English

Festimet e Vitit të Ri në Kosovë, 6 të plagosur nga armët e 7 nga fishekzjarrët

Prishtinë, 1 Janar 2011 NOA – Në Kosovë, për festat e fund vitit janë raportuar disa incidente dhe lëndime trupore si pasojë e përdorimit jo adekuat të mjeteve piroteknike si dhe si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit.

Në total është raportuar për 13 persona të lënduar nga mjetet piroteknike dhe gjashtë nga armët e zjarrit, i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare nga Policia e Kosovës.

Ajo që bie në sy është plagosja e 6 personave nga plumbat qorr. Më e rrezikshme paraqitet gjendja në Prizren te një fëmijë 12 vjeçar i cili ka pësuar lëndime të rënda në kokë nga një plumb qorr.

Policia tha sot se kishte përgatitur plan operativ për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke detajuar se qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi ishte ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimin dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve kriminale, masa të shtuara në trafikun rrugor, etj.

Gjithsesi, incidente pati, por ato nuk erdhën nga mungesa e masave policore por kryesisht nga mania për të përdorur mjete plasëse në orët festive.

Gjilan, te rruga 11 marsi-Viti, është djegur shitorja e mjeteve piroteknike “Ec me kohën", dhe një grua shqiptare ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Kurse në Kamenicë si pasojë e fishekzjarrëve është djegur një objekt me ushqim të kafshëve pronë e një shqiptari.

Po në Gjilan, një burrë shqiptar ka njoftuar se është djegur tarraca e banesës së tij, si pasojë e mjeteve piroteknike të plasura gjatë festimeve.

Prizren te shati Romajë-Has janë lënduar me mjete piroteknike një çift shqiptarësh, ndërsa te rruga e Nashecit në Prizren dy shqiptarë të tjerë janë lënduar me mjete piroteknike.

Po në Prizren një fëmijë 12 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda në kokë nga një plumb qorr.

Sakaq në fshatin Brezne në Dragash si pasojë e fishekzjarrëve është djegur një objekt me ushqim të kafshëve pronë e një mashkulli k/Shqiptar.

Policia raportoi se edhe në rrugën Besim Shala në Prizren ka pasur tjetër incident ku një shqiptar është lënduar me mjete piroteknike.

Në Mitrovicë në fshatin Kopiliq të komunës Skenderaj një shqiptar është plagosur dhe ngjarja dyshohet se ka ardhur nga një plumb qorr.

Po ashtu në Skenderaj një tjetër shqiptar është plagosur nga plumbi qorr.

Incident i ngjashëm ka ndodhur edhe në Pejë ku në fshatin Rudicë, komuna Klinë një shqiptar tjetër është plagosur, dyshohet që edhe ai nga plumbi qorr.

Sakaq në Ferizaj - një fëmijë 7 vjeç ka pësuar lëndime në këmbë. Edhe në këtë rast, policia tha se dyshohet se plagosja është shkaktuar nga një plumb qorr.

Rast të ngjashëm kemi edhe në Rrugën Rexhep Gjeli në Prishtinë ku një e re shqiptare ka pësuar lëndime te lehta trupore nga një plumb qorr.

Nga incidentet e tjera, raportohen edhe në fshatin Mirosalë, si dhe në Pleshinë, Lloshkobare, Greme, janë plagosur nga fishekzjarrët, katër të rinj shqiptarë.

Edhe në Ferizaj janë lënduar me mjete piroteknike një vajzë dhe një djalë, që të dy shqiptarë të Kosovës.

Raportime të tjera për lëndime nga fishekzjarrët pati sot edhe në Shtime, si dhe në Sllatinë e Vitisë ku janë lënduar dy persona.

Një femër, po ashtu shqiptare, është lënduar në fshatin Lubizhdë.

a.b/NOA

KOMENTE