Athinë, 5 janar 2011, NOA - Organizata “Komploti i Vatrave të Zjarrit” ka marrë sot përsipër sulmin me bomba të ndodhur pak ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Athinës. Në shpalljen e publikuar në faqen Indymedia, kjo organizatë sqaron se sulmi u krye në shenjë proteste ndaj tre anëtarëve të saj të arrestuar, të cilët do të dalin para gjyqit në 17 Janar.
Shpallja përmban kërcënime ndaj gjyqtarëve ku thuhet se “ Bashkëkohësit tanë gjykatës, ju bëjmë me dije publikisht se për çdo vit burgosje që do t’u jepet vëllezërve tanë, do të vendosim nga 1 kg lëndë plasëse në oborret e shtëpive tuaja, në makinat tuaja, në zyrat tuaja. Nuk përjashtojmë as takimet personale me ju”. Organizata anarkiste u ka bërë thirrje gjyqtarëve të mos publikojnë emrat e tyre, dhe gjatë kohës së gjyqit të paraqiten me maskë në kokë, pasi jeta e tyre është në rrezik.
“Takimi ynë i parë është më 17 Janar”, shkruan deklarata e organizatës anarkiste greke, Komploti i Vatrave të Zjarrit.
mit/NOA