English

KiE tjetër goditje Kosovës, akuza për vrasjen e dëshmitarëve të luftës

Prishtinë, 4 janar 2011, NOA- Pas raportit plot akuza të raportuesit të KiE Dick Marti,

një tjetër akuzë vjen nga një tjetër anëtar i këtij komisioni.

Akuzat këtë herë janë hartuar nga një anëtar i KiE, i cili denoncon vrasjen e dëshmitarëve të çështjeve të krimeve të luftës.

Sipas raportit të Jean Charles Gardetto, në Kosovë nuk mbrohen dëshmitarët dhe nuk ka një ligj të posaçëm për ta, që do t’u siguronte strehimin jashtë shtetit të ri të Evropës.
Ai merr si shembull rastin e gjykimit të Ramush Haradinajt, ish-lideri i UÇK-së.

Më tej në raport thuhej se, gjatë gjykimit të tij, gjykata nënvizoi vështirësitë që kishte për të siguruar prova nga 100 dëshmitarë të prokurorisë.

Sipas Jean Charles Gardetto, 34 prej tyre iu dhanë masa mbrojtëse, ndërsa 18 morën thirrje dhe disa dëshmitarë që duhej të dëshmonin në gjykim, u vranë.

“Kur një dëshmitar vendos të flasë, ka gjasa reale për hakmarrje. Ai mund të humbasë vendin e punës, ose në rastin më të keq edhe të vritet”, shkruan raporti i Gardetto.

Në këtë dokument të KiE theksohet se dëshmitarët në Kosovë shihen si tradhtarë nga komuniteti kur japin dëshmitë e tyre dhe kjo gjë i dekurajon ata të vazhdojnë më tej.

“Dëshmitarët dëshmojnë në mënyrë anonime, por më pas kjo masë bëhet tërësisht e padobishme, pasi fizikisht ata mbeten në Kosovë, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin. Gjithashtu, shumica prej tyre identifikohen nga mbrojtja kur raportojnë”, thuhet në raportin e dytë që godet brenda pak kohësh shtetin e Kosovës.

a.y/NOA

KOMENTE