Kryeministri viziton të porsalindurën e parë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë
Tiranë, 1 Janar 2011 NOA – Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha vizituan sot të porsalindurin e parë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë për vitin 2011.
Berisha pasi u interesua për shëndetin e nënës dhe të fëmijës i uroi familjes dhe fëmijës së parë të lindur në këtë maternitet jetë të gjatë, mbarësi dhe shëndet.
Mbas vizitës së zhvilluar kryeministri Berisha u shpreh për mediat se në traditën e tij takimin e parë e bën me një të sapolindur dhe shtoi:
“Noemi ishte një vajzë e mrekullueshme, një bukuroshe e vogël me të cilën Shqipëria do të krenohet. E ëma e saj ishte shumë mirë, shumë e gëzuar për Noemin dhe së bashku me Lilin i uruam shumë gëzime, shëndet, mbarësi familjes”.
“Por nuk ka mbarësi më të madhe në këtë botë, - vijoi kryeministri, - sesa një çift i ri që nis vitin, minutën e parë me një fëmijë”.
“Ndaj dhe edhe fakti që unë e bëj të përvitshëm këtë takim, sepse mendoj dhe nuk gjej asgjë tjetër që simbolizon më shumë mbarësinë sesa i sapolinduri, fëmija. Ky është një rast për të uruar, së pari të gjithë ata që lindën në agun apo në Vitin e Ri”, - përfundoi Berisha.
e.r/NOA