Tiranë, 6 janar 2011, NOA- Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së parë të qeverisë për vitin 2011, Kryeministri i vendit Sali Berisha theksoi objektivat e qeverisë së tij lidhur me turizmin dhe kulturën.
Ai përmendi, objektivat e Ministrisë së Kulturës duke i cilësuar si shumë të rëndësishme. “Pres brenda një afati shumë të shkurtër vendimin e qeverisë për ngritjen e teatrit të komedisë. Jemi të vonuar dhe kërkoj mirëkuptimin e të gjithë artistëve dhe publikut që mezi e pret këtë teatër, se reformat nuk janë të rrufeshme".
U kalua ligji, u bënë të gjitha, por ky teatër duhet të ngrihet me të gjithë parametrat që i përket atij. Cirku duhet të shndërrohet në një institucion kombëtar dhe të marrë të gjithë mbështetjen e duhur shtetërore në mënyrë që të mundtë kapë nivele më të reja”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Ai e cilësoi jetën kulturore të kryeqytetit si vendimtare dhe përcaktuese, jo vetëm për jetën kulturore të qytetarëve, por dhe për lidhjet kulturore të këtij kryeqyteti me vendet e tjera të botës.
Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se ky është viti i turizmit, duke theksuar se, një plan i veçantë do të hartohet për të bërë këto përpjekje që ata miliona turistë që do të vizitojnë Shqipërinë, pasi të largohen nga ky vend të mendohen të vijnë përsëri.
a.y/NOA