Tiranë, 5 janar 2011 – Pas dosjesh të tëra akuzash për korrupsion ku si opozita dhe mazhoranca akuzojnë njëra-tjetrën, zëvendëskryeministri Ilir Meta i ka dalë në mbrojtje idesë së hedhur për lënien e imunitetit për të mos penguar hetimet e prokurorisë. Numri dy i qeverisë ka shprehur vullnetin e tij dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për mbështetjen e dy alternativave për lënien e imunitetit në rast hetimi duke theksuar se ai është i hapur për të mos u mbrojtur nën imunitet.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta në një intervistë të dhënë për tv Klan sot, tha se LSI do të jetë pjesë e një debati për imunitetin duke vërejtur se hetimi ndaj korrupsionit në nivelet e larta të administratës është një akt moral dhe një akt transparence i nevojshëm për integrimin në Europë.
Në këtë kontekst ai ka riakuzuar opozitën se me kundërshtimin që i bën një drafti për heqjen e imunitetit në rast hetimi tregon mungesën e vullnetit për transparencë, një transparencë të cilën opozita e ka patur lajtmotiv të 18 muajve politikë pas kontestimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009.
Pyetje: Z. Meta, në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri Berisha deklaroi që grupi parlamentar demokrat është i gatshëm të lërë në mënyrë vullnetare imunitetin e deputetit, në të gjitha rastet kur organi i akuzës kërkon të hetojë për raste që kanë të bëjnë me korrupsionin, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët të gjithë deputetëve demokratë. A do t’i bashkohet grupi parlamentar i LSI-së kësaj nisme që pritet të zyrtarizohet së shpejti?
Meta: Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh ka apeluar ndaj gjithë forcave politike në Parlament për të bërë së bashku atë ndryshim të domosdoshëm ligjor dhe kushtetues, i cili e heq përfundimisht imunitetin si një pengesë për hetimin e deputetëve dhe prej kohësh ne si përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Parlament e kemi konsideruar veten pa imunitet përballë çdo lloj akuze për korrupsion apo për shkelje të ligjit, duke e ftuar Prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit që të ndjekin dhe verifikojnë çdo akuzë, pa patur aspak pengesën e imunitetit. Natyrisht që është e domosdoshme që kjo të bëhet nga të gjitha forcat politike në Parlament, pasi ka qenë dhe mbetet një kërkesë e Komisionit Europian, si një hap i vullnetit të mirë në luftën kundër korrupsionit, sidomos në sferën politike.
Pyetje: Në tetor të vitit 2007, kur ju ishit pjesë e kampit opozitar, PS doli me të njëjtin qëndrim sikundër Kryeministri Berisha sot, që deputetët e saj ta linin në mënyrë vullnetare imunitetin dhe ju e deklaruat një gjë të tillë, pohuat të njëjtat gjëra që sapo konfirmuat. Por, shikoj në qëndrimin tuaj që më shumë anoni tek ndryshimi kushtetues. Ju do të jeni pjesë e një ndryshimi kushtetues, pra që të marrë formë ligjore apo thjesht e një qëndrimi që tha z. Berisha, për ta lënë imunitetin në mënyrë vullnetare?
Meta: Absolutisht që ne jemi për të dyja alternativat dhe e kemi deklaruar që për ne si deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ekziston imuniteti, që do të thotë se përfaqësuesit tanë janë të hapur ndaj çdo akuze për tu verifikuar, duke hequr dorë në mënyrë të menjëhershme nga imuniteti i tyre, pra pa kërkuar mbrojtjen përmes imunitetit. Por, në mënyrë që të realizohet jo vetëm një demonstrim i vullnetit të mirë të forcave të caktuara politike, në rastin konkret të PD-së apo të LSI-së, në mënyrë që kjo të mos mbetet vetëm këtu por të hiqet çdo lloj interpretimi ligjor apo kushtetues që për momentin mund të shfrytëzohet për të përdorur imunitetin si një mbrojtje apo si një koracë ndaj akuzave të tilla është e mira që të gjitha forcat politike me konsensus të bëjnë çdo ndryshim, i cili përfundimisht e rrëzon imunitetin si një pengesë, qoftë edhe të përkohshme, për Prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit për të hetuar ndaj çdo deputeti dhe politikani.
Pyetje: Ju thoni që duhet një gjithëpërfshirje e gjithë faktorit politik, por nga ana tjetër shikojmë që Partia Socialiste që gjatë gjithë këtyre viteve, nga viti 2007 e deri më tani, ka folur për imunitetin, ka qenë e gatshme për ta lënë në mënyrë vullnetare, tani po qëndron asnjanëse e duket sikur nuk do të bëhet pjesë e këtij debati, për të ndërmarrë një nismë ligjore apo për ta lënë në mënyrë vullnetare imunitetin. Si e shikoni këtë tërheqje të Partisë Socialiste?
Meta: Është një mungesë e qartë e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe për të qenë të hapur për të bashkëpunuar pa kushte me drejtësinë, në këtë drejtim, dhe njëkohësisht kjo nuk është vetëm një demonstrim i vullnetit të mirë, një akt moral, një akt transparence, por është dhe një detyrim për procesin e integrimit europian.
Pyetje: Kjo do të thotë se Partia Socialiste nuk është e gatshme për të përmbushur detyrimet për integrimin drejt Bashkimit Europian?
Meta: Kjo nuk është diçka e re.