English

Fyle: Ngërçi, shkak për refuzimin nga BE

Bruksel, 4 Janar 2011 - Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, thotë se nuk beson se ajo që është bërë e njohur si 'lodhja nga zgjerimi', do t'i pengojë vendet e Ballkanit që të anëtarësohen në BE. Komisioneri Fule i tha BBC-së se shpreson që të paktën dy vende të anëtarësohen në bllok gjatë katër viteve të ardhshme. Kroacia me gjasë do të jetë e para, ndoshta që vitin e ardhshëm.

Të martën Komisioni rekomandoi që Mali i Zi t'i shtohet listës së vendeve kandidate për anëtarësim Por Shqipërisë nuk iu dha statusi i vendit kandidat që kishte kërkuar pas aplikimit të saj një vit më parë.

Cili është shkaku i refuzimit të kandidaturës së Shqipërisë?

Është mospërmbushja e njërit prej kritereve kryesore politike, kritereve të Kopenhagenit dhe është shumë i lidhur me ngërçin politik, i cili po ndikon në (punën e) institucioneve demokratike si parlamenti. Kjo është një përgjigje e gjatë për pyetjen tuaj. Përgjigja e shkurtër do të ishte; po, në një përqindje të madhe.

Pozita dhe opozita në Shqipëri po fajësojnë njëra-tjetrën për këtë...

Përgjegjësia bie mbi të dy palët, si në çdo demokraci. Kjo është përgjegjësi e atyre që janë në qeveri, por dhe e atyre që janë në opozitë.

Po të kthehemi tek arsyet e mospranimit të kandidaturës ju thatë se barra më e rëndë për mospranimin bie tek politika. Ku dështoi tjetër kandidatura e Shqipërisë?

Shteti ligjor dhe zbatimi i tij. Por më lejoni që ta bëj një gjë edhe më të qartë. Po të shikoni rekomandimin tonë për Malin e Zi dhe atë për Shqipërinë, në të dy vendet kemi gjendur disa mangësi në fushën e shtetit ligjor, por në Shqipëri, përveç kësaj çështje të rëndësishme, ne iu referuam dhe ngërçit politik dhe faktit që ai me gjasë ka ndikuar në institucionet demokratike që sigurojnë funksionimin e demokracisë së plotë. Këtë do ta gjeni në përfundimet e rekomandimit në opinionin për Shqipërinë.

Tani Shqipërisë i duhet të presë dhe një vit për të marrë një përgjigje për kandidaturën e saj. Cila do të ishte këshilla juaj që përgjigja për herë të jetë pozitive?

Këshilla më e mirë që mund të jap, është: dëgjoni, atë që ka ndodhur të hënën dhe të martën, sigurisht që po i referohem jo vetëm paketës së zgjerimit, por dhe vendimit tjetër shumë të rëndësishëm në ofrimin e regjimit pa viza për shtetasit shqiptarë, të cilët do t'i uroja me këtë rast, sepse ky ishte një vendim I rëndësishëm, I cili reflektoi punën shumë të mirë që është bërë në përmbushjen e kritereve të një liste shumë kërkuese (nga Shqipëria).
Kështu që përparim është bërë, por në të njëjtën kohë, këshilla ime do të ishte: ju lutem, merreni si një zile alarmi, sepse ngërçi politik po vazhdon dhe po ju shqetëson si juve, ashtu dhe neve, prej një kohe të gjatë.
Nëse kjo çështje zgjidhet dhe nëse përveç kësaj, ju do të përmbushni kriteret kryesore kyçe, që përmenden në rekomandime dhe përfundimet e Komisionit për Shqipërinë, Komisioni atëherë do të jetë në një situatë tjetër vitin e ardhshëm do të bënte rekomandime më pozitive.

Tani për Kosovën. Duke iu referuar rekomandimeve të Komisionit pas shqyrtimit të progres raportit se Komisioni së shpejti do të hapë së shpejti dialogun për vizat, por ju e kushtëzuat këtë me ri-integrimin e të zhvendosurve. A është kjo çështje muajsh? Javësh?

Shumë shpejt do të thotë shumë shpejt. Ne nuk po fshihemi pas kësaj formule të themi se nuk e dimë se kur, prandaj përdorëm frazën shumë shpejt. Gjithë çështja shtrohet sepse ky afat kohor, shumë shpejt, është kombinuar me çështjen të cilës iu referuat dhe ju, se ne tani duam të shohim zbatimin e planit të veprimit për ri-integrimin dhe interpretimi I frazës "shumë shpejt" duhet kërkuar në këtë këndvështrim.
Autoritetet e Kosovës kanë arritur progres të jashtëzakonshëm gjatë dy- tre muajve të fundit. Legjislacioni përkatës është miratuar, strategjia për ri-integrimin është miratuar, plani për të ndihmuar integrimin po ashtu, burimet e duhura për këtë proces janë ofruar, procesi i trajnimit të personave ka nisur në nivelin e bashkive.
Kështu që ka patur shumë zhvillime pozitive, ajo që thotë raporti është se duke i bërë të gjitha këto, kornizën kushtetuese, duke ofruar burimet etj, keni bërë shumë përparim, por tani, a mundeni që njëkohësisht, ta vini këtë mekanizëm në funksionim, të siguroheni se zbatimi i tij, po sjell rezultatet e pritura?

Duke iu referuar raportit tuaj, opozita në Kosovë ka deklaruar se korrupsioni atje është në nivel më të lartë nga ai që përmendi ju. A jeni dakord me këtë?

Mendoj se ne e kemi bërë të qartë se korrupsioni dhe pastrimi i parave përbën njërin prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballet Kosova.

Por a nuk është edhe BE përgjegjëse për të luftuar korrupsionin në Kosovë, përveç autoriteteve të Kosovës, sepse misioni I EULEX-it është atje pikërisht për t'i ndihmuar ato në fushën e rendit dhe zbatimit të ligjit?

Absolutisht. Dhe referenca respektive gjendet dhe në raportin (e paketës së zgjerimit) për rolin e EULEX-it, për rolin e ekspertëve të BE dhe për nevojën e përshkallëzimit të bashkëpunimit nga ana e autoriteteve të Kosovës me autoritetet e EULEX-it.

Pse, nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm të Prishtinës me EULEX-in në luftën kundër korrupsionit?

Unë po them se mund të bëhet më shumë për ta përmirësuar këtë bashkëpunim.

Pas shqyrtimit të progres-raportit, ju në emër të Komisionit thatë të martën se autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale. Për cilët forume bëhet fjalë?

Për Cefta-n dhe çështje të tjera të lidhura me marrëveshjet rajonale, si traktati për transportin e komunitetit etj.

Ju mendoni se autoritetet kosovare nuk po bëjnë sa duhet për arsye politike? Apo ngaqë është Serbia e përfshirë?

Më pëlqen kjo mënyra e testimit që po më bëni në fjalët që thashë vetë dhe që po kërkoni një shpjegim përtej atyre që thashë dhe do të përpiqem që të shprehem qartë.
Bashkëpunimi rajonal përbën një aspekt shumë të rëndësishëm në rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Evropës. Ajo është penguar në veçanti nga problemet mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ne u bëmë thirrje të dyja këtyre vendeve, jo vetëm Prishtinës, por edhe Beogradit që të jenë pragmatikë dhe të bashkëpunojnë dhe ta kthejnë bashkëpunimin rajonal në një kornizë përfshirëse bashkëpunimi mes fqinjëve, duke patur si bazë axhendën evropiane.

Pra, ju po i bëni një thirrje tjetër jo të drejtpërdrejtë Prishtinës që bashkëpunojë me Beogradin?

Mendoj se nuk është vetëm jo e drejtpërdrejtë- është thirrje e drejtpërdrejtë. Thirrje për të dy palët, për Prishtinën dhe Beogradin dhe kam besimin se politikanët në të dy kryeqytetet e dinë fare mirë se çfarë do të thotë Komisioni me këtë.

Ju deklaruat në emër të Komisionit të martën se Kosova përballet me sfida të mëdha politike. Kosova aktualisht po përjeton një krizë politike që prej muajit shtator dhe në dhjetor do të zhvillohen zgjedhje të jashtëzakonshme. A reflekton deklarata juaj një lloj shqetësimi për situatën politike atje?

Jo, kjo nuk do të thotë se unë jam i shqetësuar nga situata aktuale. Unë shoh shumë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë. Unë shoh se politikanët kosovarë po tregojnë pjekuri për të përballuar sfidat e rritjes, po ta thosha kështu.
Ajo që themi ne, është: sigurohuni, ju lutemi, që në përballjen me këto sfida, të zgjidhni rrugën evropiane dhe që çdo hap që ndërmerrni, t'ju afrojë drejt perspektivës evropiane dhe jo të bëjë të kundërtën.

Të flasim tani pak për Maqedoninë. Përpjekjet e vendit për të avancuar drejt anëtarësimit janë bllokuar për një arsye të vetme: mosmarrëveshja me Greqinë për emrin. A mund t'i ndihmoni palët ju që të arrijnë një marrëveshje, sepse duket sikur tani i është lënë në dorë vetëm Maqedonisë që të bëjë diçka për ta zgjidhur këtë punë.

Nuk është punë vetëm e Shkupit kjo. Kjo është çështje që i takon Shkupit dhe Athinës.

Por Athina është anëtare e BE-së. A nuk ndonjë mënyrë, brenda mekanizmave të bllokut, për ta shtyrë Athinën që të bëjë më shumë për të arritur zgjidhjen?

Por Komisioni gjithmonë për këtë është i qartë, se u takon të dy palëve që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e emrit, e cila do të ishte në interes të të dy palëve. Ne jemi shumë të qartë për këtë. Dhe unë shoh se është arritur përparim në këtë pikë.
Kryeministrat e të dy palëve janë të angazhuar në këto diskutime. Kryeministri i Greqisë, Papandreu ka një ide shumë ambicioze për ankorimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Unë kam besim se ai është personi i duhur në palën greke që do të bëjë gjithçka të mundur që kjo ambicie të realizohet. Për sa i takon Shkupit, shoh se kryeministri Gruevski e kupton se nuk ka plan B dhe se çështja e emrit duhet të zgjidhet.

A shikoni ju një zgjidhje për këtë, para se Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së?

Unë nga natyra jam optimist. Mendoj se të gjithë e kuptojnë se kur flitet për një shans, ky shans nuk të ofrohet përgjithmonë. Moszgjidhja e kësaj çështjeje në perspektivë më të gjatë, mund të sjellë vetëm mungesë stabiliteti dhe paparashikueshmëri.

Të flasim pak për zgjerimin. Tani ndodhemi në një fazë interesante. BE ka përjetuar një valë të madhe zgjerimi, tani po përjeton situatë të vështirë ekonomike. A jeni ju dakord me vlerësimet se blloku nuk ka më oreks për të pranuar anëtarë të rinj në të ardhmen e afërt?

Nuk jam dakord, sepse po të shohësh raportin e fundit të zgjerimit, ky është raporti i parë i zgjerimit pas nënshkrimit të Traktatit të Lizbonës.
Është një kohë kur pengesat institucionale (për zgjerim) janë hequr dhe kur Bashkimi Evropian është në një formë të tillë, që është i gatshëm të shqyrtojë anëtarë të rinj.
E dyta, po të shohësh paketën e zgjerimit të këtij viti, do ta shihni se Kroacia është në fazën e fundit (drejt anëtarësimit), do të shihni ripërsëritje të rekomandimit për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, do të shihni dhënien e dy opinioneve të reja, për Malin e Zi dhe për Shqipërinë dhe meqë jemi këtu, në të dyja rastet, Komisioni rekomandon nisjen e bisedimeve për anëtarësim, duke e kushtëzuar këtë me përmbushjen e prioriteteve kryesore që janë të përkufizuara qartë.
Do të shihni po ashtu dhe një kornizë të qartë për afrimin e Kosovës drejt prespektivës evropiane, po ashtu dhe të Bosnjë-Hercegovinës.
Në praktikë unë e shoh se gjërat po lëvizin. Fakti që në këtë krizë ekonomike dhe financiare dhe pas saj, ne nuk e kemi mbështetjen e shtetasve të BE-së dhe për rrjedhojë edhe të politikanëve, mund të jetë problem, por pikërisht për këtë arsye një nga lajtmotivet kryesore, për të mos thënë i vetmi i paketës së zgjerimit të këtij viti, është besueshmëria. Besueshmëri për vendet anëtare do të thotë vendosja e kushteve rigoroze që do t'i sillte vendet kandidate në pozitën që ato të jenë 100 për qind të gatshme për të marrë përsipër përgjegjësitë si anëtarë me të drejta të plota.
Por besueshmëri po ashtu dhe për vendet kandidate e ato aspirante, që do të thotë që vendet anëtare, të përmbushin angazhimet e tyre për perspektivën evropiane dhe që t'u ofrojnë këtyre vendeve një kornizë të efektshme, e cila teksa ata bëjnë përparime në zbatimin e reformave, do t'u ofronte atyre mundësinë e përparimit në procesin e anëtarësimit.

Ekziston një ide se vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në të njëjtën kohë në BE, në bllok....

Fule: Me sa di unë, nuk është ndërmarrë a as nuk është paraparë marrja e ndonjë hapi që të ndodhë kështu. Rruga, ritmet (drejt anëtarësimit) janë në duart e vendeve kandidate dhe atyre aspirante.

Kur mendoni ju se do të ndodhë vala e radhës e zgjerimit të BE-së, në pesë vjet? Në dhjetë vjet?

Ajo që shoh unë, është ajo që ka në dorë ky komision: që do të thotë katër vitet e ardhshme dhe shpresoj se do të shoh jo vetëm një, por të paktën dy anëtarë të rinj gjatë kësaj periudhe.
Shpresoj gjithashtu që gjatë kësaj kohe, ne do të shënojmë përparim deri në atë pikë, që të mos ketë më kthim pas me vendet e tjera.
Por sërish, kjo është ambicia ime, e cila varet shumë nga aftësia e vendeve kandidate dhe atyre aspirante që të kryejnë reformat e mëdha, në veçanti në fushën e shtetit ligjor.

Fund

KOMENTE