Nga "Washington
Post"
Uashingtoni dhe kryeqendrat tjera perëndimore hyjnë në një gjumë gjysmë-dimëror
gjatë sezonit festiv, duke qenë se shumë zyrtarë nisin pushimet pak më herët.
Një gjë e këtillë e bën më të përshtatshëm ambientin për regjimet autokrate që
të ndërmarrin veprime në këtë periudhë të vitit, me përshtypjen se pak njerëz
do t’i vërejnë të bëmat e këtyre regjimeve.
Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar Afganistanin gjatë periudhës së festave më
1979. Edhe Kina, pikërisht në ditën e Krishtlindjeve të vitit të kaluar, kishte
dënuar Liu Xhiabon, fituesin e Çmimit Nobel për Paqe 2010, me 11 vjet heqje
lirie.
Edhe periudha e këtij viti ka qenë e mbushur me veprime provokative, për të
cilat autokratët shpresojnë se do të kalojnë pa u vërejtur. Dënimi i orkestruar
i manjatit rus dhe disidentit Mikhail Khodorkovskit ka qenë i paraparë të
shqiptohet më 15 dhjetor, por u shty për disa ditë, në përpjekje, siç kanë
thënë disa, për t’i shmangur ndërlikimet në ratifikimin e marrëveshjes START
nga ana e Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Por, kjo është vetëm një nga arsyet. Të afërm të të dënuarit kanë thënë se
shtyrjet e gjykimit janë bërë në përpjekje për të shmangur vëmendjen e
opinionit, marrë parasysh interesimin e madh për këtë rast.
Në Bjellorusinë fqinje, regjimi i Aleksandër Lukashenkos ka zbatuar fushatën më
të dhunshme kundër opozitarëve demokratikë në Evropë, që prej trazirave në
Poloni më 1981. Duke e cilësuar këtë banditëri si “një ditë të jashtëzakonshme
për demokracinë”, Hugo Çavez nga Venezuela shfrytëzoi periudhën e festave për
të shtrirë kontrollin e tij të rreptë mbi Internetin, telekomunikacionin dhe
organizatat joqeveritare.
Autokratët e shohin të nevojshme t’i mbulojnë masat e tyre represive me petkun
e festave dhe kjo nënkupton se atyre u intereson reagimi ndërkombëtar,
pikërisht nga frika se nga këto reagime mund të trimërohen oponentët vendorë
për të sfiduar autoritetin e tyre.
Rasti i Khodorkovskit padyshim i ka mundësuar Vladimir Putinit të dëshmojë se
është ai që mban pushtetin e vërtetë në Rusi, e jo presidenti Dmitri Medvedev,
i cili ka tërhequr vërejtjen se është kundër nihilizmit.
Paralajmërimi i Lukashenkos në Bjellorusi se nuk do të lejojë më “lojëra
demokratike”, ka qenë në fakt pranim se ka frikë nga ekspozimi poshtërues, të
cilin mund ta përjetonte në raundin e dytë zgjedhor.
Mbështetja në rënie për Çavezin e Venezuelës është demonstruar në shtatorin e
kaluar, kur ai humbi votat në zgjedhjet parlamentare. Ai tani i ka dhënë vetes
pushtet të ri, me të cilin i lejohet të anashkalojë Parlamentin.
Autokratët që shfrytëzojnë sezonin e festave për të forcuar edhe më shumë
pushtetin që kanë, duhet të marrin një mesazh të qartë për Vitin e Ri, se janë
vërtet në vëzhgim dhe abuzimet që ndërmarrin do të përballen me përgjigje
vendimtare.