English

Për herë të parë një grua qeveris Brazilin

Brazilia, 2 Janar 2011 - Në Brazil ka marrë udhëheqjen e vendit dhe qeverisë për herë të parë një grua, Dilma Rousseff. Politikania 63 vjeçare zyrtarisht ditën e shtunë bëri betimin në kryeqytetin Brasilia si presidente.

Ajo tashmë është pasardhësja e presidentit në detyrë Luiz Inacio Lula da Silva, i cili pas dy mandateve në këtë post nuk mund të kandidonte më.

Në fjalën e saj të parë Rousseff premtoi që qeveria e saj do të ketë prioritet kryesor luftimin e varfërisë.

Si pika të tjera të rëndësishme ajo përmendi përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe arsimin, si dhe mbrojtjen e mjedisit, evidenton DW.

Gjatë mandatit të saj si presidente, në Brazil do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2014 dhe Lojërat Olimpike dy vjet më pas në 2016 në Rio de Janeiro.

Rousseff kishte fituar bindshëm më 31 tetor në balotazh kundër kandidatit të opozitës Jose Serra.

KOMENTE