English

Bilanc i frikshëm i krimit në fillim të vitit

Tiranë, 4 janar, NOA - Një i vrarë, një i plagosur, dy grabitje dhe një sasi droge e sekuestruar, është bilanci i kronikës së zezë në tre ditët e para të vitit 2011 në Shqipëri. Ngjarja më e rëndë ka ndodhur në Kukës, ku një 45 vjeçar është vrarë brenda lokalit të tij nga një person tashmë i ndaluar nga policia, por arsyet ende nuk dihen. Ndërkaq persona ende të paidentifikuar kanë plagosur rëndë një të ri në qytetin e Durrësit.

Këto ngjarje pasojnë ato të ndodhura natën e ndërrimit të viteve, ku më e bujshmja ishte vrasja për hakmarrje që kreu një 15 vjeçar ndaj vrasësit të babait të tij.

Vitin e kaluar autoritetet e policisë shqiptare shprehën shqetësimin se disa tregues të kriminalitetit në vend kanë njohur rritje, ndërsa fuqia zbuluese është ulur.

Veçanërisht rritje ka patur numri i krimeve kundër personit, sidomos vrasjet. Bilanci gjatë vitit 2010 është 103 vrasje, por vetëm për 83 prej tyre janë zbuluar autorët.

Kjo situatë ka qenë në vëmendje edhe të politikës. Opozita është shprehur se rendi dhe siguria në vend është cënuar, por qeveria thotë se gjithçka është nën kontroll.

a.k/NOA/BBC

KOMENTE