English

Papa shpall një samit për paqen në botë

Vatikan, 2 janar 2011 NOA - Papa Benedikti i 16-të shpalli sot se ai ka vendosur të organizojë një samit të udhëheqësve botërorë fetarë për të diskutuar se si ata të promovojnë paqen në botë. Takimi do të zhvillohet në tetor në Asisi dhe në vendlindjen e shën Fransisit.

Ky eveniment që mbahet më 25 tetor do të shënojë edhe 25 vjetorin e një evenimenti të ngjashëm të organizuar nga Papa Gjon Pali. Në atë takimi morën pjesë myslimanë edhe hebrenjë.

Papa Benedikti e njoftoi këtë samit gjatë fjalimit të tij me rastin e viti të ri.

Vetëm pak orë pas sulmit jashtë Kishës ortodokse në Aleksandri, ku u vranë më shumë se 20 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë, Papa Benedikti denoncoi dhunën në rritje ndaj të krishterëve në shumë pjesë të botës.

"Njerëzimi nuk duhet të mësohet me dhunën dhe konfliktet që krijojnë viktima dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve," tha Papa.

Ai u bëri thirrje të krishterëve që përballeshin me intolerancë fetare që të mos i hapnin rrugë dekurajimit.

Kisha romano-katolike e feston ditën e Paqes në Botë, më 1 janar dhe Papa e përqendroi vëmendjen e tij në një seri sulmesh ndaj të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, komenton BBC.

Ditën e Krishtlindjeve, gjashtë vetë humbën jetën gjatë sulmeve mbi kishat në Nigeri.

Nëntorin e kaluar, 52 pengje dhe policë humbën jetën kur policia u përpoq të lironte 100 persona që mbaheshin peng nga militantë të armatosur në një katedrale katolike në Bagdad.

Vatikani ka frikë se kombinuar me kufizime të shumta dhe të vazhdueshme, presioni që ndjejnë komunitetet e krishtera në Lindjen e Mesme, vendlindja e besimit të krishterë, do të bëjë që të shtohet eksodi i tyre.

Kjo gjë do të bëjë që komunitetet e krishtera, në të ashtuquajtur tokën e shenjtë, të kenë gradualisht një prani shumë të vogël.

KOMENTE