Tiranë, 1 Janar 2011/ Ilirian Agolli VOA- Autoritetet shqiptare po përgatiten që zgjedhjet vendore të zhvillohen të lira dhe të ndershme kurse në seancën e parë të parlamentit për vitin 2011, deputetët e shumicës do të dorëzojnë imunitetin shtetëror, që të lehtësojnë punën e drejtësisë kundër korrupsionit.
Pohimet i ka bërë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në një intervistë për "Zërin e Amerikës".
{youtube}pVtlgiS70O4{/youtube}
Në këtë intervistë të fundvitit, pyetja e parë është për shqetësimin e parë dhe të fundit të vitit 2010. Qeveria juaj u detyrua nga rrethanat, që të organizojë dy operacione të mëdha emergjence civile për të shpëtuar mijëra familje nga përmbytjet në Shkodër dhe nën-Shkodër, në janar dhe në dhjetor. Sa kushtuan këto operacioneve të shpëtimit dhe sa do të jenë dëmshpërblimet për banorët e Qarkut të Shkodrës?
Është e vërtetë që ky vit ka patur kulmet e veta, por ka patur edhe fatkeqësitë natyrore të veta. Kjo fatkeqësi natyrore e këtij viti ka qenë më e madhja ndoshta në historinë e vendit. Ajo që ka rëndësi të jashtëzakonshme është fakti që, megjithë përmasat e saj, nuk patëm asnjë humbje jetësh njerëzore dhe ka patur shumë fëmijë të lindur. Ka patur shumë urgjenca të ndihmuara. Sot që po dilet prej saj, mund të thuhet se u përballua me suksesin më të madh. Nuk është bërë vlerësimi i dëmeve akoma plotësisht, sepse duhet të çlirohet gjithçka nga uji, por vlerësimi po bëhet dhe kompensimi do të bëhet në përputhje me ligjin e digave, i cili detyron dëmshpërblimet e problematikave të krijuara nën diga.
Nga ana tjetër, me një ekspertizë të shkallës më të lartë europiane dhe botërore ne kemi të gatshme projektet me të cilat do të ketë ndërhyrje të fuqishme në mbrojtjen e qytetit nga liqeni me një bajpas dhe digë prej 14 kilometrash, me ndërhyrje në Bunë, me ndërhyrje tjetër në Vilunë dhe Murtenzë. Pra, projektet janë të gatshme. Sigurisht që janë të kushtueshme; bajpasi vetëm kushton rreth 50 milionë euro dhe të tjerat në kompleks nuk janë më pak, por qeveria është e vendosur që t’i mbajë këto projekte si përparësi madhore për vitin që vjen.
Po flasim për digat dhe menjëherë kujtojmë KESH-in, OSSH-në dhe tani CEZ-in. Cilat janë vlerësimet, sa të kënaqur jeni ju si qeveri nga menaxhimi privat i pasurive energjitike të Shqipërisë në shërbim të qytetarëve? U fol shumë për rritjen e çmimit të energjisë, për investime në rrjetin e shpërndarjes…
Çmimi nuk kishte asnjë arsye që të rritej dhe nuk mund të rritej. Ka përllogaritje dhe nuk dilte asnjë përllogaritje që të rritej çmimi. Mendoj se CEZ ka bërë përpjekje, por ka nevojë të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme menaxhimin. Natyrisht është viti i parë dhe nuk është normale që ta gjykosh performamcën mbi bazën e vitit të parë një kompanie të huaj. Kam besim se do të përmirësojë menaxhimin.
Ju folët për investime të mëdha në Shkodër, ndërkohë që keni premtuar dhe programuar investime të reja në drejtim të Elbasan në tunel i ri, etj, ndërkohë që buxheti dhe ekonomia shqiptare në tërësi sapo kanë nga një investim gjigand në autostradën Durrës - Kukës. Sa e përgatitur është arka e shtetit për të përballuar të tilla investime të reja e të mëdha për vitin e ri?
Një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë është rritja e saj ekonomike. Është e vërtetë që një investim madhor u bë në korridorin e Kombit, por ju garantoj se po kaq euro për euro është investuar në infrastrukturën turistike të vendit, nga Velipoja në Ksamil në tërësi. Ne jemi plotësisht të përgatitur për projektet e mëdha që kemi përpara. Ato që pres me padurim janë autostrada Tiranë-Elbasan, rruga e Arbërit, kompletimi i saj, dhe ecja drejt boshtit të jugut. Ne jemi angazhuar në një seri projektesh të cilat realisht transformojnë në mënyrë rrënjësore infrastrukturën e këtij vendi dhe bëjnë që Shqipëria të ketë një prej rrjeteve rrugore më moderne në Evropë.
Por, ndërkohë, zoti kryeministër, Fondi Monetar Ndërkombëtar ju ka këshilluar që të ulni shpenzimet dhe deficitin e brendshëm…
Por, a e dini sa është deficiti? Shqipëria e mbyll këtë vit me deficit 3,1 për qind, një nga deficitet e pakta në këtë nivel në zonën e euros. Dhe Shqipëria është jashtë zonës së euros. Pra, ne mbajtëm sa e kishim, 59 për qind, dhe zbritëm deficitin nga 4,5 për qind në 3,1 për qind. Kjo shifër në Europë është ekzotike, shumë i rrallë si deficit. Vitin që vjen deficiti është parashikuar 3,5 për qind, dhe borxhi sërish 58-59 për qind. Pra, ne nuk do të rritim borxhin, do të zbatojmë projektet dhe nuk do të rritim ndjeshëm deficitin.
Po me eurobondet?
Sukses i madh i këtij viti kanë qenë eurobondi. Eurobondi ynë u shit më mirë se eurobondi e disa vendeve në zonën e euros dhe se të gjithë vendeve përreth. Pse kjo? Në një kohë kur sistemi ynë bankar dhe në tërësi rating-u nuk është ky, se e kanë më të lartë të tjerët, por besimi është më i madh tek ne, sepse tjetër është letra, tjetër realiteti. Ndaj edhe investitorët patën kënaqësinë që të blejnë eurobondet e qeverisë shqiptare.
Folëm për bursat e Europës, dhe tani një pyetje për marrëdhëniet politike të Shqipërisë me Europën. Këtë vit u hoqën vizat tremujore për shtetasit shqiptarë, por menjëherë erdhi edhe një Opinion që shtyu kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Cili është komenti juaj dhe pritshmëria juaj për vitin 2011 në këtë fushë?
Heqja e vizave ka qenë premtimi i jetës time. Kurrë në jetën time, për nga natyra, nuk kam premtuar gjëra që nuk janë 100 për qind në duart e mia. Vizat ishin një premtim i tillë. U bë gjithçka, u investua në çdo gjë dhe u fituan vizat në mënyrë të merituar. Kjo është një arritje jetësore historike, më e madhja për liritë dhe të drejtat për Shqipërinë dhe shqiptarët pas rënies së perdes së hekurt. Tani çështja e statusit është një çështje më e gjerë. Nëse lexoni me kujdes raportin e Komisionit Europian, ky raport është në tërësi më pozitiv për Shqipërinë se sa për çdo vend tjetër të rajonit sa i takon reformave. Natyrish ka problemin e pretendimeve të opozitës ndaj komisioneve. Qeveria, duke bërë çdo lëshim ndaj opozitës, mbetet e vendosur që çdo gjë të bëhet në respekt të plotë të ligjeve dhe kushtetutës. Ju e keni ndjekur seancën e fundit në parlament. Unë personalisht e konsideroj një tragji-komedi të vërtetë qëndrimin e fundit të opozitës aty. Ajo u tha shqiptarëve dhe botës se kërkon hetim pa fakte. Dhe kur unë në seancën e parafundit u kërkova të dilej nga çdo lloj mundësie të hetimit pa fakte - një shoqëri e lirë nuk mund të imagjinojë një gjë tillë - zotërinjtë ndërruan fjalën “hetim” me fjalën “kontroll”, sepse në këtë mënyrë menduan se mund të shmangin faktet. Pra, çfarë ka në këtë qëndrim? Ka një vendosmëri për të respektuar tërësisht opozitën, ka një vendosmëri për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve nga një agresion shumë i turpshëm dhe i pamerituar që bëhet ndaj saj. Prokuroria e Shkodrës dhe verdiktin me kërkesë të aleatëve të zotit Rama ku në mijëra e mijëra vota të numëruara dhe të rinumëruara doli se gabimi ishte vetëm një votë. Plus minus një është gabimi më minimal që mund të ekzistojë. Kjo do të thotë që Shqipëria me metodikën e saj të numërimit ka një kontribut real në zgjedhjet në botë. Kudo dëgjohen debate dhe diskutime të thekshme për numërimin dhe vlerësimin. Në çdo vend. Besoj se kjo metodë e filmimit, fotografimit, projektimit në mur dhe transmetimit në kohë reale të votës në KQZ është absolutisht më e sakta që mund të bëhet.
Ju vlerësuat shumë teknologjinë e numërimit. Si sot jemi 3 muaj para zgjedhjeve vendore, duke hequr edhe një muaj fushatë. Si i parashikoni këto zgjedhje nga ana politike, jo nga ana numerike, as nga ana financiare?
Detyra ime si qeveri është që të krijoj çdo kusht që qytetarët shqiptarë të votojë të lirë. qeveria e faktoi këtë në zgjedhjet e kaluara. U ndala tek numërimi, sepse për një vit rresht kryetari I opozitës shqipëroi me qindra e mijëra herë fjalën rinumërim tan thotë që nuk e kam thënë. Pra, nuk ka dyshim se numërimi është një nga çastet më thelbësore të procesit të votimit.
Ju pyeta për zgjedhjet vendore nga pikëpamja e atmosferës parazgjedhore. Çfarë do të bëni që atmosfera parazgjedhore të jetë e lirë e qetë dhe qytetarët të votojnë pa asnjë presion apo kushtëzim?
Do të ketë një atmosferë të qetë, të lirë dhe zgjedhje të ndershme, ku qytetarët të zgjedhin lirisht kandidatët absolutisht me të gjitha kushtet. Se çfarë bën opozita, ajo nuk është detyra e qeverisë. Detyra e qeverisë është që të krijojë çdo kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. A… Nëse dikush thotë që të rrënojmë një palë zgjedhje për të bërë një palë zgjedhje të tjera, atëherë kjo është e pamundshme.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë ju ishit shumë konkret në një propozim të ri për të dorëzuar imunitetin e politikanëve të maxhorancës. Kur do të konkretizohet kjo? Sepse ju e dini që korrupsioni është një problem i madh dhe shfaqet në perceptimet e shumë qytetarëve shqiptarë…
Ky propozim do të konkretizohet qysh në ditën e parë të parlamentit. Ditën e parë të parlamentit ne do të dorëzojmë deklaratat individuale të gjithë imunitarëve dhe do të ndryshojmë rregulloren. Nëqoftëse opozita e pranon një gjë të tillë, rregullorja e parlamentit do të përcaktojë që “për deputetin që ka bërë deklaratë individuale se kufizon imunitetin e tij për çështje të krimit të zakonshëm dhe të korrupsionit, parlamenti nuk shqyrton kërkesë nga prokuroria, por prokuroria vepron automatikisht me hetimet”.
Në rast se opozita bie dakord me këtë deklaratë, e përshëndes. Më mbetet t’i them, le t’i bashkojmë votat dhe le të ndryshojmë edhe ligjin, sepse Komisioni i Venecias ka deklaruar që për ligjin e kufizimit të imunitetit duhet të ketë 3/5 e votave. Dhe mund të them se komisioni i Vencesias ka patur të drejtë, sepse kemi të bëjmë me një ligj institucionesh. Shpresoj shumë që edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë të njëjtën gjë me trupën gjykuese. Prokurorët e kanë të hequr me ligj. Kështu i japim vendit një zhvillim shumë pozitiv.
Është folur shumë këto vite për reforma në drejtësi, për një mbështetje më të madhe hetimit dhe prokurorisë e gjykatave. Por përveç investimeve në ndërtesat e gjykatave, ende nuk është parë një reformë integrale në sistemin e drejtësisë. Çfarë mendoni të bëni këtë vit për të shtuar autonominë financiare të sistemit gjyqësor dhe për të mbështetur ata në luftë ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit?
Në Shqipëri flitet shumë për drejtësi dhe në kritikat që bëhen gjithmonë substancë dhe të drejtë. Por, është e gabuar të injorosh progresin real që sistemi i drejtësisë ka bërë në Shqipëri në dy drejtime. Në katër vjet popullata e burgjeve është dyfishuar dhe nëse ky sistem drejtësie do të ishte kaq i korruptuar, kjo nuk mund të ndodhte. Sepse korrupsioni godet para të gjithash vendimin gjyqësor. Së dyti, e kam deklaruar kur kam qenë në opozitë - dhe kur pushteti i atëhershëm më ka akuzuar politikisht me një shishe plastike për krime kundër njerëzimit - e deklaroj edhe sot se ka një meritë drejtësia shqiptare; është më pak politike se sa vetë drejtësia e disa vendeve të tjera me traditë shumë më të hershme lirie se sa shqiptarët. Kjo është një e vërtetë dhe unë ua njoh gjyqtarëve. Pra, kanë probleme. Dhe sigurisht që ka probleme transparence, në emërime etj, por që të gjitha këto do të zgjidhen gjatë vitit që vjen. Unë kam besim të plotë se K.L.D. do të ndërmarrë hapat e veta dhe e shoh se ka iniciuar disa të tilla së bashku me EURALIUS-in që lidhen me transparencën e procedurave të gjyqtarëve. Qeveria është e gatshme të japë çdo mbështetje këtij sistemi për punën e paanshme.
Prokuroria ka hapur një kapitull të ri shumë të rëndësishëm që lidhet me penalizimin e korrupsionit. Nuk ka ekzistuar përpara. Vetëm këtë vit janë penalizuar 140 zyrtarë të rangjeve të ndryshme për korrupsion. Kritika ime ka qenë asimetrizmi. Jo që duhet të frenohet, por përkundrazi. I kam bërë dhe i bëj thirrje të mbajë qëndrimin më të rreptë dhe ligjor ndaj administratës shtetërore. Por fakti që kjo prokurori nuk hapi 400 e ca dosje të zyrtarëve të majtë qoftë edhe një të vetme, në një kohë kur ajo periudhë i përkiste Shqipërisë dhe sistemit të korrupsionit, kjo nuk dëshmon se ka dalë jashtë politike.
Cili është mesazhi juaj kryesor për vitin e ri 2001?
Një përshëndetje shumë e përzemërt. Viti që lamë prapa ishte një nga vitet më të mirë në historinë e shqiptarëve. Ishte viti kur shqiptarët fituan lirinë e lëvizjes së lirë në Europë. Ishte viti kur ekonomia e tyre qëndroi në krye të rritjes ekonomike në Europë. Ishte viti kur edhe dje CNN - një nga rrjetet kryesorë të botës e përmendi Shqipërinë si një nga destinacionet kryesore turistike në vitin e ardhshëm. Dhe kjo përbën për çdo shqiptar një krenari të vërtetë. Unë mendoj se ky vit, megjithë vështirësitë që ne kemi, i ka bërë shqiptarët më krenarë, më të vendosur më të kthjellët më besimplotë tek një e ardhme që e meritojnë.
Fund