English

Pas 30 vjetësh, sivjet kryhet regjistrimi i popullsisë

Prishtinë, 2 Janar 2011 NOA – Kanë kaluar mëse 30 vjet që kur në Kosovë është kryer regjistrimi i popullsisë dhe dihet se atëherë është bërë nën tutelën e okupatorit serb.

Këtë vit që sapo hyri, për herë të parë do të bëhet regjistrimi i popullsisë në Republikën e Kosovës si shtet i lirë, i pavarur dhe i mëvetësuar.

Ministrja në detyrë e Administratës Publike, Edita Tahiri, thotë se Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në pranverën e këtij viti dhe për këtë ka marrë sinjalin e gjelbër nga Operacioni Ndërkombëtar për Monitorimin e Regjistrimit të Popullsisë (IMO).

Ajo sqaron se regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave do të bëhet nga 1-15 prill të vitit 2011, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ndonëse regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë 30 vjet më parë vlerësimet aktuale për numrin e shtetasve të Kosovës janë të ndryshme nga ato të raportuara dikur.

Ekspertët thonë se të paktën 2.7 milionë banorë të Kosovës, shumica dërrmuese shqiptarë, përbëjnë Republikën e Kosovës. Ndër ta, vlerësohet se gjysmë milioni jetojnë jashtë vendit si pasojë e emigrimit në vite.

a.b/NOA

KOMENTE