Nga Bernd Riegert
Kryeqyteti i Estonisë Talini dhe qyteti finlandez Turku do të jenë kryeqytetet kulturore të Evropës për vitin 2011. BE vë në dispozicion të qyteteve që shpallen kryeqytete kulturore të Evropës rreth 2 milionë euro.
Tragete dhe kryqëzorë sjellin çdo ditë vizitorë në qytetin me një histori 1000 vjeçare që shtrihet në brigjet e Detit Baltik. Nga deti ka ardhur edhe kultura edhe pushtuesit, thonë estonezët. Pushtuesit e fundit ishin trupat sovjetike.
"Gjatë periudhës së pushtimit sovjetik një pjesë e qytetit nuk kishte të drejtë të dilte në breg të detit, sepse ajo ishte zonë ushtarake dhe industriale. Tani këtë zonë do ta kthejmë në zonë kulturore." - sqaron Maris Hellrand duke folur me radion DW.
Ajo punon pranë Fondacionit Talin 2011, i cili organizon edhe aktivitetet për Talinin si kryeqytet kulturor të Evropës.
Në zonën që pason pas portit të trageteve do të ngrihen një sërë ateliesh dhe objektesh të tjera kulturore si dhe Muzeu i ri i Detit.
Muzeu i Detit, i cili pritet të përfundojë në verë, po ngrihet në ambientet e një hangari të dikurshëm për avionë të kohës sovjetike. Nën kupolat prej betoni të kësaj ndërtese do të ekspozohen thesare të ndryshme të detit, ndër to edhe e vetmja nëndetëse e prodhuar në Estoni. Kontejnerët dhe depot e dikurshme të portit do të zbukurohen me grafiti dhe do të shndërrohen në kafe dhe restorante.
Gjatë vitit 2011 estonezët do t'u prezantojnë vizitorëve edhe shumë këngë. Estonia konsiderohet si vendi i koreve, thotë Aarne Saluveer, kryetari i shoqatës së koreve të Estonisë: "Estonezët e mbështjellin historinë e jetës së tyre në këngë, kjo është tradita gojore dhe në këtë mënyrë e ruajmë historinë tonë edhe sot."
Një nga pikat kulmore të Talinit 2011 do të jetë festivali i këngës rinore që zhvillohet në fillim të korrikut. 25 000 të rinj pritet të formojnë një kor gjigant.
"Për ata që nuk e njohin Estoninë dhe kulturën estoneze kjo fundjavë do të jetë një mundësi e mirë për të njohur shpirtin e estonezëve, për të parë çfarë jemi ne dhe përse jemi ne." - tregon Maris Hellrand.
Përveç festivalit gjatë këtij viti do të prezantohen edhe 250 projekte kulturore në të cilat do të marrin pjesë shumë artistë bashkëkohorë evropianë. Vizitorët e Talin 2011 do të kenë mundësinë të vizitojnë edhe një muze të veçantë në ambientet e hotelit Viru.
Në këtë hotel të ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovjetik do të hapen për vizitorët dhomat ku gjendet aparaturat që përdorte KGB-ja për të përgjuar turistët që vinin në Talin.