English

Tahiri: Zgjedhjet nuk janë çështje e kaluar

Tiranë, 5 janar, NOA - Partia Socialiste rikonfirmoi sot se çështja e hetimit të zgjedhjeve të vitit 2009 nuk është çështje e kaluar. Në një konferencë dhënë për mediat deputeti i PS-së, Saimir Tahiri tha sot se e vërteta e zgjedhjeve do të dal, pavarësisht përpjekjeve të Berishës për ta penguar.

“E vërteta e votave të vjedhura në zgjedhjet e kaluara nuk është kurrë çështje e kaluar, e nuk do të bëhet kurrë e tillë sado të mundohet Saliu. E vërteta do dali nga kutitë pavarësisht përpjekjeve të Sali Berishës për ta penguar, ashtu sikurse zgjedhjet e ardhshme nuk do jenë dot skena e përsëritur e manipulimit shtetëror që vë dorë mbi vullnetin e zgjedhësve për të vënë në dorë pasurinë e shqiptarëve”, tha Tahiri.

Deputeti i PS-së u ndal edhe në çështjen e korrupsionit duke theksuar se kreun e qeverisë do e braktisin dhe ortakët e tij.

“Sali Berisha nuk i shpëton dot të vërtetës së zgjedhjeve dhe të aferave korruptive të familjes së tij biologjike dhe politike. Qytetarët e zakonshëm që Saliu i ka lënë në baltë, shumë shpejt do marrin vesh të vërtetën, duke lënë në baltë vetë Saliun dhe ortakët e tij”, tha Tahiri.

Ai u ndal edhe në dënimin e Efraim Diverolit, duke theksuar se duhet të dënohen dhe partnerët e tij në Shqipëri.

“Partneri i biznesit që polli tragjedinë e Gërdecit, u dënua nga një gjykatë amerikane, ndërkohë që autorët shqiptarë të tragjedisë që jo vetëm trafikoi armë e fishkë, por hodhi në erë një fshat të tërë, duke lënë pas mbi 26 viktima, jo vetëm që nuk dënohen por mbahen ministra prej Sali Berishës e familjes korruptive që ai drejton”, tha sot Tahiri.

a.k/NOA

KOMENTE