English

Shvarceneger nuk është më guvernator

Për Arnold Shvarcenegerin kjo është ditë e ngjashme me atë në filmin Terminator, ku ai luante rolin kryesor, e kur thotë “lamtumirë” në gjuhën spanjolle. Por, tërheqja anga posti i guvernatorit natyrisht bëhet pa të shtëna zjarri.

Derisa Arnold Shvarcenegeri i thotë lamtumirë postit të guvernatorit pas 7 vjetësh, duket se ai më tepër do të mbahet mend për filmat e pavdekshëm, sesa për të arriturat politike.

Kjo mund të ndodhë pasi zoti Shvarceneger, që është i lindur në Austri, pas dy mandatesh në këtë post, po largohet me trashëgimi të përzier dhe me rejtingun e miratimit prej vetëm 23%.

Gjatë fjalimit të tij inaugurues në vitin 2003, zoti Shvarceneger, anëtar i Partisë Republikane, ka premtuar bashkëpunim me ligjvënësit shtetërorë.

Ai po ashtu kishte përmendur emrin e ish-presidentit Xhon Kenedi, për t'i përkujtuar lidhjet e tij personale nëpërmjet bashkëshortes së tij, Maria Shrajver, me familjen Kenedi, që është njëra nga familjet më të fuqishme politike në Shtetet e Bashkuara.

“E di se disa nga ju thonë se legjislatura dhe unë kurrë nuk do të pajtohemi për zgjidhjen e problemeve. Por, në jetën time kam parë se njerëzit shpeshherë përgjigjen në mënyra të mrekullueshme. Siç thotshte presidenti Kenedi, unë jam idealist pa iluzione”, kishte thënë Arnold Shvarceneger.

Ai, posa e kishte marrë postin, kishte premtuar fokusim në çështjet e buxhetit, që është një gjë kritike për vendin me ekonomi më të madhe se Rusia, Brazili apo Kanadaja.

Por tash, derisa ai largohet nga ky post, Kalifornia ballafaqohet me një situatë të vështirë ekonomike, për shkak të krizës financiare globale dhe recesionit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa deficiti i buxhetit është 28 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e angazhimit të zotit Shvarceneger ishte karakterizuar me lidership jo të vendosur dhe me zhgënjim në mesin e republikanëve dhe demokratëve me guvernatorin e tyre, për të cilin thoshin se ka dështuar të bëjë reforma të vështira, por më se të nevojshme të buxhetit, edhe në kohën kur mbështetja e publikut për të ishte e lartë.

Shvarcenegeri ka pasur edhe suksese të caktuara, për shembull në ligjet për ambientin, që rregullonin emisionet e gazrave dhe përcaktimin e qëllimeve që Kalifornia të lëvizë përpara me burime të energjisë së rinovuar, siç është ajo diellore dhe e erës.

Padyshim, ai ka fituar shumë mbështetës vjeshtën e kaluar, kur e nënshkroi ligjin që i reduktonte dënimet për njerëzit që posedonin sasi të vogël të marihuanës.

Edhe pse popullariteti i tij ishte zbehur, ai vazhdonte të përdorte karizmën e tij dhe autoritetin prej yllit të filmit për promovimin e çështjeve të ndryshme në nivel ndërkombëtar.

Në këtë aspekt, ai ka folur në Konferencën për Ndryshime Klimatike në vitin 2009 në Kopenhagë, ndërsa para pak kohe ka udhëtuar në Skolkovo afër Moskës, për t’i mbështetur përpjekjet e presidentit rus, Dmitri Medvedev, për ta ngritur një Luginë të Silikonit në Rusi.

“E di se teknologjia e Rusisë dhe mendjet e jashtëzakonshme të inovimit janë çdo gjë. Së bashku me qytetarët e Kalifornisë, mendoj se realisht mund të krijojmë një mrekulli këtu dhe të bëhet një bum në këtë industri”, ka thënë Arnold Shvarceneger në Skolkovo, afër Moskës.

Shvarcenegeri, 63-vjeçar, ka shprehur interes që një ditë të garojë për president të Shteteve të Bashkuara. Por, Kushtetuta e SHBA-ve aktualisht nuk lejon që shtetasit e naturalizuar të bëhen presidentë, ndërsa vështirë se do të ketë ndonjë amendament eventual për ta ndryshuar këtë.

Pas detyrës së guvernatorit, zoti Shvarceneger ka sugjeruar se ndoshta mund të kthehet në Holivud, ashtu siç ishte shprehur edhe në filmin Terminator, duke thënë “Do të kthehem”. /rfe/

KOMENTE