Tiranë, 6 Janar 2011 NOA – Nipi i ish-kryeministrit Adil Çarçani, është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e ish-Bllokut. Për ironi, autorë të dyshuar të plagosjes janë Shkëlzen Hoxha, djali i ish-diktatorit komunist dhe Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste, Arta Dade.
Sipas të dhënave të para që ofrohen nga vendngjarja në një nga rrugët e ish-Bllokut, i plagosur nga qitja me armë zjarri e llojit pistoletë, është Endri Lyfi, nipi i Adil Çarçanit, ish kryeministër i Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste në vitet 1981-1990.
I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku gjendja e tij nuk paraqet rrezik jete.
Autorë të dyshuar të plagosjes me armë të Lyfit, janë Shkëlzen Hoxha i lindur më 27 Mars 1979, djali i Ilir Hoxhës, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.
Tjetër i dyshuar si bashkautor në ngjarje sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, pranë një lokali në ish-Bllok, është Besnik Dabulla, djali i ish-ministres së Jashtme Arta Dade, aktualisht deputete e Partisë Socialiste.
Duke iu referuar gjithnjë të dhënave paraprake nga vendi i ngjarjes në ish-Bllok, dyshohet se ka qenë një qitje e pavullnetshme, pra pa dashje e njërit prej të dyshuarve.
Policia tha se ka shoqëruar Hoxhën dhe Dabullën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
e.r/NOA