Romë, 4 janar 2011, NOA - Që prej së premtes jashtë selive diplomatike braziliane në Itali kanë nisur një valë lëvizjesh në shenjë proteste ndaj refuzimit nga qeveria braziliane të ekstradimit të ish-liderit të grupimeve të së majtës ekstreme, Çezare Batisti. Batisti është dënuar për urdhërimin e katër vrasjeve në vitet 70 në emër të organizatës Proletarët e Bashkuar të Komunizmit. Ndërkaq avokatët e ish-udhëheqësit të majtë kanë kërkuar lirimin e tij.
Javën e kaluar Inasio Lula Da Silva përfundoi mandatin e tij si president i Brazilit, duke mos pranuar përfundimisht ekstradimin e Batistit, një veprim që ka ngjallur zemërimin e qeverisë Berluskoni.
Për këtë arsye në qendër të Romës janë programuar protesta, në të cilat do të marrin pjesë si të djathtët e Berluskonit ashtu edhe partitë e majta.
Protesta do të ketë edhe përpara konsullatave braziliane ne Firence, Milano, Bolonja e Napoli.
Qeveria italiane shpreson që presidentja e re e Brazilit Dilma Rusef të rishikojë vendimin e paraardhësit të saj, megjithatë sinjalet e para tregojnë se vendi amerikano-latin nuk do të ndryshojë qëndrim lidhur me ekstradimin e Batistit.
Familjarë të viktimave kanë kundërshtuar ekstradimin e tij, me pretendimin se ish lideri ekstremist nuk është penduar për krimet e tij, madje ata kanë deklaruar se nëse autoritetet braziliane do ta lirojnë, jeta e tij është e kërcënuar.
Ministri i Jashtëm italian Franko Frattini bëri të qartë se Italia do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, nëse qeveria braziliane nuk do të respektojë marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve për ekstradimin e të burgosurve.
mit/NOA