Kiev, Ukrainë, 1 Janar 2011 NOA – Në minutat e para të Vitit të Ri 2011, ndërsa shumë të tjerë festonin, disa syresh në një qytet të Ukrainës po merreshin me një mision tjetër, të shkatërronin shtatoren e Stalinit.
Ngjarja ndodhi në oborrin e selisë së Partisë Komuniste në qytetin juglindor Zaporizhia të Ukrainës, ku shtatorja e vendosur atje, është shkatërruar natën e Vitit të Ri me materiale shpërthyese.
Ndërtesa e partisë ka pësuar dëme serioze, por nuk është raportuar për viktima. Kjo shtatore ishte dëmtuar edhe javën e kaluar nga një shpërthim, për të cilin përgjegjësinë e kishte marrë grupi nacionalist ukrainas, Tryzub, i cili e kishte denoncuar Stalinin si “ekzekutuesin e popullit të Ukrainës dhe se ishte terrorist ndërkombëtar”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Komuniste e cila tha se shkatërrimi i shtatores së Josif Visarionoviç Stalinit është akt terrorist i mirëfilltë.
e.r/NOA