English

Berisha, Ramës: Pse nuk bëhesh dot kryeministër

Tiranë, 4 janar 2011, NOA/ Irma Toptani Update – Kryeministri Sali Berisha ndërsa prezantoi vetë nëpërmjet një konference për shtyp Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), zonjën Eneida Guria, nuk ka lënë jashtë vëmendjes luftën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke theksuar se problemi i kutive të zgjedhjeve të shkuara parlamentare është një problem që i takon vitit të shkuar dhe se opozita shqiptare nuk e arriti qëllimin e saj pasi ajo është e bunkerizuar.

“Një opozitë që kërkon hetim pa fakte, sepse kjo opozitë drejtohet nga një bllokmen, për të cilin faktet nuk mund të pranohen, për të cilin pushteti o atij, o kurrkujt tjetër, i cili kërkon të ngjitet në një majë që nuk do ta kapë dot kurrë. Ky është problemi. Në bunker do të mbetet gjithë jetën. E them hapur. E shoh me shumë optimizëm këtë problem”, tha kryeministri Berisha kur komentoi marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Unë ju siguroj se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, por një gjë qeveria nuk mund të bëjë kurrë, të udhëheqë opozitën. Kjo as në tentativën më të vogël. Në qoftë se ka një gjë nga karriera ime politike, është se politikën unë e bazoj në moral. Morali dhe normat mia nuk më lejojnë të bëj as edhe hapin më të vogël, përveçse ofertave publike ndaj opozitës. Se çfarë do të bëjë opozita, ajo përcaktohet prej saj. Por kjo është situata”, theksoi shefi i qeverisë.

Shefi i ekzekutivit tha se “Kjo qeveri në respekt të palëkundur të opozitës ka ofruar aq sa janë jo një, por të shumtë miqtë e mi në Evropë që në mënyrë të përsëritur më kanë deklaruar se këto nuk ofrohen kurrë. Qeveria ka treguar se ka vendosur dhe do të vendosë standardet më të larta ndaj opozitës, por qeveria nuk do të mund të pranojë kurrë shkelmimin e parimeve me themelore të një shoqërie të lirë”, tha kryeministri Berisha kur foli për ofertat që i kishte dhënë opozitës për mbërritjen e transparencës së zgjedhjeve.

Sipas kryeministrit Berisha lidershipi i PS-së nuk i njohu zgjedhjet vetëm për shkak të interesit të tij.

“Ky zotëri që e quajti historike ditën e votimit, kur nuk i doli rezultati që mendoi u rikthye në origjinë, duke thënë se nuk njihte votën, se nuk njihte rezultatin, nuk njihte parlamentin. Më pas tha se e njihte rezultatin. Pa pyeteni njëherë se mbi cilën bazë, mbi cilën moral u tha shqiptarëve se nuk ua njihte votën se nuk e njihte rezultatin dhe pastaj tha se e njihte rezultatin”, nënvizoi Berisha.

Kryeministri Berisha gjithashtu u shpreh se lidershipi i PS-së donte ta kthente partinë socialiste në G99, por kjo gjë sipas kryeministrit nuk u lejua nga disa deputetë kundër tij në PS.

“Më vonë ky zotëri që bojkotoi parlamentin, duke i ofruar të gjitha ato që kishte rezoluta, betohej e stërbetohej se do të digjte mandatet, nuk i dogji mandatet. Por ju e dini pse nuk i dogji mandatet dhe vërteta është se shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës atij grupi fare te vogël të deputetëve, të Partisë socialiste, të cilët i thanë se ne nuk i djegim mandatet dhe mos mendoni se kanë qene shumë. Ai e pa se mandatet do t’i merrnin kundërshtarët e tij në parti dhe në qofte se pranoi që të mos digjeshin mandatet e bëri për interesin e tij dhe jo të vendit. E bëri vetëm për karrigen e tij sepse e pa se do të mbetej krejtësisht G99”, theksoi më tej kryeministri .

Shefi i qeverisë theksoi se tërë tentativat e Ramës për të bojkotuar parlamentin e më pas hyrja në grevë urie u ndërmorën nga ai vetëm për të minuar procesin e liberalizimit të vizave.

“Paraqiti kërkesën për një komision hetimor parlamentar. Kërkesa iu votua dhe ai nuk e deshi sepse kërkoi që t’i drejtohej gjykatës kushtetuese, t’i drejtohej bashkërisht. Ti thuash dikujt, duke u ankuar për të se eja dhe padit veten në Gjykatë, duhet të kesh atë koeficient intelektual që ke që të bësh një kërkesë të tillë. Por nuk është çështje koeficienti intelektual, është çështje mendësie blloku. Është mentaliteti i bllokmenit. Iu kërkua të shkonte në komisionin e Venecias, shkoi qeveria në Komisionin e Venecias. Të gjithë këto i bëri për të penguar vizat. Vizat ishin qëllimi i tij më madhor”, tha kryeministri, duke risjellë në vëmendje se pas hyrjes së PS-së në parlament nisi greva e urisë.

Kryeministri Berisha duke folur për grevën i nërë apel Ramës që me grevë te dera e kryeministrisë nuk bëhesh dot kryeministër.

“Greva ishte forma më serioze e presionit. Hyri në parlament dhe rreshtoi çadrat dhe kutitë para kryeministrisë. Edhe atëherë i çova fjalë se duke ndenjur tek dera e kryeministrisë, kryeministër nuk bëhesh kurrë. Nuk është rruga kjo që të bën kryeministër. Kryeministri, normal që do t’u zgjidhë problemet të gjithë atyre që vijnë tek dera e kryeministrisë, por ata që vijnë tek dera nuk vijnë për tu bërë kryeministër , por vijnë për halle. Kjo është e vërteta. Ai bëri gjithçka për të bllokuar vizat, me ftohtësi dhe tepër qesharak, një ditë pas vendimit, bënte letër dhe kërkonte vizat”, vërejti kryeministri gjatë konferencës për mediat.

“Ky zotëri bëri gjithçka që të bllokojë vizat dhe unë mendoj se ky ka qenë një krim moral shumë i rëndë. Unë kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe dhe kurrë në jetën time nuk kam marrë mesazhe me frymë më njerëzore se ç’kam marrë gjatë dy muajve fundit.

Kjo është një arritje jetës për qytetarët. E përjashtoi ai forcën e tij politike. Forca e tij politike mund të ishte bashkautore pa asnjë vështirësi. Ti bënte këto vetëm si shenjë kur thotë populli, Të votonte ligjin për konfiskimin e aseteve, por jo ta nxiste dërgimin e tij në gjykatë me shpresën se gjykata mund ta përdorte për të bllokuar vizat”, nënvizsoi kryeministri.

Duke folur për dy seancat e fundit plenare të 2010-ës që nuk mundësuan arritjen e kompromisit mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik, shefi i qeverisë tha se problemi është lidershipi i PS-së, Edi Rama.

“Është shumë i pandershëm sepse aty në kërkesën e tij ai thotë kemi fakte. Por ti nuk ke fakte të përbaltësh votën e shqiptarëve, pasi nuk mund ta bësh dot kurrë këtë. Unë kam respekt maksimal për opozitën, por në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë, e theksova dhe në parlament, se në se mafia shqiptare do të përpiqet, të nëpërkëmbë votën e shqiptarëve do të dështojë sepse vullneti ynë është i hekurt që shqiptarët të votojnë të lirë. Ne bëmë përpjekjet më maksimale që shqiptarët të votonin të lirë. Ajo që bëmë ne me filmim, projektim, fotografim transmetim direkt, ai është standardi më i lartë deri më sot dhe është një nga zhvillimet me pozitive”, vlerësoi kryeministri.

Sipas Berishës rinumërimi i votave në Shkodër, bëri që të binte poshtë ideja e opozitës për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Është kriminale që të tentosh të nëpërkëmbësh votën e qytetarëve shqiptarë. Këtë ai e bën pa u skuqur, pa u zbehur, pa asgjë . Zëvendëson fjalën hetim me kontroll, duke harruar se janë nene krejtësisht të tjera të kushtetutës ato që autorizojnë kontrollin e parlamentit dhe ky kontroll bëhet nga komisione permanente dhe neni 77 i kushtetutës i këtij vendi dhe çdo nen paralel i kushtetutave të vendeve demokratike përcakton hetimin dhe jo kontrollin. Pra nuk është problem qëndrimi i qeverisë”, tha kryeministri duke theksuar se qeveria do t’i ofrojë opozitës bashkëpunimin e vet maksimal në kuadrin e parimeve themelore, të lirisë,të kushtetutës, të rendit.

“Qeveria mund të bëjë çdo gjë por nuk ja heq dot nga koka, bunkerin zotërisë së tij. Atë e ka trashëgim. I takon socialistëve që për një vit e gjysmë rresht u tha se po nuk u hap kutia dhe rinumërua vota do të bëhej gjëma, e më pas u thotë se nuk e kam kërkuar rinumërimin e votës”, tha Berisha duke përmendur këtu edhe lënien e Tiranës pa koncert në natën e ndërrimit të viteve.

Kryeministri Berisha u shpreh i vendosur se nuk do të lejojë kurrë të përdhoset vota e shqiptarëve.

“U takon shqiptarëve ta vendosin dhe do ta vendosin. 8 maj është një datë, në të cilin shqiptarët do të dinë mençurish të përcaktojnë të ardhmen e tyre, do të dinë të çlirohen në mënyrë përfundimtare nga psikologjia e bllokut. Ne kemi të bëjmë me një restauracion të vërtetë në Partinë Socialiste. Absolutisht, me një proces të restauracionit. Në histori ky proces është i njohur dhe quhet restauracion kur rikthehet një dinasti apo në rastin konkret, kur rikthehet një mentalitet, është restauracioni i psikologjisë së bllokut, si kurrë ndonjëherë”, argumentoi kryeministri duke apeluar se fatkeqësia e Ramës mbetet e lidhur me psikologjinë e kontraktuar në bunker.

mit/NOA

KOMENTE