Tiranë, 5 janar 2011, NOA – “Nëse 2010-a ishte viti i vizave, viti i ngjarjes më të bukur në jetën e çdo shqiptari, viti 2011 do të jetë viti i sfidave të tjera të mëdha, i transformimit të punës së Parlamentit, i cili shtyllë kryesore të punës këtë vit do të ketë ekonominë dhe integrimin”. Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e saj të parë për këtë vit kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila inauguroi sot bashkë me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wallfarth një mjedis tërësisht të ri të Bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë, që sikundër tha zonja Topalli është një mjedis i standardeve evropiane, apo një autostradë elektronike moderne dhe pararojë për të gjitha institucionet e vendit.
“Ne kemi punuar fort gjatë këtyre viteve për adaptimin
e një strategjie, për të bërë të mundur që në përputhje me epokën dixhitale që ne
jetojmë, të bëjmë një E-Parlament. Sot, me kënaqësi themi se kjo godinë
përfundimisht ka përfunduar instalimin e rrjetit kompjuterik të të gjithë
zyrave, në të gjitha ambientet. Kjo është autostrada elektronike e parametrave
më bashkëkohore dhe moderne dhe ndoshta është më i madhi dhe më moderni në të
gjitha institucionet shqiptare.
Ka 1 mijë posta elektronike, duke e bërë këtë autostradë elektronike të këtij
institucioni shqiptar ndoshta më të madhin dhe më modernin që ekziston në
rajon. Kjo autostradë elektronike, të jep mundësinë që të vazhdojmë me
investime në fushën dixhitale dhe të kompjuterizimit, me projekte afatshkurtra
dhe afatgjata”, tha zonja Topalli.
Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi edhe rrjetin e përfunduar të webcasting, që bën të mundur transmetimin live të seancave plenare duke i shërbyer kështu rritjes së transparencës përballë publikut.
“Ky webcast është më modern, se webcasti i Parlamentit të Italisë apo edhe i disa parlamenteve të tjera të vendeve të Bashkimit Evropian, pasi jo vetëm bën të mundur që të ndjekësh live në internet seancat plenare por përmes database-it të saj, përmes arkivës së saj, në çdo moment që ju mund të kërkoni emrin e deputetit për të dëgjuar se çfarë ka thënë, si është shprehur dhe çfarë ka kërkuar, mjafton të kërkoni emrin dhe e gjeni menjëherë. Nuk do të keni më nevojë të humbisni kohë, të shikoni të gjithë seancën nga fillimi deri në fund, për të shkuar aty ku ju kërkoni”, nëvizoi kryetarja e Kuvendit.
Më tej ajo theksoi se transformimit nuk i shpëtoi as arkiva e Kuvendit, ku janë dixhitalizuar të gjitha dosjet e procesit të ligjbërjes nga viti 2000 deri në ditët e sotme dhe janë hedhur në serverin e Kuvendit.
Në këtë kontekst, zonja Topalli evidentoi edhe botimet e Kuvendit ku përmes projektit me OSBE-në është dixhitalizuar arkiva e institucionit, madje kujtoi ajo janë transkriptuar debatet parlamentare jo vetëm të periudhës 2005 deri në ditët e sotme, por edhe ato nga viti 1991 deri në vitin 2004 duke plotësuar kështu të gjithë kolanën e debateve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë në post-diktaturë, një punë e 16 viteve e kryer tërësisht në një kohë të shkurtër. “Besoj dhe jam e sigurtë se do t’ia dalim që brenda vitit 2011, ne nga E-Kabinet do të kalojmë në E-Parlament në sallën e seancave plenare, ku çdo deputet nuk do ketë më nevojë për letra apo hardcopy dhe aty do dixhitalizohet i gjithë procesi i ligjbërjes nga drafti që vjen nga qeveria dhe kjo është në vazhdim të programit të realizimit të E-Governement, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, do dixhitalizohet gjithë procesi i shqyrtimit, i diskutimit, i amendamenteve, i relacioneve, i hearing, që bëhet, në seancat plenare, votimi deri në momentin që shkon në botimin e Fletores Zyrtare dhe kështu brenda 2011 ne do të kemi një dixhitalizim edhe të seancave plenare”, tha kryeparlamentarja Topalli.
Ajo vërejti se për pasurimin e Bibliotekës së Kuvendit janë transkriptuar 31 mijë faqe sa I përket seancave plenare, e që bashkë me dokumentet e komisioneve parlamentare janë rreth 47 mijë faqe të transkriptuara.
Biblioteka e Kuvendit është pasuruar me rreth 3 mijë tituj të tjerë, të cilët janë blerë, duke u konsultuar me katalogët e Këshillit të Evropës, apo me kërkesat e deputetëve që vijnë nga Komisioni i Ekonomisë, i Ligjeve dhe nga komisione të tjera.
Madje duke folur për transformimin e administratës së Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli theksoi se është shumë i vlefshëm bashkëpunimi me OSBE-në, që sipas saj ka bërë të mundur që disa studentë që kanë aplikuar në Bryzh dhe kanë fituar, t’i shtohen më pas administratës së Kuvendit.
“Kjo është një punë e administratës që ka revolucionarizuar, transformuar Parlamentin. Ky parlament para 6 viteve, krahasuar me sot nuk njihet, dhe kjo krahasuar edhe me infrastrukturën fizike të krijimit të kushteve, të zyrave të reja të deputetëve, të mundësisë së tyre për t’u konsultuar, komoditetin, jo vetëm në fushën elektronike, por konsultime edhe me librarinë, arkivën etj, tha kryeparlamentarja.
E pyetur në lidhje me votimet e ardhshme të ligjeve në kuvend, kryeparlamentarja Topalli paralajmëroi se të enjten do të mbajë një konferencë ku do të diskutojë mbi gjithë punën që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë gjatë vitit të kaluar.
Gjatë prezantimit të risive në Bibliotekën e Kuvendit, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wallfarth garantoi se mbështetja e OSBE-së për Parlamentin nuk do të ndalet, duke shpresuar se bashkëpunimi mes Parlamentit dhe OSBE-së do të jetë i tillë i frytshëm edhe në vitet e ardhshëm.
“OSBE ka edhe ndihmën e shteteve pjesëmarrëse të saj ndaj qeverisë shqiptare dhe Parlamentit si Austria, Holanda, Kroacia etj, disa prej të cilave anëtare të BE-së. Kjo tregon krijimin e një rrjeti pune të stafit të parlamentit me deputetët dhe të deputetëve me njeri-tjetrin për të zhvilluar më tej këtë vend edhe në rajon”, tha Wallfarth.
“Dhe dua të them se është një punë e shkëlqyer ajo që është bërë me organizimin dhe dixhitalizimin e arkivave të 20 viteve të fundit dhe kjo do të shërbejë si bazë për punën në vazhdim. Dhe duke e kombinuar këtë punë moderne që është bërë me IT, mendoj se është një hap i mirë për punën e mëtejshme të parlamentit”, evidentoi ambasadori i OSBE-së.
mit/NOA