English

Gëzuar Vitin e Ri, një urim nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 1 Janar 2011 NOA - Lëvizja VETËVENDOSJE! të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, ua uron Vitin e Ri.

Përmes një mesazhi shpërndarë në media, Lëvizja VETËVENDOSJE! thotë se Kosova deri sot ka kaluar shumë ndërrime motmotesh. Por secili vit i ri ka qenë po aq i vjetër sa të mëparshmit.

Njerëzit kanë festuar për shkak të traditës, por gjithmonë me pasigurinë e të nesërmes, dhe plot halle në kokë, - vëren Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ajo veçon se për çdo vit të ri njerëzit kanë shpresuar për jetë me mirëqenie dhe shtet më të drejtë. Por çdo vit i ri i ka sjellë me vete problemet e moçme.

Kurse konstaton se viti i ri nuk i ka lënë prapa varfërinë, papunësinë, keqshkollimin, shëndetësinë e rrënuar, ndarjen.

Nga ana tjetër shpreh urimin që viti i ri 2011 le të jetë jo veç vit i shpresave por, mbi të gjitha, vit i bashkimit në përpjekje.

Kurse në fund bën thirrje: ‘Për një Kosovë pa hajni e korrupsion. Për një Kosovë të fortë; për shtet të së drejtës e sovranitetit; për shoqëri të mirëqenies e dinjitetit”.

a.b/NOA

KOMENTE