Tiranë, 2 Janar 2011 - Dita e parë e vitit 2011 në Tiranë është shoqëruar dhe nga një aksident automobilistik. Përplasja me pasojë vdekjen ka ndodhur në qendër të kryeqytetit, rreth orës 20.00 të mbrëmjes së të shtunës.
Një automjet ka goditur për vdekje një të moshuar 63 vjeçare, ndërkohë që ka mbetur i plagosur bashkëshorti i saj.
Viktima ishte duke kaluar rrugën në momentin kur makina e ka goditur, duke e lënë gruan e moshuar të vdekur në vend, pa patur kohë për shoqërimin e saj për në spital. Bashkëshorti i saj është plagosur rëndë, dhe është transportuar për në spitalin Nënë Tereza ku ndodhet në rrezik për jetën, raporton tv Klan.
Drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmitarëve, faji ishte i drejtuesit të automjetit, që po lëvizte me shpejtësi.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë bërë dhe ekspertizën përkatëse, duke u vënë në ndjekje të autorit të aksidentit.