Bulqizë, 5 janar 2011, NOA – Pas përleshjes me armë zjarri mes dy bandave rivale për kromin në mes të Bulqizës ku mbeti i vdekur mes plumbave një kalimtar i rastit, 48 vjeçari Femi Kurcami dhe u plagosën dy persona të tjerë, uniformat blu kanë vënë në pranga në orët e vona të pasdites 38 vjeçarin Ilia Duriqi, njëri nga anëtarët e bandave. Policia e qytetit e ndihmuar edhe nga forcat e RENEA-s bëri të ditur për korrespondentin e NOA-s se janë në kërkim edhe disa persona të tjerë të bandave që u përleshën në mes të ditës dhe mu pranë Bashkisë së qytetit.
Beteja me armë, e cila riktheu në sytë e qytetarëve të Bulqizës ngjarjet e vitit 1997, kur bandat përlesheshim me armë në mes të qyteteve ndodhi kur dy bandat e armatosura me kallashnikovë dhe pistoleta hapën zjarr kundër njëri-tjetrës në rrugë duke lënë në vend minatorin femi Kurcami baba i tre fëmijëve dhe dy persona të tjerë.
Por, ajo që rëndon më shumë është se shkëmbimi i një arsenali të tërë armësh ndodhi mu pranë godinë së Bashkisë, duke treguar pse jo edhe papërgjegjshmërinë e policisë dhe duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Uniformat blu të Bulqizës, të cilat mbërritën në vendngjarje pas përleshjes ku mbeti i vdekur kalimtari i rastit të ndihmuar edhe nga policia e shtetit janë vënë në ndjekje të të dyshuarve të cilët sipas tyre janë anëtarë të bandave të njohura të zonës asaj të Durriqëve dhe të Ilirjan Jangullit, të cilët duket se i shpëtuan postblloqeve të policisë.
Personat që u përleshën me armë brenda makinës dyshohet të jenë larguar me shpejtësi përdrejt Maqedonisë.
Ndërkohë që policia arriti të prangosë njërin nga kriminelët e Bulqizës vijon operacioni për kapjen e personave të tjerë, që realizuan një betejë armësh në mes të Bulqizës, duke tronditur sigurinë publike në qytet.
mit/NOA