English

Rinis fushata zgjedhore në Kosovë për votimet e 9 janarit

Prishtinë, 5 janar 2011, NOA – Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë, ku fitoi PDK e Hashim Thaçit, por jo me shumicë votash, Kosova ka rihyrë në fushatë elektorale për zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 9 janar në disa prej zonave ku pati parregullsi. Tre ditët e fushatës zgjedhore kanë nisur për votimet e pjesshme që do të rimbahen në Deçan, Drenas dhe Skënderaj.

Autoritetet njoftuan se fushata elektorale do të zgjasë deri të premten, ndërkohë që të shtunën e 8 janarit do të mbahet heshtja zgjedhore për t’I përgatitur votuesit për të djelën e 9 janarit.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit në komunat e Drenasit, Deçanit dhe Skënderajt u kontestuan nga opozita në Kosovë për shkak të parregullsive të vërejtura.

Tashmë KQZ-ja e Kosovës mësohet se i ka zëvendësuar të gjithë komisionerët që morën pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit me përfaqësues të tjerë, me synimin që votimi të mos cënohet.

Por, votime do të shënohen këtë të dielë edhe në një qendër votimi në fshatin Shalë të komunës së Lipjanit dhe në një qendër votimi në fshatin Drenofc të Malishevës, në veri të Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE