English

Zgjedhjet e pjesshme, KQZ: Dy ditë fushatë

Prishtinë, 4 janar, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë caktoi periudhën e fushatës zgjedhore për rivotimet në disa komuna.

Sipas vendimit të publikuar të KQZ, fushata zgjedhore për rivotimet e 9 janarit do të fillojë më 5 janar dhe do të përfundojë më 7 janar, për komunat Drenas, Skenderaj, Deçan si dhe për rivotimet në qendrat votuese në Lipjan dhe Malishevë.

“Të gjitha aktivitetet parazgjedhore të subjekteve politike janë të ndaluara para fillimit të fushatës zgjedhore sipas këtij vendimi”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

Ndërkohë, sot pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga 40 për qind të vendvotimeve.

Udhëheqësi i Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR), Burim Ahmeti ka thënë se procesi i rinumërimit të votave po vazhdon me një intensitet të shtuar. Ai beson se gjatë ditës së sotme do të publikohen rezultatet e 40 për qind të vendvotimeve, që do të rinumërohen.

“Mendojmë se më 4 janar do të përfundojë i gjithë procesi i rinumërimit të votave nga 760 vendvotime sa ishin gjithsej në procesin e rinumërimit”, tha Ahmeti.

Rinumërimi i votave në 40 për qind të vendvotimeve në nivel të Kosovës u vendos, pas dyshimeve për parregullsi gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit.

Organizatorët e zgjedhjeve premtojnë se kësaj radhe do të ketë monitorim të rreptë të procesit të rivotimit në këto tri komuna. 90 ekipe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas do të qëndrojnë gjatë gjithë ditës të së dielës nëpër qendrat e votimit.

Shpërndaje

NOA

KOMENTE