Nga Behxhet Sh. Shala
Ku ka shqiptarë, ka edhe gomarë e sidomos në Himarë: Duket paksa i rëndë ky nëntitull mirëpo është shumë i vërtetë. Në fakt, gomarët na u kanë gjetur në ditët më të vështira për kombin sidomos në anën tjetër të kufirit, në “nënën” Shqipëri. Kanë shërbyer si mjet transporti, makineri pune dhe atraksion turistik, kohëve të fundit. Po kjo ishte e kaluara jonë e lavdishme ku në “nënën” Shqipëri sundonte Nëna Parti.
Shtrohet pyetja nëse sot kemi nevojë për këtë lloj kafshësh kur shkenca ka përparuar aq shumë dhe kur shkeljen e të drejtave të tyre ( abuzimi me orarin e tyre të punës ) i mbron një artiste me renome botërore siç është Brizhit Bardo.
Përshkrimi i këtij lloji ishte vetëm hyrje për t’i pasqyruar raportet midis politikanëve shqiptarë, në të gjitha trojet etnike dhe multietnike. 1. Shqipëria dhe shqiptarët:Po e filloj nga “nëna” Shqipëri.
Nuk mbahet mend, prej rënies së diktaturës komuniste dhe vendosjes së diktaturës “ demokratike” të ketë pasur raporte normale midis pozitës dhe opozitës pavarësisht kush ka qenë në pushtet.
Në fakt, edhe pozita ( demokratët) por edhe opozita (socialistët me patericat e tyre) e kanë një trung gjenealogjik politik, diktatorin Enver Hoxha prandaj e kanë pasur shumë të vështirë të mësohen me rregullat demokratike të politikës. Ndonëse janë thirrur në vlera demokratike dhe fjalën demokraci e kanë përdorur më shumë se oksigjenin, veprimet e tyre praktike kanë qenë shumë jodemokratike.
Duhet ta kemi parasysh se çfarë fjalori përdoret në Kuvendin e Shqipërisë dhe të bindeni në ate që e them. Gjithashtu, duhet të jam i sinqertë dhe ta pranoj se Fatos Nano ka qenë politikan më i arsyeshëm se që është sot Edvin Rama. Edvin Rama e ka promovuar jotolerancën dhe dhunën politike verbale në Kuvendin e Shqipërisë.
I ka ngritë tensionet edhe kur nuk ka pasur fare nevojë të bëjë këtë. As Sali Berisha nuk është fort më i mirë se kryebashkiaku i Tiranës. Mirëpo e la një vepër monumentale të cilën socialistët, në me krye Erion Braçen donin ta rrënonin, Autostradën e Kombit e cila është vet aorta e bashkimit kombëtar.
Telenovela për hapjen e kutive të votimit ende nuk ka përfunduar ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Edhe pse që të dy e kuptojnë gjuhën shqipe, madje duhet ta kenë edhe gjuhë amtare, buburrecat e politikës shqiptare , Rama dhe Berisha, me ndërmjetësim ose më mirë ta them detyrim ndërkombëtarë u detyruan të takohen në restorantin Krokodili në një shtet të huaj duke bërë përpjekje që në gjuhën angleze të arrijnë një marrëveshje. Çfarë turpi
2. Ilirida dhe “tradhëtarët”: Nuk duhet të jesh aspak njohës i mirë i zhvillimeve politike në Maqedoni dhe ta kuptosh se raportet midis partive politike shqiptare ose , të jam më i saktë midis liderëve të tyre nuk është më një mosdurim kapricioz por ka kaluar në armiqësi të pariparueshme të cilën nuk do ta zgjidhë dot as Kanuni i Lekë Dukagjinit. Nuk po i pranojnë ndërmjetësuesit që flasin shqip.
Me maqedonasit po merren vesh shumë lehtë, sidomos rreth ndarjes së pushtetit. Se çfarë akuza i bëjnë njëri-tjetrit është e tepërt të mendohet e lëre më të bisedohet për to. Po del se UDB-ja jugosllave e paska pasur një linjë të veçantë të buxhetit të shtetit për financim të informatorëve shqiptarë të cilët pastaj e kanë udhëhequr luftën e UÇK-së në Maqedoni dhe se tash janë liderë politik të shqiptarëve në këtë ish republikë jugosllave.
Për çdo ditë po hapen dosjet “origjinale” dhe të falsifikuara për Dajën – Ujak, Ibrin- Ibar dhe dosje me emërtime tjera përmes të cilave dëshmohet aktiviteti prej denoncuesve dhe spiujve në dëm të interesit kombëtar të udhëheqësve më të lartë të BDI-së, partisë shqiptare që është pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni. Që paradoksi të jetë edhe më i madh, këto dosje po bëhen publike nga partitë, gjithashtu shqiptare që janë në opozitë ose aty diku afër. Më shumë po bëhen publike këto dosje se sa që po botohen libra në gjuhën shqipe apo edhe gazeta në këtë gjuhë.
Pastaj, po demantohen nga “ekspertët” e grafologjisë të nacionalitetit maqedonas të cilët vetëm po i fërkojnë duart me budallallëkun e shqiptarëve. Në këtë mënyrë trajtohej më parë edhe Arbër Xhaferi.
Duket se nuk mbeti shqiptar në Maqedoni që nuk u përbaltë me akuzën se paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit serb, jugosllav, maqedonas, bullgar apo grek. Tingëllom si banale mirëpo nuk më ka rënë të dëgjoj se ndonjë shqiptar i Maqedonisë akuzohet ose i bëhen dosjet publike sepse ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shqipërisë.
3. Mali i Zi dhe “faqebardhët”: Edhe në Mal të Zi e kemi këtë ndarje, në rrymën patriotike – kombëtare dhe krahun që i paska shitur interesat politike dhe kombëtare Gjukanoviqit, Njegoshit të Malit të Zi. Ndikimi i Prishtinës në këtë ridisajnim politiko- patriotiko-folklorik është determinues.
4. Lugina dhe “lugetëritë”: Lugina e Preshevës, ndonëse jeton nën një turbulencë të vazhdueshme të dhunës së politikës dhe xhandarmerisë serbe gjithashtu është e ndarë në dy rryma, ajo “tradhëtare” që udhëhiqet nga Riza Halimi sepse qenka pjesë e institucioneve të Serbisë dhe krahu ushtarak që e ka bërë luftën dhe ka udhëhequr UÇPMB e që domosdoshmërisht lë të kuptohet se qenka krahu patriotik dhe gardian i vlerave kombëtare. Objektivisht, nuk është e vërtetë, as e para e as e dyta.
Nëse faji është gjithmonë jetim, e vërteta në këtë rast është dikund në mes. Edhe këtu politika e Prishtinës dhe e Tiranës i ka ngatërruar krejt kokrrat.
5. Kosova dhe kosovarët: Edhe në Kosovë, sikur në të gjitha rajonet ku jetojnë shqiptarët përdoret retorikë e ngjashme diskualifikuese, denoncuese dhe përjashtuese. E keni shumë gabim nëse mendoni se të qenit kosovarë nënkupton edhe një fjalor më të zbutur. Përkundrazi. Duket se me që ende nuk jemi formuar ( sinqerisht uroj që të mos formohemi asnjëherë) si komb kosovar, dukshëm ka ndikuar në ashpërsimi e gjuhës dhe përdorimit të saj, pa përdorur fare frena, qoftë edhe të atyre moral . Para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 12 dhjetorit, gjuhën “ me muskuj” e ka përdorur vetëm Alenca për Ardhmërinë e Kosovës.
Që të jetë habia edhe më e madhe këtë gjuhë e ka përdorur kryesisht pjesa burrërore e kësaj partie, femrat e AAK-së. Gjatë fushatës parazgjedhore dhunën verbale e ka promovuar dhe forcuar Florin Krasniqi, “ pullazgjiu” nga Amerika, anëtar i “ Vetëvendosjes”i cili, në vend të një oferte apo programi politik, ekonomik dhe social përmes medieve ka deklaruar se:” ka ardhë në Kosovë për ta larguar nga skena politike bandën kriminale të Hashim Thaçit dhe SHIK-un e Kadri Veselit”.
Gjithashtu, Adem Demaçin e vendosë në muze të së kaluarës duke ia mohuar të tashmën dhe të ardhmen sa i përket kontributit të tij politik dhe kombëtar. Gjykojeni vet lexues të nderuar, pavarësisht cilës parti politike i takoni, përkrahni apo e simpatizoni. Pastaj, brenda PDK-së për një çast u ringjall Maço Lakrori dhe komplet Politbiroja e Partisë së Punës së Shqipërisë duke e bërë një reagim shumë të ulët, të pamoralshëm, denoncues kundër Florin Krasniqit.
Ky reagim nuk kishte të bëjë fare me aktivitetin politik të z. Krasniqi por ishte një denoncim i jetës së tij private, familjes së tij etj. Thënë në shqipen kosovarçe, ishte një goditje e panevojshme e vlerave morale të familjes shqiptare që është ruajtur me fanatizëm ndër shekuj. Kjo i dha një përparësi Florin Krasniqit si dhe i siguroi një të drejtë morale për të mbrojtur nderin e nëpërkëmbur të familjes së tij.
Qëndrimet dhe lufta politike si dhe gara elektorale këtu e humbi çdo kuptim. Fjalori i njerëzve kyç të përfshirë në fushatë u kriminalizua skajshmërisht. Fjala hajn, vjedhje dhe kriminel e humbi kuptimin e saj pezhorativ dhe, sa më larg shkonte fushata këto fjalë e merrnin kuptimin e virtytit.
Edhe kryeministri i Kosovës e forcoi fjalorin kryesisht kundër “ Vetëvendosjes” sikur që edhe këta të fundit nuk kanë asnjë masë kur flasin për kryeministrin dhe partinë që ai e drejton. Rasti i fundit kur kryetari i OVLUÇK-së e akuzon Albin Kurtin për kinse bashkëpunim me ushtrinë dhe policinë serbe përkatësisht me vëllezërit Daciq është diçka që mendja e shëndoshë nuk e kapë dhe nuk mund ta pranojë. Edhe imagjinata më e shëmtuar nuk do të ishte në gjendje të ndërtojë këso trillime.
Albin Kurti, bashkëpunëtor i sigurimit serb....A jeni normal, o njerëz???.... A mendoni se të gjithë jemi të marrë a??.. Ma gjeni një njeri , qoftë edhe serb i sigurimit se beson në këtë trillim dhe shpifje. Ndaleni këtë mënyrë të komunikimit. Mos u bëni edhe më tutje turpi i botës.
Nëse edhe më tutje veproni në këtë mënyrë të komunikoni duke e zbatuar taktikën e korbave (nxjerrjen e syve) atëherë nuk keni as të drejtën më të vogël morale ta kritikoni dhe sulmoni raportin e Dik Martit i cili është paguar ta shkruaj atë raport kundërnjerëzor dhe kundërshqiptar. Po ju, pse e bëni këtë??.
Po e përfundoj këtë shkrim për raportet ndërshqiptare dhe ndërkosovare duke e shkëputur një pjesë të një balade të mrekullueshme shqiptare :” O ju korba që më ngani, sytë e zezë ju mos m’i hani…” Kjo vlenë sidomos për korbat politikë shqiptarë dhe kosovarë.
Dhe krejt në fund dhe në vend të urimit për Vitin e Ri për lexuesit e gazetës Infopress po e citoj një titull nga e përditshmja e gazetteës Koha Ditore të dates 28 dhjetor 2010. në ballinën e kësaj të së përditshme është një deklaratë e ministrit në largim për Ekonomi dhe Financa , Ahmet Shala :” Mafia e veriut “ më e fortë se ne. Urime megjithatë. Edhe për sinqeritet.