English

Rreh gruan dhe të bijën, ndërsa shtroheshin për festën e Vitit të Ri

Gjakovë, 1 Janar 2011 NOA – Nënë e bijë ishin duke u përgatitur gjatë gjithë ditës për të festuar në darkë. Dhe si çdo familje, po merreshin me gatitjet e tryezës festive.

E ndërkohë prisnin burrin e shtëpisë që t’u jepte dhe ai një dorë e më tej të festonin së bashku.

Por për familjen shqiptare në rrugën “Fehmi Agani” në qytetin e Gjakovës, nuk paska qenë e thënë të shkonte kështu.

Në vigjilje të Vitit të Ri, ka plasur një sherr dhe burri i shtëpisë i është vërsulur të shoqes duke e rrahur paq.

Pasi i ka dhënë kështu gruas “dhuratën” e Vitit të Ri, nuk ka lënë pa “shpërblyer” as të bijën, duke e rrahur dhe atë me sa fuqi kishte.

Të tmerruara nga skenat dhe dhimbjet fizike që përballuan, nënë e bijë të pambrojtura kërkuan ndihmën e policisë.

Kjo e fundit mbërriti një banesën ku kish plasur dhuna në familje dhe kreu arrestimin e kryefamiljarit të dhunshëm.

Policia i tha agjencisë NOA se i dyshuari që ka keqtrajtuar dhe ka rrahur gruan dhe vajzën e tij është arrestuar dhe me vendim të prokurorit u dërgua në paraburgim.

Kështu nata festive përfundoi hidhur për këtë familje: Burri i shtëpisë u mbyll në burg ndërsa të gjithë festonin, ndërsa nënë e bijë, të traumatizuara dhe ende të shokuara, u dërguan nga policia e Gjakovës, në qendrën e strehimit për familjet e dhunuara.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE