumë energji. Dhe si i tillë nuk i mungojnë batutat që i ka në majë të gjuhës.
Ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në këto orë të para të vitit të ri 2011.
Pasi doli nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë ku së bashku me të shoqen Liri Berisha vizituan sot të porsalindurën e parë Noemin, Kryeministri foli për mediat duke theksuar faktin se fëmija i parë i vitit erdhi në Elbasan dhe duke e lidhur këtë fakt me tunelin që pritet të ndërtohet.
“Ministria e Shëndetësisë më informoi se fëmija më i parë ka lindur në Elbasan. Do ta takoj kur të inauguroj tunelin, së bashku me të do inaugurojmë tunelin”, - tha Berisha.
Dhe e llogaritur në kohë, do të thotë se Berisha do ta takojë Brajën Muçën, djalin që u lind sot në Elbasan, në muajin mars të vitit 2013.
Sepse vetë kryeministri ka premtuar publikisht para pak kohësh se tuneli që ende nuk ka nisur, do të përfundojë së ndërtuari katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 që parashihet të zhvillohen në fillim të verës.
Mbetet të shohim se çdo të ndodhë deri atëherë, nëse Berisha do ta takojë Brajënin kur të bëhet tre vjeç e ca muaj dhe së bashku të përurojnë tunelin e autostradës së re Tiranë-Elbasan.
Duke qëndruar te lindja e Brajënit, Berisha sot tha edhe se: ‘Mbarësi e madhe për Elbasanin”, duke shtuar se “edhe Zoti ka rregullat e veta”.
Në fund, Berisha e ka mbyllur me një urim të ngrohtë: “Të gjithë prindërit e tyre, të gjithë prindërve të Shqipërisë, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të këtij vendi i uroj një vit me shumë gëzime, me shumë mbarësi dhe i uroj që ky të jetë viti më i miri që ata kanë njohur në jetën e tyre”.
e.r/NOA