English

Të gjithë presidentët e Kosovastanit

Edhe pa rezultate të certifikuara dihet se Hashim Thaçi do të jetë kryeministër i ardhshëm ndërsa partia fituese do ta japë edhe kryeparlamentarin e Kosovës. Aktualisht mbetet e paqartë se kush do të bëhet president i Kosovës

Nga Behxhet Sh. Shala

Kush është pjesë e bastores, mund t’i gëzohet fitores: Zgjedhjet e 12 dhjetorit të organizuara sipas parimit të Ali Babës dhe 40 hajdutëve ( vetëm kaq a?.) përfunduan me faqe të zezë.

Miqtë ndërkombëtarë na uruan për organizimin e zgjedhjeve të para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke identifikuar disa probleme apo lëshime të vogla të natyrës teknike siç i cilësuan ata ,”vjedhje industriale të votave”.

Këto lëshime të vogla teknike rezultuan me rivotim në tri komuna të Kosovës , ndryshe bastione të PDK –së ( Skënderaj dhe Drenas ) dhe në Deçan ( bastion i AAK-së) si dhe në disa vendvotime në Malishevë dhe Lipjan.

Dhe me rinumërimin e votave në 400 vendvotime. Duket se pas kësaj do të jenë disa ndryshime të rezultateve përfundimtare të cilat megjithatë nuk do të ndikojnë shumë në renditjen e subjekteve politike.

Mund edhe të bie pak përqindja e votave të PDK-së apo rritje e votave të disa subjekteve tjera politike por fitorja e partisë së Hashim Thaçit nuk do të diskutohet fare. Nëse ka fat, partia e Nexhat Dacit mund t’i përafrohet pragut apo edhe ta kalojë atë.

Edhe pa rezultate të certifikuara dihet se Hashim Thaçi do të jetë kryeministër i ardhshëm ndërsa partia fituese do ta japë edhe kryeparlamentarin e Kosovës. Aktualisht mbetet e paqartë se kush do të bëhet president i Kosovës.

Interesimi për këtë post është i kahmotshëm dhe është identifikuar personi që gjakon me çdo kusht të bëhet president i Kosovastanit. Para se të shkruaj për kandidatët e mundshëm për president e ndiej për detyrim t’i përgjigjem një mikut tim se pse pati arsye PDK të vjedhë vota në Skënderaj dhe Drenas dhe po ashtu pse AAK e bëri të njëjtën “vepër” në Deçan ku do të fitonin me lehtësi?. Përgjigja ime, ndonëse mund ta kem gabim është se votat u “rentuan” për këto aryse:

Për të siguruar vota për kuadro që i duhen partisë ( prurje të reja ) dhe janë njerëz të besueshëm të lidershipit. Këto vota kryesisht sigurohen për anëtarë të rinjë të ardhur nga komunat ku ata nuk do të siguronin më shumë se 30-50 vota.

Dihet se me 30 vota nuk mund të bëhesh deputet nëse nuk je pjesëtar i popullit qiellor, atij serb pra. Prandaj, në Skënderaj, Drenas dhe Deçan këta kandidatë kanë fituar më shumë se 10.000 vota ndonëse nuk i do askush dhe nuk i njeh askush.

Për t’u bërë deputetë individë të inkriminuar me shpresë se do të fitojnë imunitet nga ndjekja ligjore. Për pasojë, do ta kemi Kuvendin bindshëm më të kriminalizuar në rajon dhe do të garojmë për Kuvendin më të inkriminuar më gjerë.

Për të siguruar kalimin e pragut zgjedhor për subjektet satelite të cilat pastaj do t’i përdornin për një përdorim.

Për të vazhduar zbatimin e strategjisë “ ekonomike” të tipit Sanader siç janë privatizimi ilegal, tenderët dhe vjedhjet tjera.

Për t’i eliminuar konkurrentët në politikë dhe biznes, kryesisht nga radhët e të njëjtit subjekt politik dhe në fund,

Për t’i ndërtuar kornizat për koalicionet e mundshme.

Kështu i shoh unë gjërat, miku im. Tash, me pak fjalë për kandidatët e mundshëm për president të Kosovastanit.

Behgjet Pacolli është pronar i AKR, deri dje nëndegë e PDK-së. Tash, bashkë me disa subjekte të tjera politike ka ndërtuar një koalicion të tipit të kooperativave i quajtur Alenca për Kosovë të Re duke aluduar se Kosova e vjetër e pati. Është jashtëzakonisht i afërt me Hashim Thaçin ndonëse nuk ka asnjë lidhje familjare me te.

Subjektet tjera politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë nuk e përkrahin fort. As miqtë ndërkombëtarë, kam një përshtypje nuk do të ngazëlleheshin nëse ai do të zgjidhej president.

Sidomos Dragodani. E la rehatinë në Lugano dhe hotelin e diamantëve për t’u vendosur në një kështjellë skenderbejane që e ndërtuan për të familja e tij. Për të mos mbetur në rrugë nëse e zë nata duke punuar deri në orët e vona për të mirën e qytetarëve të Kosovës, si president i tyre, përballë selisë së presidentit po e ndërton një apartament banimi prej disa mijëra metrash.

Posti i presidentit nuk i sjell përfitime materiale por i krijon kushte për investime kapitale( mbase bërë shkak të bamirësisë). Posti i presidentit shërben si purgator (kujtojeni Komedinë Hyjnore të Dantes) dhe mekanizëm për rehabilitim. Nëse zgjidhet për president atëherë e vërteton thënien se: “populli e ka atë president që e meriton”. Në fund të fundit, nëse Behxhet Sh. Shala nuk mund të bëhet president, pse të mos bëhet Behgjet Pacolli.

Blerim Shala është përfaqësues i shoqërisë civile në AAK. Hiç nuk e besoj se i dhemb shumë zemra për AAK-në. Për Ramushin po sepse ai e ka bërë zëvendës të tij dhe ai e mbanë të gjallë politikisht. Jo partia. Është shumë ambicioz të bëhet president. E ka përkrahjen e miqve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile. Nëse AAK bëhet pjesë e koalicionit me PDK, atëherë do ta ketë përkrahjen e pater politicus të qeverisë, Hashim Thaçit. Është njohës i mirë i muzikës rok.

Dhe të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë, që nga viti 1989 e këndej. Në disa raste ka qenë edhe kryekuzhinier. Shofer, përkthyes, këshilltar, shoqërues i vëllezërve Hill, Hollbrukut dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë.

Pjesë e të gjitha ekipeve negociatore, në nëntokë apo në sipërfaqe. Është mishërim dhe kombinim i Rasputinit dhe Dantonit. Në kohën kur në Kosovë sundonte Tina ishim bashkëvuajtës sepse na pati kryqëzuar të dyve andaj e pata shkruar një manifest denoncues kundër kësaj tiranie me titullin:” Dy shaljanë ngjiten Dragodanit, njëri i bjen fyellit, tjetri tupanit”. Ishte frymëzim i çastit kur e dëgjova këngën : “ shtatë shaljanë shkojnë në Shtojë..”.

Po, larg është Shtoji prej Dragodanit dhe duhet pranuar se ata kanë qenë tjerë shaljanë që nuk i kanë ra, as fyellit e as tupanit por Vezirit të Madh. Sido që të jetë, për shkak të mbiemrit që e ka e meriton të bëhet president. E kam edhe kushëri prandaj :” më mirë dreqi yt, se melaqja e huaj”. Pastaj, është bërë shumë vështirë të gjesh melaqe në ditë të sotit. Qoftë edhe të huaja.

Murat Jashari është përfolur edhe më herët se mund të bëhet president. Flitet se është dashur mund i madh të bindet të heqë dorë nga kandidatura. U përpoqën ta skajojnë duke e bërë Avokat të Popullit ndonëse e dinin se gjasat e tij të bëhet Avokat i Popullit ishin të barabarta me ato që unë të bëhem mbret i Nepalit apo trashëgimtar i Dalaj Lamës. Hulumtonin pozita të ndryshme për ta rehatuar, jo ambasador, jo ministër, jo aty, jo këtu etj. Në fakt, nuk dëshironin ta kenin afër nga frika se u rrezikohet pushteti. Ramush Haradinaj ishte më i zëshmi që Murati të bëhet president.

Mirëpo, miqtë ndërkombëtarë nuk do ta lejojnë këtë, së bashku me Oliver Ivanoviqin dhe Ivica Daqiqin si dhe me së paku 95% të shoqërisë civile kosovare. Kosova multietnike i rri mbi qafë si shpata e Demokleut.

Veton Surroi është kandidat që lehtë mund të futet në lojë në garën për president, qoftë edhe si rezervist permanent. Është lojtar për të gjitha lojërat. Është vështirë ta hedhësh në kurriz sepse është si mace, i ka 99 shpirtra politikë. Është njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, që nga koha e Skënderbeut.

Nuk ka proces që ka ndodhur në Kosovë, Ballkan, Evropë e më gjerë e që nuk ka marrë pjesë, që nga viti 1989. Ka qenë baba i shoqërisë civile në Kosovë edhe sa ishte kryetar i partisë politike ORA. Edhe tash ashtu mbahet ndonëse është kryetar i Klubit për Politikë të Jashtme.

Nuk pranon çdo post dhe fluturon lart. Ka përkrahjen e shoqërisë civile. Është ngushtë i lidhur me Kristofer Dell, ambasadorin amerikan në Kosovë. Hashim Thaçi nuk vdes nga dëshira që Vetoni të bëhet president por nëse e “ sugjeron” Delli, edhe karrigen e kryeministrit e ndanë me te.

Enver Hasani ose Enver Baba do të ishte krejt i marrë nëse postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ndërron me postin e presidentit të Kosovës. Mendoj se është aq inteligjent të mos e bëjë këtë.

Nexhmedin Spahiu ka qenë kandidat i AKR-së për kryetar të Mitrovicës. Pasi i humbi zgjedhjet protestoi deri nuk kupë të qiellit. Është si rregull që kryetari i një qyteti të fortë të bëhet edhe kryetar shteti.

Kësaj radhe mund të ndodhë e kundërta, ai që i humbi zgjedhjet për kryetar komune mund të bëhet president. Nëse Ataturku njihet si themelues i Turqisë moderne dhe baba i kombit turk atëherë edhe Nexhmedin Spahiu mund të llogaritet si baba i kombit kosovar. E ka me letra, të shkruar.

Kur më herët pata shkruar për Drenicën dhe trimat e saj, nuk e kam ditur faktin se edhe Nexhi na qenka nga Drenica. I kërkoj falje. Për trimërinë e tij as që diskutohet. Madje, jam i sigurt se po të ishte në vend të Komandantit Legjendar, të Madhit Adem Jashari do të vepronte si ai. Pa asnjë dyshim. Po fati është mbret i rastësisë. E ka votën time për president, a po bëhet më mjaltë a?

Pastaj, ka shumë qejf të jetë afër pushtetit. Dhe kandidati i fundit është: Adem Demaçi është ish i burgosur politik me një stazh 28 vjeç. Është fitues i Çmimit Saharov dhe fitues i shumë çmimeve tjera ndërkombëtare. Fitues i Çmimit “Hasan Prishtina”. Kryetar aktual i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar nderi i KMDLNj-së. Disa idealistë e kanë propozuar për president të Kosovës.

Edhe Vetëvendosja. Mirëpo e ka një hendikep sepse nuk ka asnjë adresë politike (të cilën e ka kërkuar kryeministri Thaçi) por e ka një adresë kombëtare që në rrethanat aktuale mund të merret si rrethanë rënduese dhe përjashtuese. Në kohën kur çmohen antivlerat si vlera kombëtare Adem Demaçit nuk i bëjnë nderë kur e propozojnë për president të Kosovës.

Në kohën kur Himë Gova konsiderohet si president historik dhe Gjet Colli pranohet si president i Kosovës me vetëm 1% të votave dhe duke pasur parasysh të kaluarën e tyre, Adem Demaçi është mirë aty ku është. Adem Demaçi nuk ka nevojë të bëhet pjesë e kësaj kallakurdie politike dhe erozioni moral dhe kombëtar. Prandaj, nuk e ka votën time.

E shohim se ç’do të ndodhë në vitin 2011. Asgjë të re përveç bisedimeve “teknike” me Serbinë të cilat po na duhen si kripa në sy.

*Opinionet e shprehura janë qëndrim i autorit

KOMENTE