English

Hysa: Veriu mund të jetë pjesë e bisedimeve Serbi-Kosovë

Prishtinë, 6 janar, NOA- Bashkërenduesi i qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut të vendit, Ylber Hysa, i tha se ka indikacione nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që veriu i Kosovës të bëhet pjesë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Ai tha se para dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka patur lëvizje drejt zbatimit të një strategjie për veriun e vendit në pritje, siç tha ai, të zgjidhjes së problemeve jo përmes aktiviteteve në terren, por një dialogu që pritet të zhvillohet mes dy vendeve.

Hysa tha se edhe qeveria e Kosovës nuk ka qenë gjithnjë e njëzëshme për strategjinë për shkak të dallimeve brenda vetë koalicionit të shkuar qeverisës.

Strategjia e qeverisë së Kosovës, e hartuar me ndihmën e Zyrës Civile Ndërkombëtare, u cilësua si përpjekje për integrimin e veriut të vendit dhe shuarjes së strukturave paralele, por ajo u kundërshtua nga serbët lokalë dhe Beogradi zyrtar.

Hysa tha se që prej pavarësisë është arritur që të shmanget një konflikt i drejtpërdrejt ndëretnik në veri.

Ai i ka cilësuar deklaratat e Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe të EULEX-it, për njësitë e posaçme për luftimin e krimit të organizuar në veri, si përpjekje për të mbajtur qetësisë më shumë se sa për të vendosur rendin dhe ligjin.

Sipas tij, çdo lloj qëndrueshmërie politike në Prishtinë do të ndihmojë edhe çështjen e Mitrovicës.

a.k/NOA/BBC

KOMENTE