Mitrovicë, 3 Janar 2011 NOA – Përleshje e dhunshme mes shtatë serbësh në Mitrovicë, me pasojë plagosjen e tre prej tyre, raportohet nga korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur në orët e natës në rrugën “Kral Petri” në qytetin e Mitrovicës. Burime nga Policia e Kosovës që nisën hetimet për ngjarjen, i thanë agjencisë NOA se gjithçka erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes katër serbëve të Kosovës me banim në këtë qytet.
Ata kanë sulmuar fizikisht duke u shkaktuar lëndime trupore tre serbëve të tjerë, në rrethana dhe shkaqe ende të paqarta.
Tre të rinjtë serbë që u plagosën nga dhuna fizike dhe sendet e forta të përdorura, janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore që ndodhet në pjesën veriore të Mitrovicës.
Policia tha se rasti është nën hetim kurse pohoi se nuk ka ende asnjë person të arrestuar edhe pse dëshmitë okulare folën për katër serbë që sulmuan tre të tjerët.
a.b/NOA