Tiranë, 4 janar 2011, NOA Update – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta deklaroi sot se Raporti i Komisionit Europian do të jetë baza e punës që METE do të ndjekë për vitin 2011. Zëvendëskryeministri gjatë një mbledhje me drejtues të dikasterit vlerësoi shumë pozitive punën e bërë nga kjo ministri në kuadër të përgjigjeve të kërkuara nga Progres Raporti i KE-së. Por njëkohësisht ai theksoi se mbetet ende shumë për të bërë për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme si ajo për lëvizjen e lirë të mallrave, çka bën të nevojshme vënien në jetë të direktivave të tjera të ngritjes së institucioneve të mbikëqyrjes së tregut, dhe të harmonizimit të mëtejshëm të të gjithë legjislacionit e kuadrit rregullator brenda atij evropian.
“Rekomandimet dhe vlerësimet e këtij Progres Raporti janë dokumenti më serioz më profesional dhe më analitik i përpjekjeve tona në rrugën e Integrimit Europian, ndaj ky Progres Raport do të shërbejë si programues i punës së gjithë Ministrisë dhe Institucioneve në Varësi të saj sipas një axhende të mirëpërcaktuar dhe sipas indikatorëve të progresit të cilat tashmë janë formatuar në një matricë e cila është në dijeninë e të gjithë juve”, theksoi zëvendëskryeministri Meta.
Duke përshëndetur drejtuesit e METE-s për faktin se deri më tani janë adoptuar gati 92 përqind e standardeve evropiane, ministri i Ekonomisë, tha se “Progres Raporti ka vlerësuar mjaft pozitivisht përpjekjet që ka bërë Shqipëria për transpozimin e kuadrit rregullator si ai për Akreditimin, Metrologjinë dhe Standardizimin, si dhe Ligjin Horizontal 9779 “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve”.
Më pas Meta ka renditur opinionin e KE-së për disa nga kapitujt e ndryshëm të legjislacionit ekonomik.
Ministri Meta tha se lidhur me kapitullin e 3-të së Drejtës së Vendosjes dhe Lirisë për të ofruar shërbime vendi ynë vlerësohet për moszbatimin e asnjë dispozite diskriminuese përsa i takon regjistrimit të biznesit.
Sipas Metës, opinioni vlerëson të gjitha arritjet në fushën e shërbimit postar dhe nënvizon se përafrimi i plotë dhe zbatimi i Legjislacionit Europian në këtë fushë mund të realizohet lehtësisht nga vendi ynë.
Ndërkohë Meta tha se janë vlerësuar edhe arritjet në përafrimin e plotë të pjesës më të madhe të legjislacionit tregtar e veçanërisht të ligjit “Mbi Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” dhe “Marrjen nën kontroll të Shoqërive Publike” e gjithashtu edhe miratimi i ligjit bazë për pronësinë industriale si dhe aderimi i Shqipërisë në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Meta nënvizoi se është vlerësuar edhe progresi thelbësor i bërë në vitet e fundit në transpozimin e legjislacionit dhe ngritjen e institucioneve, por edhe në reformën e Tregut të Brendshëm të Energjisë, si dhe përafrimi i legjislacionit Hidrokarbur dhe atij Minerar.
Shefi i METE-s theksoi se duhet të plotësohet me kuadër nënligjor legjislacioni i plotë për Hidrokarburet, ndërkohë që është i nevojshëm forcimi i kapaciteteve institucionale dhe rritja e aftësive për pjesëmarrje në proceset vendim-marrëse të Bashkimit Europian në drejtim të politikave të zhvillimit dhe të ndihmës së huaj.
mit/NOA