Malishevë, 3 janar, NOA- Policia e Kosovës ka arrestuar 12 persona lidhur me vrasjen në Bajë të Malishevës, ndërsa një person ende është në arrati.
Dëshmitarë të ngjarjes kanë rrëfyer se rreth 15 persona kanë hyrën në ambientet e restorantit, kanë rrahur viktimat e më pas kanë shtënë me armë.
Viktima Skënder Limaj është qëlluar në sy të tre fëmijëve të tij, dy djemve dhe një vajze, që të gjithë në moshë të mitur.
Ndërsa dy të plagosurit e tjerë janë i vëllai i tij, Azem Limaj dhe nipi, Ilir Limaj.
Në njoftimin e policisë, thuhet se si provë materiale janë konfiskuar edhe dy armë automatike kallashnikovë dhe disa revole.
Po ashtu, sipas burimeve policore, shumica e të arrestuarve janë nga fshati Carrallukë e Malishevës, të afërt të ish-kryetarit të Malishevës, Gani Krasniqi, i cili në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit ishte kandidat i Vetëvendosjes për deputet.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas kësaj ngjarje, duke e cilësuar atë si krim të rëndë, me pasoja tragjike për familjen e të vrarit dhe të plagosurve.
Kjo lëvizje ka kërkuar që të mos politizohet ngjarja.
a.y/NOA