English

Zbulohen 25 klandestinë në Otranto, hetimi: Skemë e re e skafistëve shqiptarë

Otranto - Leçe, 1 janar 2011 NOA/ Rid Bulku – Zbulimi që u bë në prag të vitit të ri 2011 ku 25 klandestinë u gjetën të endeshin në detin e akullt në brigjet italiane, të prirë nga dy skafistë shqiptarë, ka krijuar një shqetësim të ri për autoritetet italiane.

Ata po i frikësohen shumë skemës së re që po përdorin skafistët shqiptarë të cilët po “peshkojnë” klandestinë nga Irani, Afganistani dhe gjetkë, pasi shqiptarët në më të shumtën e tyre nuk e kanë më të nevojshme të ndërmarrin udhëtimet e frikshme me skafe pasi vizat janë hequr.

Me arrestimin e dy skafistëve, policia italiane thotë se është e shqetësuar për këtë lojë të re të shqiptarëve pasi dyndja mund të jetë e madhe dhe përmasat që mund të marrë mund të bëhen sërish si dikur, problematike.

Për vetë faktin se kurdët, iranianët dhe afganët hyjnë lirisht në Shqipëri dhe për më tepër ata janë një kontingjent i mirëfilltë klandestiniteti, autoritetet italiane pohojnë se do të rifillojnë një kontroll më të rreptë në brigjeve shqiptaro-italiane, sidomos në kanalin e Otrantos ku edhe kaluan 25 klandestinët e para disa orëve.

Ndërkohë, në Shqipëri Parlamenti me kërkesë të qeverisë së kryeministrit Berisha shty edhe për tre vjet të tjerë moratoriumin antiskaf që nuk lejon qarkullimin në det të mjeteve me fuqi motorike të afta për të lëvizur ilegalisht jashtë ujërave detare shqiptare.

***

Zbulimi i 25 klandestinëve u bë në vigjilje të Vitit të Ri pasi një gomone është nisur nga dy djem të rinj shqiptarë dhe ka arritur të mbërrijë deri në brigjet italiane me 25 klandestinë. Gomonia drejtohej nga 2 skafistë shqiptarë kurse personat në bord ishin burra, gra dhe fëmijë, që të gjithë iranianë dhe afganë.

Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime zyrtare të policisë italiane. Ato treguan se në brigjet pranë plazhit të Santa Maria Leuca në lokalitetin Ciolo në Leçe, u bë zbulimi i gomones plot me klandestinë.

Natën pak para se të mbërrinte viti i ri.

Policia konfirmoi se ka arrestuar dy skafistët shqiptarë. Gjithashtu u sekuestrua gomonia me dy motorë me nga 300 kuaj fuqi secili.

Kurse 25 klandestinët u dërguan në “Don Tonino Bello” një qendër strehimi në Otranto, për t’u dhënë ndihmën e parë. Mes tyre kishte disa fëmijë.

j.m/e.r/NOA

KOMENTE