English

Improvizimet në politikë dhe mashtrimet në praktikë

Në shtetet eksperimentale ku shtetet që prodhojnë politikanë cilësorë e eksportojnë mallin të quajtur demokraci politikanët mbijnë brenda natës, nga askushi bëhen politikanë, ministra, deputetë, këshilltarë politikë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndonëse nuk kanë përgatitje profesionale as për të qenë bartës të valixheve të politikanëve të vërtetë

Nga Behxhet Sh. Shala

Lufta e xhuxhave në arenën e gladiatorëve: Pritjet e qytetarëve të Kosovës se viti që po e lëmë pas do të jetë më i mirë ishin të mëdha sepse edhe premtimet ishin gjithashtu të mëdha. Politikanët, si lloj i veçantë i një shoqërie( jo vetëm në Kosovë ndonëse duhet pranuar se në Kosovë janë pak më të veçantë) nuk hezitojnë nëse bëjnë premtime të cilat pastaj nuk i realizojnë, për arsye objektive apo subjektive. Ama e kanë një përparësi se pastaj aspak nuk skuqen për mospërmbushjen e premtimeve. Prandaj, edhe janë të veçantë. Në shtetet e konsoliduara, pavarësisht nëse janë apo nuk janë demokratike politikanët nuk mbijnë brenda natës por shkollohen, formohen dhe profesionalizohen me vite të tëra andaj bëhen gladiatorë të vërtetë në skenën politike botërore. Në shtetet eksperimentale ku shtetet që prodhojnë politikanë cilësorë e eksportojnë mallin të quajtur demokraci politikanët mbijnë brenda natës, nga askushi bëhen politikanë, ministra, deputetë, këshilltarë politikë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndonëse nuk kanë përgatitje profesionale as për të qenë bartës të valixheve të politikanëve të vërtetë. Janë xhuxha politik dhe as që vërehen në arenën e gladiatorëve të politikës botërore. Këta politikanë kryesisht zbatojnë urdhëra të bosëve të tyre ndërkombëtarë ndonëse i angazhojnë si këshilltarë politik e të cilët në fakt janë eminenca gri e çdo zhvillimi politik në këto shtete eksperimentale. Pa ta nuk bëhet asgjë dhe as që mund të paramendohet ekzistenca e këtij shteti. Dikund quhen Banana Republikë, dikund Pasul Republikë , dikund shtet i dështuar etj. Emërtimi mund edhe të ndryshojë por përmbajtja mbetet e njëjtë, shtete jonfuksionale dhe të varura nga “shkencëtarët” politik që janë përgjegjës për disejnimin e krijesave të quajtura shtete. Ka shumë shtete të tilla në Afrikë, në Amerikën Qendrore dhe të Jugut ndërsa në Ballkan shtet tipik i modeluar sipas këtyre standardeve është krijesa e Dejtonit, Bosnja dhe Hercegovina. Është një shtet që përbëhet prej tri shteteve të cilat janë më të forta se vet shteti në fjalë. Duket se edhe Kosovës i kanë përcaktuar të njëjtin fat por këtu do të jenë dy shtete, ai i Serbisë i cili do të jetë i pranishëm në Kosovë përmes entitetit serb dhe pjesa tjetër, ajo me kosovarë i cili do të administrohet nga mafia ndërkombëtare dhe do të kushtëzohet nga Serbia. Këto gjëra do të bëhen të “ qarta” pas bisedimeve “teknike” midis Beogradit dhe Prishtinës ( jo midis Serbisë dhe Kosovës). Entiteti serb që do të dalë pas këtyre bisedimeve, nuk ka rëndësi se si do të quhet sepse emërtimi do të jetë vërtetë çështje teknike, pa asnjë dyshim se do të përligj lidhjet me Beogradin duke i relativizuar lidhjet me Prishtinën. Duket paksa apokaliptike por xhuxhat politik na kanë sjellë në këtë situatë nga e cila mund të na shpëtojnë vetëm gladiatorët e vërtetë politikë. Të tillë ka në Kosovë por janë të margjinalizuar dhe nuk i përdorin bërrylat për t’u shndërruar në xhuxha. Gladiatorë politik ka edhe në mesin e serbëve të Serbisë dhe të Kosovës dhe ata mund dhe duhet të ndihmojnë që Serbia, nga vendi i krimit të bëhet vend i paqes. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë dhe vet serbëve sepse, duke e luftuar veten e tyre, të keqen përbrenda saj do ta sillte lirinë për Serbinë dhe serbët dhe do ta qetësonte këtë pjesë të Ballkanit. Kjo vlen edhe për shqiptarët. Ndryshe, do të fillonim nga e para.

Partitë politike apo strehimoret e xhuxhave: Në Republikën e Kosovës janë mbi dyzet strehimore ku strehohen xhuxhat politik, kush më xhuxha të vegjël e kush pak më të mëdhenj, të quajtura parti politike. Ka strehimore për xhuxha me vetëm një xhuxh te dera e që e ka shpallur veten si kryexhuxh apo kryetar partie. Ka të tilla me shumë xhuxha dhe pak xhuxhesha. Ama xhuxhesha që i kanë futur xhuxhat në birën prej 300 groshësh. Si Lulezeza e Moamer el Gadafit. Në shtetet ku gladiatorët politikë janë në krye, nuk ka nevojë për më shumë se 2-4 parti. Prandaj, edhe janë shtete në kuptimin e plotë të fjalës. Në Republikën tonë xhuxhat politik e kanë një vend ku bëhen edhe më xhuxha se xhuxhat. Te kryegladiatori politik i vendosur në një bregore nga shihet si në pëllëmbë të dorës qyteti që ofron strehim për pjesën më të madhe të xhuxhave tonë. Aty u merret goja , nuk bëzajnë fare dhe kanë të drejtë vetëm në lëvizje të kokës që nënkupton miratimin e çdo kërkese të kryegladiatorit politik. Definitivisht, xhuxhat mbesin xhuxha.

Dështimi i vitit : Emri Fatmir është emër shqiptar e që ka përmbajtje dhe porosi. Mirëpo, gjithashtu na mëson se nuk ndodhë gjithmonë ashtu. Në rastin konkret u bë Fatkeq, që gjithashtu ka përmbajtje dhe porosi. Fatmir Sejdiu, ish presidenti i Kosovës i cili u bë president me urdhër të ish kryegladiatores mendoi se me një hokus-pokus prej magjistari, nga xhuxhi politik do të bëhet gladiator politik. E shkeli Kushtetutën e vendit me të dyja këmbët. Me pëlqimin në heshtje të gladiatorëve politik. U rrëmbye nga ndjenja e madhështisë në shtetin e xhuxhave. Deshi të bëhej diçka që nuk ishte në të vërtetë dhe që nuk mund të bëhej kurrë. Xhuxhmaxhuxhët i shpallte hero të Kosovës ndërsa gladiatorët e shqiptarisë dhe trimërisë i zëvendësonte me hoxhallarë të xhamisë. Kur i thanë se më as xhuxh nuk mund të jetë, vetëm sa nuk i futi flakën Kosovës në ndërkohë që strehimores së tij politike ( LDK ) i pati futur flakën më parë. I tërhoqi nga Qeveria krejt xhuxhat e tij, duke i lënë pa punë dhe pa bukë të gojës, në prag të festave të Bajramit. Për këtë veprim ka hyrë në histori sepse nuk rast të ngjashëm në botë ku ministrat, zëvendësministrat dhe zyrtarët e tjerë të kësaj kryexhuxhate i lëshojnë vendet e tyre të punës në këtë mënyrë. Dhe vet ia mbathi në vendin e kryegladiatorit, shtetas i së cilit paska qenë një kohë të gjatë. Kosovën, shtetin e xhuxhave e paska pasur atdhe të dytë. Përfundimish, Fatmir Sejdiu ka hyrë në histori me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës dhe deri sa të ketë kosovarë, Kosovë dhe Kushtetutë ai do të përmendet si presidenti i parë që e ka shkelur Kushtetutën dhe që i ka braktisë institucionet. Është shembull tipik që e vërteton thënien se :” për një plesht e kall jorganin” duke i lënë të tjerët ( qytetarët e Kosovës të ngrijnë nga të ftohtët). Prandaj, nuk e duan as në partinë e tij. Prandaj, ish institucionalistët nga kjo parti të cilët i la “ në rrugë të madhe” e kujtojnë me ankth. Në fakt, nuk duan ta kujtojnë fare.

Improvizimi i vitit: Emri Hashim nuk është emër shqiptar. Prandaj nuk ka as përmbajtje e as porosi. Nuk ka as kuptim. Por e mbanë një pozitë të fuqishme në shtetin e xhuxhave. Është kryetar i Qeverisë së xhuxhave, disa të ikur e disa tjerë të braktisur. Sa i përket taktikës së mbajtjes dhe të ushtruarit të pushtetit është virtuoz i vërtetë. Është mjeshtër i lëvizjeve taktike, zhvendosjes së problemeve dhe improvizues i papërsëritshëm. Madje, as Hudini, magjistari ndoshta më i madh i të gjitha kohërave do të dukej amator diletant para tij. Kjo i ka siguruar mbijetesën politike dhe fizike, që nga koha kur gjykatat serbe e kanë dënuar në mungesë për aktivitete armiqësore ndaj Serbisë, deri më sot. Ka mbijetuar luftën, Konferencën e Rambujesë, të qenit opozitë, bisedimet e Vjenës, sulmet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Madje, edhe mocionin e porositur për rrëzimin e qeverisë të cilin e ka ekzekutuar aktivi i 15 i nëndegës së 35 të PDK-së e maskuar si parti opozitare me akronimin AKR. Pa asnjë dyshim do ta mbijetojë edhe aktakuzën që i ka ngritur pallavraxhiu nr.1 i Këshillit të Evropës i maskuar si raportues për të drejtat e njeriut, Dik Marti. E mori një infuzion nga miqtë ndërkombëtarë se “miqtë” vendorë do t’i bënin gropën deri në ferr. Mirëpo, si çdo tregim që duhet ta ketë një fund, edhe Hashimi duhet ta ketë një fund. Hashimin mund ta rrëzoi vetëm Hashimi dhe askush tjetër. Dhe kështu do të ndodhë. Hashimi e ka kontaminuar mjedisin politik ku vepron duke grumbulluar rreth vetës titistë të dëshmuar, jugosllavë të përbetuar, minues të pavarësisë, kundërshtarë të demokracisë, llaskucë të shoqërisë civile, biznesmenë të “ gazetarisë” , me një fjalë llumin e shoqërisë. Prandaj , këta që i përmenda më lartë e që tani po shiten më Hashim se vet Hashimi do ta rrëzojnë për toke. Por, pasi t’i kenë nisur dhe stabilizuar bisedimet” teknike” me Serbinë. Nuk jam edhe shumë i sigurt se do të kenë ymër t’i përfundojnë ato.

Mashtrimi i vitit:

Se zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë qenë të rregullta, demokratike dhe të pamanipuluara. Se në këto zgjedhje nuk ka pasur vjedhje të votave por gabime teknike.

Se Kosova është vërtet shtet i pavarur dhe sovran.

Se bisedimet me Srbinë do të jenë teknike.

Se veriu i Kosovës nuk do të ketë autonomi territoriale.

Se konsulli i nderit i Maldiveve dhe Lulezeza e Gadafit kanë shkuar në Xhamahirinë e Libisë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës.

Se raporti i mashtruesit Dik Martit për” klinikat” për transplantimin e organeve të serbëve të rrëmbyer në Shqipër nga “ kirurgët “ e ish – UÇK-së me “kryekirurgun” Hashim Thaçi është i vërtetë.

Se ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, ndryshe kryepersonazhi nga romani i Koelhos “ Shtriga e Portobellos” i ka dërguar letër dashurie Hashim Thaçit.

Se Kosova ka përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave.

Se EULEX-i do ta luftoi krimin e organizuar.

Se AKR ka qenë parti opozitare.

Se AAK nuk do të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm.

Se “ VETËVENDOSJA” është parti sllave.

Se Lulezeza e Gadafit i donë, respekton dhe çmon të dy ibrahimat.

Se ekipi “ lobues” në Libi e ka kënduar këngën “ Final Countdoën” e jo Xhamadani vija, vija.

Se duart bëhen të pastërta vetëm pasi të jenë larë me ujë të Dragodanit.

Se ata që e pranuan autonominë nën Serbinë, mund ta qeverisin Kosovën dhe mbrojnë pavarësinë.

Mozaiku politik i vitit 2011 : Sipas PDK-së, kohë më parë janë zhvilluar bisedimet me AKR-në që të jetë partner koalicioni për formimin e Qeverisë së re. Sipas AKR-së, përmes pronarit të saj Behgjet Pacolli, nuk ka pasur kurrfarë bisedimesh por ka qenë takim i rastit në restorantin “ Rings” dhe me këtë rast vetëm e kanë pirë një kafe të mëngjesit me ç’rast kanë biseduar për seksualitetin e Dik Martit. Duhet pranuar se tema paska qenë shumë serioze dhe e rëndësishme për ardhmërinë e Kosovës si shtet i pavarur, sovran, demokratik, multietnik, anemik dhe kibernetik. Asnjëra palë nuk ka treguar se kush ka paguar llogaritë e këtij takim. Nëse vërtet jetësohet ky koalicion e kam shumë të qartë se kush do t’i paguaj llogaritë në të ardhmën. Besoj shumë se edhe ju e keni të qartë, lexues të nderuar. Ky koalicion, sipas bindjes sime është i paqëndrueshëm dhe i bënë dëm demokracisë në Kosovë. Aq më parë kur e kemi parasysh “fuqinë” e AKR-së me 7.1% të votave( 7 subjekte politike pjesë të koalicionit Kosova e Re x 1% të votave bëjnë 7% ) dhe gatishmërinë e pakicës serbe që” angazhohet” për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës atëherë nuk është shumë vështirë të përcaktohet jetëgjatësia e këtij partneriteti. Personalisht nuk pajtohem që Behgjet Pacolli të jetë president i Kosovës mirëpo faktet flasin kundër qëndrimit tim. Dihet se Behgjet Pacolli tërë pasurinë e tij e ka shkrirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës madje në këtë kontekst nuk duhet as ta përmendim Hasan Prishtinën. Presidenti i ardhshëm ( i mundshëm) i Kosovës e ka ndihmuar shumë luftën e UÇK-së madje për këtë arsye ka bërë fjalë me Milosheviqin dhe Jelcinin, Putinin dhe Gagarinin, Lavrovin dhe Solzhenicinin, Gadafin dhe Idi Aminin dhe shumë të tjerë që kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës. Është principiel, rrezaton me konstruktivitet dhe është në konkordancë të plotë me botën demokratike në përgjithësi dhe Kazakistanin dhe Libinë në veçanti. Është gazetar, kronist dhe analist në medie të shkruara. Është altruist dhe humanist si dhe mecenë e gazetarisë servile. Është i fjalës kur përfiton materialisht dhe asgjë nuk i kushton kur të varfërit i përkrah moralisht. Prandaj, po dorëzohem definitivisht duke pranuar këtë improvizim politik dhe mashtrim praktik. Krejt një fund, një urim të sinqert për lexuesit e rregullt që më kanë lexuar në vitin 2010 dhe që ka mundësi reale të realizohet në vitin 2011. Pra, po e huazoj titullin e një shkrimi tim të vitit 2010 që po e përdor si urim: “ Një anlfabet, për President.”. Uroj, megjithatë të mos bëhet kështu.

KOMENTE