English

Imazhi dhe njohjet e reja

Numri i njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur, sipas përfaqësuesve politikë, nuk i ka përmbushur pritjet e autoriteteve në Prishtinë. Përfaqësues të qeverisë në largim, por edhe ata të partive politike, vlerësojnë se edhe raporti i Dik Martit reflektoi tejet negativisht jo vetëm në shtimin e njohjeve, por edhe në imazhin e shtetit në të ri

Zijadin Gashi Shtimi i numrit të njohjeve do të ishte përgjigja më e mirë ndaj ndikimit negativ në imazhin e Kosovës që ka shkaktuar raporti i Dik Martit, vlerësojnë përfaqësues politikë në Prishtinë.

Por, njëherësh ata janë të bindur se Kosova po ballafaqohet me sfida serioze në procesin e njohjeve. Sipas tyre, përveç ndikimeve të drejtpërdrejta apo indirekte që kanë Serbia dhe aleatët e saj, që nuk e njohin Kosovën e pavarur, pengesa të kohëpaskohshme këtij procesi i shkaktojnë edhe zhvillimet negative që cenojnë në radhë të parë imazhin e këtij shteti, siç ishte edhe raporti i Dik Martit.

Zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se efektet e para të këtij raporti do të pasqyrohen në pozitën dhe pozicionin e Kosovës para Këshillit të Evropës.

“Është e qartë që efekti i tij (raportit të Martit), do të jetë më i madh te vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe, po ashtu, do ta zvarrisë për një kohë anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gjë për të cilën ne si Ministri e Jashtme dhe si institucione tashmë kemi përgatitur tërë aplikacionin e nevojshëm”, thotë Çitaku.

Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se raportet e tilla si i Dik Martit, mund të shihen si pretekst te disa vende, të cilat hezitojnë ta njohin Kosovën, që ta shtyjnë edhe për një kohë vendimin e njohjes.

Gashi thekson se Kosova duhet të jetë më e shpejtë në reagime ndaj zhvillimeve të tilla, pasi që në botë po krijohen pasqyra të ndryshme për Kosovën.

“Institucionet e reja nëse nuk mbërrijnë ta shpërndajnë një të vërtetë tjetër për këto zhvillime, siç është raporti i Dik Martit, atëherë sigurisht që edhe mund të prodhojnë konsekuenca edhe në çështjen e imazhit. Imazhi i Kosovës me raportin e Dik Martit përkohësisht mund të thuhet se është dëmtuar pak dhe duhet rikuperuar këtë në afatin sa më të shpejtë dhe mënyra më e mirë do të ishte sjellja e njohjeve të reja”, shprehet Gashi.

Përveç ndikimeve nga jashtë, që për politikën kosovare paraqiten edhe si propagandë ndaj shtetit të Kosovës, veçohen edhe probleme të brendshme që besohet se ndikojnë në imazhin e këtij vendi.

Duke iu referuar procesit të fundit zgjedhor, Ibrahim Gashi thotë se përveç parregullsive të evidentuara, çdo zvarritje eventuale në krijimin e institucioneve të reja, domosdoshmërisht që do të ndikojë negativisht jo vetëm në imazhin, por dhe në njohjet e reja.

“Prej momentit kur kemi dorëheqjen e qeverisë, dorëheqjen e ministrave të njërit nga partnerët e koalicionit, institucionet e Kosovës, sidomos Ministria e Jashtme ka demonstruar një plogështi të madhe në aktivitetet e saj lotuese. Rrjedhimisht, vonesat në konstituimin e qeverisë së re dhe në dinamizimin e punës së Ministrisë së Jashtme mund të interferojnë drejtpërdrejt në çështjen e njohjeve”, shton Gashi.

Në anën tjetër, zëvendësministrja në largim, Vlora Çitaku, thotë se procesi zgjedhor ka kaluar mirë dhe pa pasoja në imazhin e shtetit më të ri.

Por, sipas saj, pritjet kanë qenë që pas mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në raport me pavarësinë e Kosovës, të shtohej numri i njohjeve, çka nuk rezultoi konform këtyre pritjeve.

“Ne kemi bërë gjithë çfarë është e mundur në kuadër të mundësive tona. Megjithatë, ky proces nuk po ecën me dinamikën e parashikuar dhe thënë të drejtën pas përmbylljes së procesit në GJND ne kemi qenë të bindur se njohjet do të kenë një dinamikë të shtuar. Megjithatë, ky ritëm nuk është në proporcion me angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, thekson Çitaku.

Jo vetëm përmes aktiviteteve diplomatike, por edhe në kuadër të një fushate lobuese, qeveria shpenzoi disa miliona euro për promovimin e kosovarëve si evropianët e rinj.

Ndërkohë që përveç mungesës së njohjeve nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, njohjet Kosovës nuk i erdhën në numrin e parashikuar as nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

Duke u lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave, Kosova mbetet ende vendi më i izoluar, sa i përket lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. /rfe/

KOMENTE