Adem Demaçi jep intervistë për revistën serbe “Danas” në numrin e saj të parë për vitin 2011
Tashmë është bërë zakon që të tjerët të ju quajnë Mandela i Kosovës. Si Ju duket sot ky titull jozyrtar? Për ndryshim nga Mandela, pas mbarimit të burgosjeve, Ju nuk u bëtë lider i Kosovës. Rruga Juaj civile politike qe relativisht e shkurtë. Përse? Mos vallë brenda jush kanë ra në kundërshti morali dhe politika? A ju mjafton Juve që vetëm të Ju trajtojnë si legjendë dhe të Ju rrethojnë me kujdes e respekt? Apo ndoshta mendoni se njerëzit me ideale politike siç jeni ju, në të vërtetë, kurrë nuk duan të jenë pensionistë politikë?
E ndiej veten fort të nderuar sa herë që të tjerët më krahasojnë me burrin e madh të popullit liridashës anzanian, zotëri Nelson Mandelën. Ndërkaq, populli heroik anzanian, pas viktimave fort të mëdha dhe pas rezistencës së gjatë, u çlirua me forcat vetanake, prandaj dhe ishte e logjikshme që në krye të atij vendi të lavdishëm të vinte një udhëheqës çfarë i duhej dhe çfarë meritonte ai popull i fortë. Ndërkaq në Kosovë mbretëronin rrethana krejtësisht tjera. Është fare e pamohueshme se barrën kryesore të çlirimit tonë e kemi bartur ne, shqiptarët dhe pakicat tjera të Kosovës, mirëpo edhe ndihma e miqve tanë amerikanë e evropianë nuk ishte bash e vogël e prandaj edhe përzierja e tyre në zhvillimet tona të pasluftës nuk ishte dhe nuk është bash e vogël. Miqve tanë nuk u përgjigjej e edhe më tutje nuk u përgjigjet një udhëheqës i fortë. Dhe, ta them të vërtetën, as unë nuk doja e edhe tash nuk dua që të bëj tregti me parimet e mia për njëfarë pushteti. Unë jam njeri i kohëve të vështira dhe i detyrave të vështira. Mua, më mjafton fare që pothuaj të gjithë edhe shqiptarët edhe romët, edhe turqit edhe boshnjakët edhe serbët më konsiderojnë si të vetin. Keni të drejtë kur thoni se unë me këtë mendjen time që kam nuk e konsideroj veten si i pensionuar politik. Unë jam i gatshëm dhe gjithmonë do të jem i gatshëm që të flijohem për lirinë e të drejtat e të gjithëve e për bashkëjetesë me të gjithë. E gjithë jeta ime dhe veprimet e mia provojnë këtë që po them.
Pas 28 vjet burgjesh në Jugosllavinë e vjetër a keni në vete ndonjë ndjenjë negative e hakmarrëse? A keni ndonjë ndjesi të keqe ndaj Titos, ndaj diktaturës socialiste, ndaj serbëve? Çfarë mbresash ruani për burgjet? A keni fuqi për të falur?
Jugosllavia e vjetër ka qenë ajo mbretëria të cilën e patën themeluar Pashiqi, Trumbiqi e Korosheci pas Luftës së Parë Botërore dhe e cila deri më 1929 u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe e Sllovenëve. Ajo Jugosllavia tjetër, e ashtuquajtura Jugosllavia e Avnojit, me të drejtë quhej Jugosllavia e Titos, sepse Titoja sundoi me të si të ishte ajo pasuri e tij private... Nuk kam ndonjë arsye për hakmarrje, sepse që të dy këto Jugosllavi u shpartalluan dhe u rroposën vetë për shkak se që të dyja ishin të ngritura mbi themele të kalbura dhe sepse bënë gjynahe të panumërta... Titoja ishte me ka krejt diktator, por ishte diktatori më inteligjent i shekullit të njëzetë... Më falni, por ajo diktaturë nuk ishte diktaturë socialiste, por ishte një diktaturë krejtësisht ushtarako-policore, Sa u takon serbëve, e kam thënë shumë herë e do ta përsëris edhe tash: Kurrën e kurrës, as nëna ime Nazife, as baba im Zeqiri, as vëllau Maliqi, nuk na e kanë ndaluar mua dhe motrës sime Ajshe që të loznim bashkë me fëmijët serbë që vinin nga nja katër-pesë familje serbe që ishin në rrugën tonë Kraleviq Marku, në Mëhallën e Çeklikut. Kurrën e kurrës edhe kur kam qenë fare i ri nuk e kam barazuar popullin serb me regjimet e pushtetmbajtësit e tij. Tek e fundit, asnjëherë nuk e kam fajësuar popullin e manipuluar serb dhe nuk më ka shkuar asnjëherë ndërmend që të luftoj kundër popullit serb, por vetëm kundër regjimeve serbe e pushtetmbajtësve serbë... Burgje të mira nuk ka, por ka burgje të këqij, më të këqij, fort të këqij dhe burgje-ferr. Por nuk mund të them se unë kam kaluar nëpër të gjitha këto lloje burgjesh. P.sh. Unë nuk kam qenë në Goli Otok as në kohën kur atje i kanë ngujuar Ibeistës, as më vonë të tjerët. Sa i takon faljes mund të them këtë: vuajtjet e mia personale unë kam pasur fuqi e urti t’ua fal të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ato punë të turpshme. Ndërkaq, sa u takon masakrimeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe fshehjeve të krimeve mbi popullin e pafajshëm, gjithherë kam menduar e edhe tani mendoj e lutem:O, Zot, mos ua fal!
Një varg i një poeti serb thotë kështu:vallë a do t’ia dalë liria të këndojë ashtu si kanë kënduar të ngujuarit për të? Parafrazojmë, duam të pyesim: A i përngjanë Kosova e sotme asaj për çfarë Ju keni ëndërruar në kohën derisa Ju kanë mbajtur burgjeve? Cilat ide tuaja janë gjallë edhe sot e cilat kanë vdekur?
Më lejoni që për disa çaste të bëhem poet dhe që pyetjes suaj t’i përgjigjem në mënyrë poetike: Forcat e kakofonive të panumërta, në planetin tonë bukurosh, gjithnjë e më tepër po vijnë duke u shuar. Kënga për lirinë nga gojët e miliarda e miliarda njerëzish, çdo moment po bëhet gjithnjë e më harmonike e më e fuqishme. Entuziazmi e shija e lirisë gjithnjë e më shumë po pushton zemrat e shpirtin e njerëzimit. Njeriu, çdo ditë e më tepër po ia merr anën bishës brenda vetes. Kjo nuk është vetëm këngë e shkretë e optimistëve dhe e idealistëve të përhershëm, çfarë thonë cinikët e pesimistët e përhershëm, por kjo është e vërteta e amshuar në këngën e amshuar të lirisë për të mirën e gjinisë njerëzore...Kur i kthehem të kaluarës së largët e të afërt, atëherë më duket se Kosova është vetë parajsa!... Ndërkaq, kur e ngre shikimin e shoh ku gjendet Evropa e zhvilluar dhe demokratike, atëherë shoh me keqardhje se Kosova gjendet në katin e fundit të parajsës!... Ideja se para së gjithash jemi njerëz e hej pastaj se u takojmë dofarë racave, kombeve, besimeve e ideologjive, me kalimin e kohës vjen gjithnjë duke u përforcuar. Mirëpo, ideja ime e dikurshme se të gjithë njerëzit gjithmonë e pa përjashtim janë e mbeten të mirë – ka vdekur! Sepse, gjatë përvojës sime të gjatë e të hidhur, jam bindur se megjithatë, në rrethana të caktuara dhe nën ndikimin e tyre edhe njeriu u prishka!
A mendoni se shpallja e pavarësisë është fundi, apo vetëm fillimi i një procesi afatgjatë? Çfarë, në të vërtetë mendoni për tezat e ashtuquajtura për një Shqipëri natyrale? Ku janë sot konceptet tuaja për një konfederatë të shteteve ballkanike?
Për jetë të jetëve, gjithçka lëviz e gjithçka ndryshon. Shqipëria natyrale do të gjendet në Evropën natyrale e demokratike. Konceptet e mia për një konfederatë të shteteve ballkanike janë vendosur në shportën e dëshirave të mia të shkreta me qëllim që të anashkalonim krimet, gjakderdhjet e shkretënimet në të cilat së shpejti do të na vërviste karikatura e fundit hitleriane e shekullit të njëzetë.
Vallë, a ka rrezik që pas rikomponimit historik të Ballkanit, Serbia të mbetet duarthatë? Megjithatë, a mund të ndodhë që Kosova të copëtohet?
Nëse populli mik serb nuk trandet nga makthi në të cilin e kanë flakur përhënçat politikë dhe në qoftë se nuk i parandalon rroposjet e mëtutjeshme skizofrenike në greminë, mund të ndodhë që Serbia të bjerë në kurthin e ri të vetvetes sipas asaj fjalës së moçme serbe: kush nuk kënaqet me çfarë ka, mund të mbetet edhe pa atë që ka! Mbeturinat e Cërna Rukës – Beli Orllovi – të cilët edhe më tutje po vrasin njerëz të pafajshëm nëpër Kosovë, si dhe mbeturinat e hegjemonizmit serbomadh duhet ta kenë të qartë se çdo copëtim i mëtutjeshëm i Kosovës hapë shtegun e copëtimit të Serbisë. Neve shqiptarëve na ka ardhur shpirti në fyt nga Serbia që po na mban tërë kohën në ethet e kërkesave të veta të pafund e të padrejta, mirëpo edhe Amerikës e Evropës i është mërzitur Serbia – kjo prodhuese permanente e krizave në Ballkan. Porosia ime miqësore dhe lutja ime pushtetmbajtësve serbë është që të heqin dorë nga qëndrimi armiqësor ndaj shqiptarëve e Kosovës dhe ta lirojnë popullin e vyer e të urtë serb nga hipnozat e tyre të çmendura...
Për kë keni votuar? Nuk mendojmë bukvalisht, nuk dëshirojmë që të bëhemi indiskret, por duam të dimë se cilin çaj pini Ju në Kosovën e sotme? Cilin opsion e keni më për zemër?
Unë, personalisht nuk votoj, sepse të gjithë ata që marrin pjesë në atë vrapim për pushtet i dua, mirëpo nga pak më duken si qesharakë. Mirëpo, padyshim se të gjithë ata me të cilët kam ndarë vuajtjet e burgut e tmerret e luftës i kam më të dashur. Dhe, kur më pyesin se për kë do të votoja sikur të votoja, unë u përgjigjem me sinqeritet: për Partinë Demokratike të Kosovës. Nuk them se ajo është ndonjë parti e përsosur, mirëpo sipas vlerësimeve të mia themelore është më meritorja dhe më e mira ndër partitë e tjera. Opcioni më i afërt më duket ai të cilin e predikon dhe të cilin e ndjek PDK-ja: Orientimi Euro-Atlantik dhe bashkimi me Bashkimin Evropian.
A keni edhe pasaportë serbe? Apo ndoshta tërë të kaluarën e keni shtyrë në të kaluarën?
Pasaportë serbe nuk kam, por e kam Letrën e vjetër serbe të njoftimit... Unë të kaluarën nuk e harroj dot dhe nuk i rekomandoj askujt që atë ta harrojë. Ndërkaq, unë nuk jam peng i së kaluarës. Unë jetoj në të tashmen dhe punoj për një të ardhme të përbashkët më të bukur... Jam thellësisht i bindur se shumë më shpejt se që mendojnë pesimistët kam për të shkuar në Serbi me letrën time të njoftimit të Kosovës! E pritshim atë ditë!
Cilin politikan në Serbi e shihni si partnerin më perspektiv për shqiptarët e Kosovës?
Jo vetëm mua, por të gjithë ne shqiptarëve më së shumti na përgjigjen ata që janë serbë të vërtetë. Sepse vetëm serbët e vërtetë e duan me gjithë mend popullin e vet. Dhe, vetëm ata që janë serbë të vërtetë nuk duan dhe nuk lejojnë që të rrethohen me armiq. Vetëm serbët e këtillë kanë forcë që të flakin tutje filozofinë provinciale. Vetëm serbët e këtillë do të pushojnë që të rraxhaviten atje rreth dofarë kufijsh e territoresh në kohën kur Evropa është duke shembur të gjithë kufijtë rreth vetes. Vetëm serbët e këtillë do të kenë fuqi që të na pranojnë ne shqiptarëve si të barabartë me vetveten. Vetëm serbët e këtillë do të jenë më me perspektivë për t’u bërë partnerë të vërtetë jo vetëm me ne shqiptarët e Kosovës, por edhe me të gjithë ne në hapësirën shqiptare.
Si do të dukej një udhëtim juaji i mundshëm në Serbi? Cilat vende dhe cilët njerëz do të ishin për ju më me interes?
Ah, vend i bukur është Serbia! Është e bukur Shumadia, është e bukur Vojvodina, janë të bukur Danubi e Sava, e bukur është rruga e Terazisë, është e bukur edhe rruga e rrëpinjtë e Ballkanit, mirëpo Kalemegdani është më i bukuri. Prej andej shpërthen hapësira në të katër anët: kah lindja e kah perëndimi, kah veriu e kah jugu. Është e keqe vetëm Koshava! Kur ajo frynë çdo gjë dridhet e çdo gjë tundet!... Do të doja ta vizitoja Parkun përkujtimor në Shumarice, në Kragujevc, në vendin ku pushtuesit patën pushkatuar nxënësit bashkë me profesorët e tyre, të cilët para tytave thërrisnin: Më mirë është në varr me dekë, se i gjallë n’ robëri me mbetë!...Do të kisha pasur dëshirë që të piqem edhe me filozofin më të madh serb, nëse është gjallë, me z. Radomir Konstantinoviqin, autorin e veprës së shkëlqyer FILOZOFIA PROVINCIALE. Do të doja të vizitoja varrin e mikut tim të madh Mihajllo Mihajllovit-Mishës. Do të doja të takoja gruan e fortë e të zgjuar, zonjën Sonja Biserko. Gjithashtu do të doja të takoja zonjën Sonja Liht, zotriun fort të nderuar Llazar Stojanoviq, pastaj Millan Nikoliqin, miqtë e mi nga Rrethi i Beogradit, do të kisha dashur gjithashtu ta vizitoja edhe varrin e gazetarit dinjitoz e të jashtëzakonshëm, të zotërisë Çuruvija... Do të kisha dashur që të ndalesha diku e të drekoja fasulen speciale serbe...
Na thoni në fund, si e parashihni dhjetëvjetshin që po vjen? Kah po ia mban kjo botë? Kah do t’ia mbajmë ne nga këto hapësira?
E, po, meqë po më pyetni, më lejoni që t’ia lëshoj frejt imagjinatës sime. Jemi në vlugun e shpejtësive kozmike. Bota po ngutet me shpejtësi marramendëse, Kinezët, në shkollat e veta do ta fusin si lëndë të domosdoshme edhe shkrimin latin. Kinezët, në politikë do ta vënë në zbatim sistemin dypartiak – Partia e Majtë dhe e ajo e Djathta Komuniste!...Malli i lirë e fort cilësor kinez ka për ta përmbytur krejt botën. Kina do të bëhet faktori kryesor i ruajtjes së paqes dhe i marrëdhënieve të gjithëmbarshme miqësore në botë. Kina, me politikën e vet të urtë e të durueshme si dhe me ekonominë e vet fort të fuqishme dhe efikase ka për të qetësuar e zgjidhur të gjitha konfliktet në botë. Kapitalizmi shtetëror do t’ia kalojë kapitalizmit privat. Kina do të fillojë në plan të gjerë të robotizojë gjithë shoqërinë duke filluar nga bujqësia, industria, shërbimet, edukimi, shëndetësia, hulumtimet shkencore, kultura, arti e madje edhe nga turizmi hapësinor...Dhjetëvjetëshi i ardhshëm si dhe dhjetëvjetëshat e tjerë me radhë kanë për të qenë nën shenjën kineze. Për habinë tonë të madhe, Kinezët nuk do të kërkojnë prej nesh që ta mësojmë kinezishten. Jo, more! Ata tashmë janë duke mësuar të gjitha gjuhët tona, prandaj falë kësaj krejt çfarë do të na duhet ne do ta kemi në gjuhët tona të vockla: në shqip, serbisht, greqisht, maqedonisht, malazezisht, boshnjakisht, kroatisht, sllovenisht, romisht, sllovakisht, çekisht, rusinisht, norvegjisht, suedisht, danisht, finlandisht, retroromanisht, e madje edhe në disa gjuhë të cilat do të zhdukeshin sikur të mos ishte robotizimi e civilizimi kinez!...Kush nuk beson, do të bindet...E, ne do të mbetemi këtu ku jemi, sepse ne nuk do t’i duhemi askujt. Të gjithë do të vrapojnë pas kinezëve!...
Fund