English

Brahms, Rossini e Mozart sot në Akademinë e Arteve

Tiranë, 6 janar, NOA - Sot në orën 19:00, në sallën e madhe të koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë jepet një koncert muzikor me vepra nga Brahms, Rossini, Mozart. Nga Brahmsi do të luhet sonata nr. 3 për violinë dhe piano; nga Rossini aria e Rozinës, nga opera “Il Barbiere di Sevilla”, ndërsa nga Mozarti sonata nr. 10 për violinë dhe piano.

Në violinë luan Gëzim Bulcari, i cili është koncermaestër në orkestrën e TKOB dhe i angazhuar në jetën koncertore si pjesëmarrës në kuartete, ansamble dhe orkestra të ndryshme (Orkestra e AA, Kamerata e Tiranes etj.). Aktualisht është edhe pedagog i jashtëm në katedrën e violinës në AA.

“Aria e Rozinës” interpretohet nga sopranoja Ledi Paparisto, e cila ka fituar shumë çmime në USA, ndër të cilët përmendim çmimi i parë në “Friends Of The Opera“, çmimi i tretë në Chicago Opera, çmimi i dytë në Detroit Opera House si dhe është 3 herë finaliste në Metropolitan Opera.

Në piano luan Laura Kushta, pedagoge e ftuar pranë Fakultetit të Muzikës në AA në klasën e kantos, muzikës së dhomës etj. Ky koncert jepet në kuadrin e programit të “Qytetit të arteve”.

a.k/NOA

KOMENTE