English

Djegin makinat dhe i grabisin 150 milionë lekë në shtëpi

Lushnjë, 4 janar, NOA – Një super grabitje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Çerme e Sipërme të rrethit të Lushnjës. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se persona ende të paidentifikuar kanë arritur të vjedhin 15 milionë lekë të reja në një banesë në këtë fshat.

Fillimisht autorët kanë djegur makinat që ishin parkuar para shtëpisë dhe më pas kanë hyrë brenda në banesë.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21.00. Autorët e grabitjes i kanë vënë zjarrin dy automjeteve, tip “Ford” me targa LU 02-73 C dhe mjetit tip “Opel”, pa targa. Të dy makinat ishin në pronësi të shtetasit Bashkim M.

Korrespodenti i Agjencisë NOA në Lushnjë, u referohet burimeve të policisë të cilat kanë thënë se pas djegies së makinave, këta persona, duke përfituar nga largimi i familjareve nga banesa e tyre në drejtim të automjeteve për shuarjen e zjarrit, janë futur në banesën dykatëshe dhe kane marre prej aty një kasafortë.

Në kasafortë sipas deklarimit të kryefamiljarit ndodheshin 15 milion lekë të reja. Policia tha se rreth 500 m nga banesa u gjet e braktisur kasaforta artizanale prej llamarine e hapur me mjete te forta.

Drejtues të Policisë së Komisariatit Lushnjë thanë se po punohet intensivisht për identifikimin e kapjen e autorëve si dhe dokumentimin e plote ligjor të kësaj ngjarje.

a.k/NOA

KOMENTE