Gjilan, 2 Janar 2011 NOA – Makina nuk po i ndizej kur donte t’i hipte dhe të dilte për të festuar në ditën e parë të Vitit të Ri dhe kur e pa se s’po ia dilte dot, u nxeh aq shumë sa i vuri flakën në mes të bulevardit.
Ngjarja e rrallë ka ndodhur pas mesnatës në Bulevardin e Pavarësisë në qendër të qytetit Gjilan, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ka qenë një i ri, shqiptar i Kosovës i cili, në shenjë pakënaqësi për shkak se nuk ka mundur ta ndezë veturën e tij të cilën e kishte të parkuar në qendër te qytetit ka hedhur një shishe me benzinë mbi veturë duke i dhënë flakën.
Burime zyrtare policore, i thanë agjencisë NOA se nuk raportohet për të lënduar por vetëm për dëme materiale. Njësitet e zjarrfikësve kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe kanë bërë lokalizimin e zjarrit.
Policia tha se i dyshuari nuk është intervistuar pasi u konstatua të ishte nen ndikimin e alkoolit, ndaj rasti është nën hetim në gjendje të lirë për “hakmarrësin” ndaj makinës së vet.
a.b/NOA