Nga Heather Maher, Jeremy Bransten
Ndërsa ekonomia botërore e vazhdon përpëlitjen, korrespondentët e radios Evropa e Lirë, Heather Maher dhe Jeremy Bransten, biseduan me ekonomistë të njohur për të parë se çfarë mund të sjellë viti 2011.
Sajmon Xhonson (Simon Johnson), ish-kryeshef
në Fondin Monetar Ndërkombëtar, është profesor në Institutin e Teknologjisë në
Masaçusets. Allan Melcer (Allan Meltzer), profesor i ekonomisë politike në
Universitetin Karnegi Mellon, është historian i njohur i Rezervave Federale.
Roxher Botëll (Roger Bootle), ish-këshilltar i qeverive britanike dhe autor i
librit “Paratë për asgjë”, është njeriu, i cili e parashikoi krizën aktuale
financiare.
Sajmon Xhonson mendon se ekonomitë më të mëdha globale nuk do të rimëkëmben
lehtë dhe parashikon kriza të reja.
“Nuk besoj që do të ketë recesion dyshifror, i cili nënkupton tkurrje të
prodhimtarisë, por mendoj se ekonomia evropiane do të trazohet. Mendoj se do të
ketë edhe një krizë tjetër, ndoshta në pranverë, dhe kjo do ta ngadalësojë
ekonominë botërore. Pra, nuk do të ketë rimëkëmbje, ndërsa papunësia do të jetë
problemi kryesor në botë”, thotë Sajmon.
Por, çfarë mendon Roxher Botëll, a do të ketë rimëkëmbje apo recesion të
dyfishtë?
Allan Melcer është optimist i matur. Por, cili është vlerësimi i tij, a po del
ekonomia globale nga kriza, po stagnon apo po rikthehet në zonën e rrezikshme?
“Mendoj se po ec përpara, të paktën sigurisht në Evropë dhe në SHBA, ku ishin
zonat më të goditura, por në SHBA ritmi është më i ngadaltë. Nuk mund të presim
që papunësia të ndryshojë shpejt, sepse një pjesë e madhe e vendeve të punës që
humbën, kanë të bëjnë me ndërtimtarinë. Rimëkëmbja do të jetë e ngadalshme
përderisa një pjesë e madhe e shtëpive mbeten të pashitura në treg”, shprehet
Melcer.
Ndër problemet më shqetësuese vazhdon të mbetet stabiliteti i eurozonës. Sajmon
Xhonson mendon se valat e krizave në eurozonë mund të përsëriten dhe qetësimin
e sheh pas pesë vjetësh.
“Mendoj se eurozona do të mbijetojë, por dyshoj se do ta ketë përbërjen
aktuale. Tash janë 16 dhe do të bëhen 17 vende kur Estonia të bashkohet në
janar. Dyshoj se mund të vazhdojë me politikat e nxjerrjes nga kriza të vendeve
të zhytura në telashe”.
“Sipas mendimit tim, do të ketë ndryshime të mëdha në strukturën dhe operimin e
eurozonës, por besoj se do të ketë një bërthamë që do të mbijetojë. Gjatë vitit
të ardhshëm do të ketë valë krizash dhe përpjekje për të reformuar eurozonën,
por pas pesë vjetësh besoj se do të dalë një eurozonë e gjallë dhe e
shëndoshë”, thotë Xhonson.
Po çfarë janë vlerësimet e Roxher Botëll, njeriut që parashikoi krizën aktuale
financiare?
“Nuk mendoj se euroja do të mbijetojë në formën aktuale. Por, do të isha i
befasuar nëse të paktën një vend nuk do ta braktiste eurozonën. Kjo mund t’i
bëjë punët edhe më dramatike. Mendoj se kriza financiare nuk do të ndalet dhe
vendet do të vazhdojnë me problemet e buxhetit. Ka edhe mundësi që euroja të
ndahet në euro veriore dhe jugore, por që të ndodhë kjo duhet revolucion në
mendimin politik të Gjermanisë”, thekson Xhonson.
As Allan Melcer nuk është shumë optimist për ekonominë e vendeve të eurozonës.
“Nuk mund të shoh se si vendet si Greqia do të mund të shmangin ristrukturimin
e borxhit të tyre. Ndihma e realizuar përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe
Bashkimit Evropian, që tërhoqi aq shumë vëmendje, nuk ka zgjidhur shumë
probleme reale, por vetëm i ka shtyrë. Ato që kanë shumë borxhe, e kanë
vështirë, prandaj herët apo vonë do të duhet të ristrukturohen. Por, ka dhe
vende tjera që mund të jenë në pozitë të ngjashme”, thotë Melcer.
Sa i përket dollarit amerikan, Melcer, Xhonson dhe Botëll parashikojnë se valuta
e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë me tendencën e rënies. Por, në muajt e
parë të vitit 2011 presin rritje të vlerës së dollarit për shkak të dobësimit
të euros, si pasojë e problemeve në Spanjë, Itali apo Portugali.